Home » Opinione » Opinion – Pse ky eksod i ri kosovarësh?

Opinion – Pse ky eksod i ri kosovarësh?

Fehmi RAMADANIFehmi Ramadani

 

Për eksodin e këtyre ditëve të kosovarëve nga vendi i tyre, padyshim se në radhë të parë janë fajtorë këstet e papërgjegjshme politike si në pozitë, por edhe opozitë. Prej 30-40 mijë të rinjve që dalin në vit në tregun e Kosovës nuk kishte ndonjë plan për përfshirjen e tyre në ekonominë e këtij vendi. Institucionet ndërkombëtare ndajnë përgjegjësinë e njëjtë për një gjendje kaq të rëndë ekonomike, për lejimin e shkatërrimit ekonomik të vendit dhe tani janë të detyruar të bartin një pjesë të barrës në strehim të emigrantëve. Një plan i shpejt ekonomik, rigjenerimi i vendeve të punës, bashkimi i resurseve ekonomike dhe njerëzore në mes Shqipërisë dhe Kosovës do të ishte zgjidhja afatgjate nga ndalja, përkatësisht përkeqësimi dhe gjenerimi i krizave të reja.

 

***

Pse ky eksod i ri kosovarësh, pas 16 lirie dhe pas gati 8 vjet pavarësie të Kosovës? Pse, kjo po ndodh kur ky popull kishte arrit të tejkalojë edhe sfida më të rënda, sidomos tentim zhbërjen e vitit 1999 nga pushtuesi serb? Pse po ikin kosovarët nga vendi që kishin përjetuar shumë tmerre, masakra, tragjedi, spastrim etnik dhe gjenocid, sa që u deshtë edhe intervenim ndërkombëtar i NATO-së që t’i shpëtohen nga shfarosja? Nga kush, ata po ikin? Kush është fajtor për gjendjen e krijuar e rënduar ekonomike në Kosovë? Pse kishte ndodhur një shkatërrim ekonomik i këtij vendi? Pse, kryesisht të rinjtë po largohen? A janë fajtorë këstet politike për këtë gjendje të paperspektivë, sidomos për të rinjtë? A është fut Kosova në një qorrsokak të ri dhe të pashpresë? Cila është rruga daljes nga kjo krizë dhe zgjidhjes së problemit të tyre përfundimtar? Këto dhe shumë dilema tjera të shfaqura rreth Kosovës kërkojnë një trajtim të vërtet në mënyrë që kjo shoqëri të tejkalojë këtë gjendje të rëndë.

***

Shqiptarët në lëkurën e tyre kishin përjetuar disa eksode dhe ndjekje, bile edhe atë krejt me programe shtetërore duke filluar nga “Neçertania”, nga viti 1878 nga vendbanimet e tyre të lashta të Toplicës, Nishit, Leskocit, Vranjës, Kurshumlisë, Velika Pllanës e deri te eksodi i vitit 1945 dhe 1956 për në Andoll të Turqisë. Më pastaj, në vitin 1990 nga regjimi i Slobodan Milosheviqit, i cili i kishte përndjekur, së pari nga puna dhe më vonë i kishte përzënë jashtë Kosovës. Më tej, ky dëbim kishte vazhduar në vitin 1999, gjatë luftës së fundit, të cilin regjimi serb i kishte ndjekur rreth 1 milionë kosovarë nga vatrat e tyre. Të gjitha këto eksode kishin të njohur një shkaktarë, regjimet shtypëse serbo-sllave, të cilët ishin armiqtë, përndjekësit dhe zaptuesit e tokave të tyre dhe për këtë qëllim ata ndiqeshin. Përkundër të gjitha këtyre zullumeve dhe ndjekjeve, për fat të mirë shqiptarët kishin arrit të mbijetonin dhe i kishin shpëtuar shfarosjes shtetërore të Serbisë. Sepse, ata i mbante gjallë një shpresë e madhe, një ditë do të jetojnë të lirë dhe të pavarur në tokat e tyre të lashta. Por, jo vetëm kaq, një ditë ata do të arrijnë të ndërtojnë një shtet të lirë, të drejtë, ku rendi, ligji, zhvillimi ekonomik dhe e tërë struktura tjetër shoqërore do të ishin në shërbim të shumicës së qytetarëve të saj dhe jo vetëm për ta. Kjo shpresë nuk ishte venitur kurrë, përkundër stuhive të ndryshme të përjetuara të kohërave.

***

Tani, kur ky popull pas një rikthimi dhe ringjallje të vitit 1999 dhe largimin e pushtuesit sllav nga Kosova ishte një popull me optimizmin më të madh ndër popujt e rajonit. Por ky optimizëm u venit vetëm 15 vjet më pas në shkallën në të cilën nuk kishin guxuar të mendonin as pesimistët më zëshëm. Të mendosh pas kaq vitesh lirie të Kosovës se një pjesë e madhe e këtij populli do të jetojë në varfëri të dukshme nuk kishte menduar askush, përkundër resurseve të shumta ekonomike. Zbehja e dinjitetit kombëtar dhe humbja e shpresës për një të ardhme më të mirë kishte ndikuar që ky popull të përjetojë një zhgënjim kolektiv që askush nuk e kishte pritur në këtë vend. Padyshim, se gjendja e rëndë ekonomike është faktori kryesor i një depresioni ekonomik dhe thyerje të tillë shpirtërore, sepse tashmë kishte kaluar një kohë bukur e mirë dhe Kosova nuk po gjente rrugën e tejkalimit të problemeve të saj zhvillimit të duhur ekonomik.

***

Që nga fillimi i Kosovës së re politika vendore, por edha ajo ndërkombëtare nuk ishin marrë seriozisht me zhvillimin ekonomik të vendit. Të huajt së bashku me shumë vendorë tërë fokusin e vëmendjes së tyre e kishin në përfitime personale e grupore dhe jo në zhvillimin e projekteve të rëndësishme kombëtare. Nëpër të gjitha Kompanitë vendore ku menaxhimi ishte nga të huajt kishin krijuar servil vendorë të cilët plotësisht ndanin interesat e tyre. Ky menaxhim kishte arritur të krijojë edhe pasojat e veta duke shkatërruar shumë firma shtetërore që në kohët e hershme ishin produktive dhe punësonin shumë njerëz. Shumë të huaj, këtu në Kosovë shpërlanin fitimet e tyre, ndërsa administrata ndërkombëtare u shërbente vetëm si mbulesë e tyre. Krejt kjo lojë zhvillohej në kurriz të Kosovës dhe qytetarëve të saj, sepse ata ishin humbësit kryesorë. Si të mund të shpjegohet kjo që një i punësuar në UNMIK të ketë rrogë 1000 e më shumë euro, ndërsa një i punësuar në institucionet e Kosovës të marrë vetëm 150-200 euro rrogë? Si të shpjegohet fakti se një pensionist kosovar merr vetëm 70 euro, ndërsa vetëm për ilaçe dhe shërbime komunale nuk i mjaftojnë? A nuk është ky një shembull drastik i një administrimi diskriminues dhe të padrejtë? Si mund të shpjegohet që nëpër të gjitha institucionet ndërkombëtare në Kosovë raporti i rrogës të jetë 1 me 10’të? Duke mos u futur më thellë në analizën e administrimit ndërkombëtar, sepse kjo është një temë shumë e gjerë, por mund të konstatojmë se ky administrim i pari ka e nisur misionin që Kosova të shndërrohet në një shoqëri të padrejtë dhe të pabarabartë. Tashti, kur Kosova është futur në një depresion kolektiv dhe po përballet me një kolaps ekonomik shumë njerëz shtrojnë dilemat e tyre se vërtet UNMIK-u a kishte ardhur të ndihmonte dhe të ishte në shërbim të kësaj shoqërie, apo kishte një mision djallëzor në Kosovë?

***

Për këtë gjendje të rënduar shoqërore dhe ekonomike të Kosovës, padyshim se një pjesë të madhe e ka edhe vetë faktori politik i këtij vendi, i cili që nga fillimi i formimeve të partive politike në objektiv të vetin kishte vetëm synimet individuale të liderëve të tyre dhe grupeve të ndryshme të ngushta. Këto parti më shumë u morën me interesa meskine se me ndonjë projekt të rëndësishëm kombëtar, përjashto ndonjërin prej tyre.

Liderët e këtyre partive më shumë u shndërruar në servile të shërbimeve partiake, por edhe të shërbimeve të huaja se në shërbim të kërkesave dhe nevojave të popullit.

Këto këste politike së bashku me personalitete të huaja duke ndarë interesat e tyre dhe duke anashkaluar interesat e përgjithshme të popullit kishin ndikuar në vështirësimin e jetës së tyre. Shitja e një numri të madh të Kompanive të Kosovës dhe ndarja e profitit me njerëz me ndikim ndërkombëtar kishte ndikuar në zhbërjen e potencialeve ekonomike dhe papunësinë e njerëzve.

Këstet politike të këtij vendi filluan të bëhen zhvatëse kryesor të pasurisë së këtij vendi. Janë harxhuar miliona të shumtë kinse për projekte rrugore, apo infrastrukturore, të cilat më vonë lehtë shkatërroheshin, kurse nga këto tenderë të shpallur zhvateshin përqindje të konsiderueshme për ta. Këto këste, si në pozitë dhe opozitë ishin bashkëpjesëmarrëse të aferave të ndryshme korruptive, çka më vonë disa prej tyre kishin rezultuar edhe me ndjekje penale. Kjo klasë politike në vend që të ndërtojë një hierarki të mirëfilltë shtetërore kishte arrit që nëpër shumë struktura dhe institucione të shteti të fut njerëz me ndikime partiake, të paaftë dhe të papërgatitur për përgjegjësi shtetërore. Këto këste politike janë bashkëpërgjegjëse për krijimin e kaosit institucional të shtetit.

***

Si produkt i këtij kaosi të përgjithshëm shoqëror, sot kemi një ekonomi të pazhvilluar me rreth 50 për qind të papunësuar, prej tyre shumica të rinj. Kjo shifër përmendet nëpër disa raporte zyrtare, por nuk mund të llogaritet si e saktë për shkak se numri i të rinjve në këtë vend është shumë i madh. Vetëm shkollën fillore gjatë një viti në Kosovë e kryejnë rreth 100 mijë nxënës, ndërsa të mesmen rreth 50 mijë dhe nëpër studime vazhdojnë të shkojnë mbi 10 mijë sish. Sot, disa raporte tregojnë se për çdo vit në tregun e Kosovës dalin të aftë për punë prej 30-40 mijë të rinj. Atëherë, ky fakt alarmant mund të tregoj se shumica e tyre përfundojnë ose në shtëpi, ose në rrugë pa ndonjë projekt për punësim, sepse ky shtet nuk ka vënë themele të shëndosha së pari në shkollimin e tyre sipas tregut dhe nevojës, por shkollimi dhe arsimi janë zhvilluar vetëm si segmente fakultative. Në këtë vend një pjesë e elitës së ashtuquajtur “intelektuale” janë të korruptuar, sa që nuk mërziten fare për perspektivën e të rinjve, por shikojnë vetëm interesin e tyre individual. Ata kanë zënë vende pune nëpër institucione publike dhe ato i kanë shndërruar në servise të tyre private.

***

Në organizimin e kësaj ikje të kosovarëve nga vendi i tyre, padyshim se kanë faj edhe institucionet e ndryshme ndërkombëtare të cilat shumë pak kanë investuar, sidomos në aspektin ekonomik të këtij vendi. Sistemi bankar i këtij vendi është shumë i komplikuar dhe me kamata më të larta në rajon. Bizneseve private ua kanë zënë frymën dhe shumë prej tyre janë mbyllur. Fakti se këto vende evropiane ku po shkojnë kosovarët kanë qëndrime indiferente dhe nuk kishin penguar ikjen e tyre tregon se ka një “miratim” të tyre, ndryshe nuk do të ishte e mundur një dyndje kaq e shpejt dhe masovike. Këto shtete në fund të fundit kanë llogarinë e tyre, sidomos kur kihet parasysh nevoja e tyre për rigjenerim të energjisë së re punuese. Këto shtete për fat të keq, këtë fatkeqësi janë duke e shfrytëzuar për nevoja të tyre.

***

Zgjidhja e këtij problemi është në hartimin urgjent të një plani të shpejt dhe afatmesëm ekonomik për ndaljen, përkatësisht zbutjen e kësaj dukurie. Qeveria e Kosovës në agjendën e saj, urgjent duhet të krijojë një Fond special për rigjenerim të vendeve të reja të punës, për investime të vogla dhe të mesme, por edhe për reforma rrënjësore duke filluar nga arsimi, shëndetësia, sigurimi shëndetësor, pensional, etj. Përmirësimi i kësaj gjendjeje të rëndë do të ndikonte në ndaljen e këtij migrimi dhe këtu nuk ka hezitim, duhet të hedhen hapat e parë.

Ndërsa, hap i dytë është zgjidhja politike, me ç’rast këstet politike të këtij vendi duhet haptas të theksojnë se formula e Ahtisarit për Kosovën nuk është duke funksionuar, andaj ata e kanë për detyrë t’ia bëjnë me dije edhe faktorit ndërkombëtar se ka ardhur koha kur duhet rishikuar pozicionin politik të këtij vendi. Ky vend duhet të dal nga ky udhëkryq politik dhe të kërkoj një riorganizim të rij politik dhe ekonomik në mes Kosovës dhe Shqipërisë, formulë e cila do të mundësonte që ky popull të ketë resurse edhe më të madhe shoqërore dhe ekonomike, sigurisht se do të dinte dhe do të mundte më shpejt t’i tejkalojë këto probleme.

Ndryshe, Evropa dhe të tjerët do të jenë të detyruar që edhe për një kohë të bartin barrën e këtyre problemeve, sepse ende nuk janë në gjendje të kuptojnë se pa një bashkim të këtyre interesave në mes Shqipërisë dhe Kosovës, por edhe të ndihmave ndërkombëtare do të ishte vështirë një tejkalim i këtyre problemeve. Integrimi ndërshqiptar dhe më pas ai evropian janë dy digë shumë të forta që përfundimisht do të ndalin jo vetëm eksodin e kosovarëve, por edhe të kombeve tjera, sepse rajoni i Ballkani ka nevojë të madhe. Ky plan do të ishte një zgjidhje afatgjate dhe stabilizuese për shoqëritë demokratike dhe të zhvilluara, synim çfarë është i gjithë rajonit, por edhe Evropës.    

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2022 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress