Home » Opinione » Opinion: Tragjedia e Tiranës-alarmi i fundit kundër krimit dhe reformave në drejtësi

Opinion: Tragjedia e Tiranës-alarmi i fundit kundër krimit dhe reformave në drejtësi

Fehmi RamadaniFehmi Ramadani

 

 

***

Tragjedia e Tiranës me ç’rast ishin vrarë 4 persona në një lokal nate nga një i ri shqiptar, për fat të keq nga djali i deputetes socialiste Luiza Xhuvani, sërish ka nxjerr në shesh dobësinë e shtetit dhe shoqërisë shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar. Kjo shoqëri është duke vuajtur pasojat e së kaluarës, por edhe të tanishmes, sepse lufta kundrejt kësaj të keqe asnjëherë nuk ishte marrë seriozisht dhe nuk kishte shkuar deri në fund, përkundër disa përpjekjeve të herëpashershme. Fatkeqësisht, këto akte të rënda shpesh nga politika dinë të keqpërdoren dhe manipulohen për interesa të tyre, sa që nganjëherë të bëjnë përshtypjen se dëshirojnë me çdo kusht edhe destabilizimin e shtetit.

Përvojat politike kanë treguar se shumë liderë politik gjatë krizave të ndryshme kanë fituar, apo humbur mbështetjen e publikut në vendet e tyre. Tragjedia e fundit në Tiranë, padyshim se të detyron të mendosh më thellë mbi impaktin e saj publik dhe shtetëror.

Të kujtojmë vetëm ngjarjet e 11 shtatorit 2001 në SHBA, kur presidenti Bush kishte dal më i fortë duke fituar mbështetjen më të lartë të publikut amerikan. Po ashtu, edhe kryebashkiakun e Njujorkut Blumberger këto ngjarje e kishin nxjerrë si një hero për mënyrën dhe efikasitetin e menaxhimit të kësaj krize. Rasti tjetër i kancelarit Gerhard Shreder në Gjermani, i cili pas një fatkeqësi natyrore kishte marrë mbështetjen absolute të publikut gjerman. Por, në rastin e kundër, edhe shumë liderë politik janë ndëshkuar për mënyrën jo të duhur të menaxhimit ndaj krizave dhe tragjedive në vendet e tyre. Rasti i udhëheqësit spanjoll Aznar, për tragjedinë e Madridit, me ç’rast kishin humbur jetën mbi 200 persona, pastaj të ministrit të Mbrojtjes së SHBA-ve Donald Ramsfeld, drejtorit të CIA-së David Petreaesus për disa gabime në konfliktin e Irakut, por edhe të shumë personaliteteve tjera politike, të cilët ishin detyruar të japin dorëheqje dhe të largohen nga jeta publike.

***

Për fat të keq, tragjedia e Tiranës, sërish kishte nxjerr në pah kundërshtitë e thella të politikës shqiptare, e cila në vend që të bashkohet në Frontin e përbashkët kundër kësaj të keqe shoqërore, ajo nuk po tregon nivelin e pjekurisë së duhur demokratike. Fjala është pikërisht për spektrin politik të opozitës shqiptare, e cila karshi kësaj tragjedie menjëherë kishte ngritur akuza të rënda në drejtim të qeverisë dhe shtetit shqiptar duke mos marrë në konsideratë veprimin e shtetit. Këto forca, në vend që t’i bashkoheshin luftës së përbashkët kombëtare kundër këtij krimi, sepse kishin humbur jetën tre djem të rinj shqiptar dhe një i huaj dhe jo menjëherë të nxirret shteti shqiptarë në bankën e akuzave, kur dihet se po këta ishin në pushtet një kohë të gjatë në Shqipëri dhe nuk kishin bërë sa duhet në këtë drejtim. Kjo tragjedi nuk duhet të keqpërdoret për interesa të ngushta partiake e politike dhe të trajtohet si vepër e njerëzve të qeverisë dhe shtetit shqiptar, përkundër faktit se autori i këtij krimi ishte djali i një deputeteje socialiste. Një opozitë serioze dhe e përgjegjshme, padyshim se nuk do të duhet të lëshohet në këto akuza të rënda, sepse në fund vetë kësaj do t’i  krijonte telashe në kredibilitetin e saj politik.

***

Sulmet, akuzat dhe mosndjesia e momentit shumë të rëndë ndaj kësaj tragjedie, lidershipit të opozitës shqiptare nuk do t’i sjellin përfitime politike, por përkundrazi do t’i sjellin dëme. Këta udhëheqës opozitar duhet të ndryshojnë qasje ndaj ngjarjeve të tilla tragjike, ndryshe nuk do të kenë mbështetjen e publikut shqiptarë. Ky lidership opozitar, përfundimisht duhet të lirohet nga teoritë e vjetra se sa më keq për shtetin dhe pushtetin, aq më mirë për ta dhe të tjerët, sepse atëherë kjo formulë nuk do të funksiononte karshi vetëdijes së ngritur politike të shqiptarëve. Shqiptarët, tashmë kanë një zhvillim dhe pjekuri më të shtuar politike e demokratike dhe nuk do të bien pre e skemave të së kaluarës, të ripërsëritjes së krizave të panevojshme politike. Kjo nuk nënkupton, për asnjë çast dobësitë e shtetit shqiptar në luftë kundër krimit, korrupsionit dhe anomalive të ndryshme shoqërore, sepse barra kryesore bie mbi shtetin, por ky krim nuk bënë të manipulohet. Tashmë, dihet botërisht se shteti shqiptar ende po vuan fazën e tranzicionit dhe reformave të ndryshme në të gjitha sferat e saj, por nuk mund të mohohet qasja më serioze ndaj problemeve të kësaj shoqërie. Qeveria e tanishme ka nis një rrugë të mbarë në zgjidhjen e problemeve të grumbulluar me vite dhe dekada. Shtetit shqiptarë i duhet një çikës kohë, por edhe ndihma e gjithanshme nga gjithë faktorët relevantë kombëtar dhe të huaj në përballimin e këtyre problemeve. Të gjitha mekanizmat e vendit duhet t’i bashkohen dhe të japin kontributin e tyre. Nuk duhet të ketë përçarje, ndasi, konfrontime dhe bojkotim ndaj shtetit shqiptar, siç po ndodh me partitë opozitare duke mos marrë pjesë edhe në parlamentin shqiptar. Konfrontimi, akuzat e ndërsjella, bojkoti, apo kjo qasje politike e konfrontimit duhet të përfundojë njëherë e përgjithmonë dhe të kontribuohet bashkërisht ndaj së keqes së përbashkët shoqërore në Shqipëri dhe gjetiu.

***

Mirëpo, nga kjo tragjedi, për veç anës së saj negative ishin nxjerr disa mësime të dobishme për politikën shqiptare, sidomos mobilizimi i qeverisë dhe shtetit shqiptar karshi kësaj ngjarje. Pas kësaj ngjarjeje, kryeministri Edi Rama, menjëherë duke mos hezituar për asnjë moment kishte marrë masa të duhura në zbardhjen e autorit të krimit, i cili ishte djali i deputetes socialiste Luiza Xhuvani, një familjeje artistësh dhe kontributdhënës të çështjes shqiptare. Përkundër këtij fakti, ky nuk u lëkundë asnjë moment duke treguar cilës të një lidershipi të përgjegjshëm. Ai së bashku me deputeten socialiste kishin shfaqur forcën dhe guximin të gjykonin krimin dhe njëherësh ndanin ngushëllimin më të thellë me familjet e të vrarëve. Ndërsa, në anën tjetër, akti i Luiza Xhuvanit, si një nënë shqiptare, një grua me një intelekt të shquar, një figurë me vlera të larta publike dhe deputete me një autoritet të madh në zonën e Sarandës, e cila kishte dhënë dorëheqje nga pozita e deputetes për t’u tërhequr nga jeta politike dhe përgjithmonë për të ndarë vuajtjen ndaj këtij krimi, padyshim se të krijonte emocione të papërmbajtshme. Ajo, për asnjë çast nuk hoqi dorë nga vetëdija e saj e lartë shtetërore duke kërkuar drejtësi për këtë krim, edhe pse autori i krimit ishte i biri i saj dhe ishte gjaku i saj.

Ky akt i lartë i përgjegjësisë individuale në politikën shqiptare, për fat të keq gjatë së kaluarës nuk ishte dukuri jo aq e shprehur. Kjo ndjesi e përgjegjësisë publike duhet të konsiderohet si një mësim i madh për politikën, demokracinë dhe shoqërinë shqiptare. Ky rast do të duhet të shfrytëzohet si mësim i fundit nga shteti, por edhe nga të gjithë faktorët relevantë të shoqërisë shqiptarë, që krimi, korrupsioni dhe reformat në shoqërinë shqiptare duhet të jenë objektiv e përhershme dhe i pandërprerë i përpjekjeve të tyre. Kjo shoqëri, përfundimisht duhet t’i trajtojë të gjithë qytetarët e saj njësoj dhe të barabartë në të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre para ligjit. Dhe, vetëm kështu mund të arrihet qëllimi i një shoqërie më të zhvilluar dhe me vlera më të avancuara shoqërore, por edhe inkorporomi i saj në vlerat evropiane.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress