Home » Opinione » Opinion – Zgjedhjet e reja, si opsion real në tejkalimin e krizës politike në Kosovë

Opinion – Zgjedhjet e reja, si opsion real në tejkalimin e krizës politike në Kosovë

Fehmi RamadaniFehmi Ramadani

 

Mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme jo vetëm që është një domosdoshmëri e kohës, por edhe opsioni më real i mundshëm për daljen nga ngërçi politik, por edhe për një reformatizim të ri i të gjitha subjekteve politike, i cili është më se i nevojshëm në Kosovë.

Edhe pse kanë kaluar mbi katër muaj kur janë mbajtur zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë, por për shkak të krizës së krijuar ndërmjet subjekteve politike nuk ka një kompromis për formimin e institucioneve të reja të dala nga vullnetit i popullit të 8 qershorit 2014.

Të kujtojmë se këto zgjedhje janë konsideruar ndër më të lirat dhe më demokratike që janë mbajtur në Kosovën e pasluftës. Në këto zgjedhje kishin marrë pjesë shumë subjekte politike të vendit, ndërsa Koalicioni rreth “Misionit të Ri” kishte dal fitues me rreth 32 për qind duke mundur LDK-në, si partinë e dytë me mbi 5 për qind më shumë votues. Ndërsa partitë tjera kishin arritur rezultate solide, por ishin të mirëpritura në begatimin e skemës demokratike të vendit.

PDK-ja në krye me udhëheqësin e saj z.Hashim Thaçin, kryeministrin aktual dhe Koalicioni PDK-PD-LB-PSHDK dhe PK, subjekte rreth “Misionit të Ri”, padyshim se ishin fituesit e këtyre zgjedhjeve dhe sipas Kushtetutës së Kosovës u takonte t’i formonte institucionet e reja. Derisa, lidershipi i këtij Koalicioni ishte duke i pritur konfirmimet zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve, në anën tjetër, vetëm brenda 24 orëve humbësit e këtyre zgjedhjeve, përkatësisht partitë e vogla si: AAK-NISMA-LDK dhe më vonë VV kishin arritur të bëjnë një marrëveshje “urgjente” për ta “larguar” sa më shpejt “Qeverinë Thaçi”, në formë të një puçi dhe të vijnë në pushtet duke mos respektuar as rezultatet e zgjedhjeve, as Kushtetutën e vendit.

Koalicion i ashtuquajtur “VLAN”, i formuar pas zgjedhjeve kishte ardhur vetëm si rezultat i një inercioni politik, por edhe për disa interesa të ngushta të lidershipit të tyre dhe jo për ndonjë program më ndryshe politik (ndonjë projekti të rëndësishëm ekonomik, hapjen e vendeve të punës, apo të ndonjë projekti social, etj) në Kosovë. Shpejtësia me të cilën ishte arrit marrëveshja ndërmjet tyre kishte befasuar të gjithë analistët politik në vend dhe jashtë. Në historinë e teorisë politike shqiptare nuk mbahet mend për një marrëveshje kaq të shpejt në mes forcave politike shqiptare, kur dihet se sa të vështira janë marrëveshjet ndërshqiptare.

Isa Mustafa, një lider i së kaluarës komuniste, pas dështimit të një pas njëshëm, së pari për kryetar të Prishtinës dhe më vonë për kandidat për kryeministër ishte kryeprotagonisti i kësaj loje politike. Ai përkundër premtimeve ndaj zgjedhësve të tij se për asnjë çmim nuk do të bënte pazar për pozitën e kryeministrit, ndërsa hiç më shumë se një ditë e kishte bërë këtë veprim duke u “rënë” në gjunjë Ramush Haradinit dhe Fatmirës Limës për ta pranuar në Bllokun e tyre opozitar me të vetmen kërkesë që ta bëjnë Kryetar Parlamenti. Ky veprim politik ishte bërë kryekëput vetëm për interesin e tij personal, për mosdhënie llogari për disfatën e tij që kishte pësuar në këto zgjedhje. Kjo ishte një fyerje e rëndë, si ndaj anëtarëve të LDK-së që e kishin votuar anekënd Kosovës, por edhe ndaj lidershipit të saj, të cilët kishin pritur fitore në zgjedhje, por që kishin dal me humbje. Të drejtën e gjykimit ndaj këtij veprimi e kanë kryesisht anëtarësia e LDK-së, por edhe lidershipi i saj. Veprimet e udhëheqësit të tyre le të mbeten në ndërgjegjen e tyre! Përkundër disa pakënaqësive individuale, ky subjekt politik nuk ka arritur një pjekuri të duhur demokratike dhe deri më tani nuk ka dhënë ndonjë argument se është e gatshme të marrë përgjegjësi për sfidat që po përballet Kosova. Lidershipi i kësaj partia asnjëherë nuk ka treguar aftësinë dhe guximin të merret drejtpërdrejt me problemet e Kosovës, por gjithnjë është fshehur nën hijen e të tjerëve, sikurse rasti në fjalë, kur postin e kryeministrit ia kishte dhuruar një partie tjetër. Këto veprime jodemokratike të një udhëheqësi të papërgjegjshëm, padyshim se duhet gjykuar anëtarësia e saj.

Ndërsa, tre liderët tjerë, të cilët tashmë u janë të njohur skemës politike në Kosovë, përjashto udhëheqësit e pakicave nacionale, jo që nuk kishin arritur të fitojnë, por mezi kishin arritur të kalojnë pragun prej 5 për qindëshit si kusht për futje në Parlament. Ramush Haradini, si udhëheqës i AAK-së nuk kishte arrit rezultatin e duhur, jo për ndonjë arsye tjetër, por për shkak të mungesës së vizionit dhe një programi serioz për ta votuar. Ky komandant lokal i luftës në Zonën e Dukagjinit, më vonë i transformuar në politikan kishte ambicie të mëdha të fitonte këto zgjedhje. 100 ditshi i qeverisjes së tij, para se të shkonte në Hagë u dukej si model i mirë i qeverisjes. Por, më vonë stafi i tij qeverisës ishte shndërruar në stafin më të korruptuar që njihte Kosova deri më tani. Kapacitetet intelektuale dhe njerëzore që ka kjo parti nuk mjaftojnë për qeverisje të vendit, sepse Kosova ka nevojë për më shumë burime të këtyre kapaciteteve intelektuale dhe njerëzore.

“NISMA” e Fatmir Limës dhe Jakup Krasniqit, këta dy politikan, tashmë të dalë nga PDK-ja kishin arritur të kalojnë pragun zgjedhor prej 5 për qind dhe të futen në Parlamentin e Republikës së Kosovës. Mirëpo, inercioni politik që kishin përdorur ndaj ish-partisë së tyre kishte ndikuar në krijimin e krizës politike. Edhe pse kontributi i tyre në PDK ishte i konsiderueshëm, ata kishin zgjedhur rrugën e tyre dhe të krijohet përshtypja sikur po vepronin sikur ajo vjehrra e cila ishte në sherr me nusen e vet dhe thoshte se për inat të nuses më vdektë djali. Veprimet e tyre politike në mbështetje të Bllokmenëve me qëllim të largimit të Hashim Thaçit nga qeverisja e vendit nuk mund të justifikohen në asnjë formë. Mbështetja e tyre ndaj Isa Mustafës një ish-komunisti dhe përfaqësuesi të Kabinetit të Rrahman Morinës është akti i ultë i këtij veprimi politik. Kjo le të mbetet në ndërgjegjen e tyre, por edhe të votuesve të cilët iu kishin dhënë besimin.

Në anën tjetër, Vetëvendosja e Albin Kurtit duke i parë këto lojëra e kishte shfrytëzuar momentin të imponohet si faktor i rëndësishëm, përkundër rezultateve jo të kënaqshme në zgjedhje. Edhe ajo iu kishte bashkuar Bllokmenëve me të vetmin qëllim për largimin e “Qeverisë Thaçi”, sepse sipas logjikës së tyre Hashim Thaçi trajtohet si “arrë e fortë” në politikë, ndërsa me këta të tjerët do të manipulohet më lehtë dhe kështu llogaritnin ardhjen e mëvonshme të tyre në pushtet. Edhe Kurti kishte shkelur mbi shumë premtime të VV-së që kishte ndaj votuesve të vet duke iu bashkuar Bllokmenëve dhe tashmë ka vënë në dilemë kredibilitetin e tij moral.

Koalicioni PDK-PD-LB-PSHDK dhe PK, ndryshe Koalicioni i “Misionit të Ri” i udhëhequr nga Hashim Thaçi, sipas shumë analistëve jo vetëm që kishte një program shumë të mirë për joshjen e votuesve dhe mbështetjen e tyre, por ishte një program shumë më i avancuar në krahasim me partitë tjera. Programi i tij për zhvillim dhe punësim ishte më i mirë për votuesit në Kosovë. Për këtë qëllim shumica e votuesve të vendit ia kishin dhënë besimin dhe kjo kishte dal forcë e parë politike. Besimi i dhënë nga elektorati shumicë i Kosovës e kishte obliguar edhe njëherë z.Hashim Thaçin që të marrë përgjegjësinë e formimit të institucioneve të reja të vendit. Sipas një logjike të shëndosh dhe demokratike del se subjekti që del i pari në zgjedhje është në përparësi të formojë institucionet. Atëherë, nëse nuk është kështu, shtrohet pyetja pse duhet fituar në zgjedhje, kur më lehtë është të kesh një parti të vogël, të bësh pazare dhe të futesh në qeveri, apo edhe të bëhesh kryeministër? Pazarin të cilin e kishin bërë këto parti të vogla nuk e kishin nxjerrë llogarinë e duhur. Bllokmenët të etur për pushtet kishin harruar se politika nuk është qejf, interes personal, apo edhe ndonjë dëshirë tjetër.

Bllokmenët kishin shkuar edhe më larg duke zgjedhur Isa Mustafën për Kryetar Parlamenti, por që më vonë Gjykata Kushtetuese e Kosovës e kishte hedh këtë vendim si të padrejtë dhe duke ia njohur këtë të drejtë vetëm PDK-së, partisë fituese. Sipas Gjykatës Kushtetuese vetëm Koalicioni rreth “Misionit të Ri” ka të drejtë të propozoj dhe të zgjedh kryetarin e ri të Parlament, pra kuptohet me marrëveshje dhe në asnjë mënyrë tjetër.

 

Në sytë e opinionit, Bllokmenët po shihen si përgjegjësit kryesor të krijimit të bllokadës politike në Kosovë. Këtë qëllim tashmë e ka kuptuar edhe faktori ndërkombëtar dhe nuk i ka mbështet në asnjë mënyrë. Bllokmenët më vonë do të binden se politika e tyre jo vetëm që është e gabueshme, por është mjaftë e dëmshme dhe kushtueshme për vendin.

Nëse Bllokmenët nuk ndërrojnë qasje dhe nuk kuptojnë se pa një marrëveshje të përbashkët politike Kosova nuk mund të dal nga kriza, atëherë nuk mbetet rrugë tjetër për veç mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Edhe pse nuk janë dëshirë e preferuar, por vox populi: ”Kur s’ka shi bënë edhe breshër”. Mbajtja e zgjedhje të jashtëzakonshme do të jetë e domosdoshme dhe kjo do të mundësonte që votuesit sërish të zgjedhin të preferuarit e tyre politik. Votuesit do të jenë ata që do të përcaktojnë edhe njëherë se vërtet kush kishte të drejtë në themelimin e institucioneve të Kosovës, por këto zgjedhje do të shërbejnë edhe për freskimin dhe reformimin e të gjitha subjekteve politike duke zgjedhur njerëz t rinj, të aftë dhe ambicioz, të cilët në agjendën e tyre kanë zgjidhjen e problemeve publike, dhe kurrsesi për interesa personale dhe grupeve të ngushta. Prandaj, shkuarja në zgjedhje do të ishte jo vetëm domosdoshmëri e kohës, por edhe opsioni më real i mundshëm për daljen nga ky ngërç politik duke pas parasysh edhe reformat e ndryshme që duhet të zhvillohen, sepse këto janë më se të nevojshëm për Kosovën.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress