ORGANIZATA E VETERANËVE TË LUFTËS (OVL) BUJANOC
Me rastin e ftesave në biseda informative të ish pjesëtarëve të UÇPMB-së, nga organet e policisë në Bujanoc, OVL, lëshon këtë:
K U M T E S Ë
OVL, shpreh brengosjen e vet të thellë me rastin e zhvillimor të bisedave informative me ish pjesëtarët e UÇPMB-së, nga ana e organeve të policisë dhe prokuroria publike, duke e konsideruar këtë akt si formë të vazhdueshme të presionit ndaj pjesëtarëve të UÇPMB-së dhe popullatës shqiptare në përgjithësi që po zhvillojnë autoritetet serbe.
Duke gjykuar sjelljen e këtillë të policisë serbe, OVL, kërkon respektimin e plotë të aktit të Amnistisë që ndaj këtyre pjesëtarëve është dhënë më 2001.
OVL konsideron se metodat e këtilla të frikësimit dhe represionit psikologjik që po zhvillojnë në mënyrë permanente organet serbe, krahas prezencës së vazhdueshme të xhandarmerisë në terren, cenojnë rëndë stabilitetin në këtë komunë dhe paraqesin shkaqet e drejtpërdrejta të largimit të të rinjve shqiptarë nga Bujanoci, akt që po ndodh me vite.
Me këtë rast, kërkojmë nga autoritetet policore të ndërprenë këtë formë të presionit dhe dhunës psikologjike ndaj të rinjve shqiptarë duke e konsideruar atë si cenim i rëndë i të drejtave të individit dhe shkelje të konventave ndërkombëtare.
OVL, do të njoftojë edhe autoritetet ndërkombëtare për këtë formë të dhunës psikologjike që policia serbe po e zhvillon ndaj të rinjve shqiptarë, posaçërisht, për faktin e hetimit të periudhës e cila është përfshirë në aktin e Amnistisë më 2001.
Bujanoc, 16 dhjetor 2011
OVL – Bujanoc
Kryetar: Edmond Isufi