Pacolli, Kurtit: Kosova u ndërtua me mund dhe sakrifica, veprimet tuaja po e dëmtojnë Kosovën
Kryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli i ka shkruar një letër publike kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit.
Këtë letër Pacolli ia ka dërguar Kurtit pasi Bashkimi Evropian ka vendosur masa kundër Kosovës për shkak të situatës në veri të vendit.
Në letrën e Pacollit drejtuar Kurtit gjendet një kronologji për karrierën politike të Kurtit që deputeti opozitar në Kuvendin e Kosovës, thotë të jetë ngritur “mbi gënjeshtra e populizëm”.
Pacolli ka shkruar në letër se themelet e shtetit të Kosovës janë politika e presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova, lufta e UÇK-së dhe partneriteti me SHBA-të.
”Shtyllat e pavarësisë së Kosovës janë Lëvizja Paqësore e Presidentit Rugova, Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe partneriteti me SHBA-në dhe botën perëndimore të ndërtuar mbi vullnetin e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi. Këto tre shtylla janë nën kërcënim dhe sulm të vazhdueshëm nga partia dhe qeveria juaj. Ju ishit kundër këtyre shtyllave në 3 dekadat e fundit, por tani me kosto pasi jeni në karrigen drejtuese të vendit. Ne po kalojmë këtë fruth populist dhe autokratik si shumë shoqëri, por dallimi ynë është se ne nuk jemi ende plotësisht pjesë e sistemit ndërkombëtar dhe kemi nevojë për bashkëpunim të brendshëm dhe ndërkombëtar. Ju sugjeroj të konsultoheni me njerëz që kanë qenë pjesë e luftës sonë për liri e pavarësi dhe rrugëtimit drejt shtetndërtimit. Largohuni nga grupet anti-perëndimore dhe anti-historike që e shohin Kosovën si një eksperiment politik. Nuk kemi as luksin dhe as kohën të bëjmë eksperimente në kurriz të shtetit dhe historisë”, ka shkruar Pacolli.
Mbi këtë, Pacolli i ka kërkuar Kurtit që të largohet nga grupet anti-perëndimorë që sipas tij janë kundër interesave jetike të vendit.
Ai po ashtu ka shkruar se Qeveria ka dështuar t’i finalizojë njohjet që ia afruar ai.
Average Rating