PASIVIZIMI I ADRESAVE NË PRESHEVË, MEDVEGJË DHE BUJANOC – NJË ÇËSHTJE E PAZGJIDHUR QË KËRKON VËMENDJE NDËRKOMBËTARE
Vështrim dhe hulumtim nga studiuesi Refik Hasani

Çështja e pazgjidhur e Krahinës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, veçanërisht pasivizimi i adresave të qytetarëve shqiptarë, po merr gjithnjë e më shumë vëmendje edhe në mediat ndërkombëtare.
Në këtë kuadër, hulumtimi i studiuesit Refik Hasani, me titull:
„Hulumtim mbi efektet administrative, demografike, politike dhe diskriminuese ndaj shqiptarëve etnikë dhe autoktonë në Serbi“, trajton një nga çështjet më të ndjeshme që prek drejtpërdrejt të drejtat qytetare, identitetin dhe pozitën e shqiptarëve autoktonë në këtë pjesë të Serbisë.
Një vëmendje e veçantë i kushtohet pasojave administrative, demografike dhe politike të pasivizimit të adresave, si dhe ndikimit të tij në jetën e përditshme dhe në ushtrimin e të drejtave themelore të qytetarëve shqiptarë.
Është inkurajuese që kjo çështje po pasqyrohet edhe në shtypin italian.
Gazeta „Rrënjet – Le Radici“, nr. 4, shtator 2026, në faqen 14, i ka kushtuar hapësirë këtij hulumtimi dhe kësaj problematike me rëndësi të veçantë kombëtare dhe ndërkombëtare.
Mirënjohje dhe falënderim i veçantë për redaksinë e gazetës „Rrënjet – Le Radici“ dhe redaktorin, z. Hasan Aliaj, për kontributin në afirmimin e kësaj çështjeje dhe në ndërkombëtarizimin e shqetësimeve lidhur me pasivizimin e adresave, diskriminimin dhe pasojat e tij ndaj shqiptarëve autoktonë në Serbi.
Kjo çështje nuk duhet të mbetet vetëm një shqetësim lokal apo rajonal. Ajo meriton vëmendjen e institucioneve ndërkombëtare, organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të gjithë faktorëve relevantë evropianë e ndërkombëtarë.
Pasivizimi i adresave nuk duhet trajtuar thjesht si një procedurë administrative, por duhet të shqyrtohet edhe përmes efekteve të tij në të drejtat qytetare, përfaqësimin dhe perspektivën demografike të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.
E vërteta duhet të dokumentohet, të publikohet dhe të ndërkombëtarizohet!

Average Rating