Home » Lajme, Opinione » Përse mërgata shqiptare nuk organizon aksione të mëdha humanitare?

Përse mërgata shqiptare nuk organizon aksione të mëdha humanitare?

XHAVIT ÇITAKU1Duke u munduar të gjejë përgjigje në këtë pyetje në mesin e mërgimtarëve tanë, kuptova se shkas kryesor për këtë është keqpërdorimi i Fondit të Trepërqindshit dhe atij “ Vendlindja Thërret”,nga persona përgjegjës të cilët në vend që të gjenden në burg tash sorollaten rrugëve, bizneseve por edhe në institucione shtetërore, duke bërë jetë luksoze me djersën mërgimtare

Shkruan: XHAVIT ÇITAKU

Mërgata shqiptare e shpërndarë në shtete e kontinente të ndryshme ishte njëra ndër mbështetësit kryesor i të gjitha proceseve të rëndësishme që u zhvilluan në Kosovën e okupuar nga regjimi fashist serb, por edhe jashtë saj. Aktivitet më të qartë dhe konkret ata treguan sidomos gjatë viteve të nëntëdhjeta atëherë kur populli kishte nevojë më së shumti, atëherë kur situata ekonomike ishte aq e rëndë sa që pa ndihmën e bashkatdhetarëve tanë vështirë se do të mund të përballohej. Nuk kursyen mund e djersë që t’iu dilet në ballë gjithë atyre kërkesave të shumta që vinin nga Kosova. Forma më e përshtatshme, më e dobishme, por edhe më e besueshme që do të prodhonte rezultate e efekte të mira në gjithë hapësirën kosovare ishte mënyra organizative në vijën shtetërore, kërkesë kjo që doli nga shumë aktivistë dhe veprimtarë të devotshëm të çështjes shqiptare. Së këndejmi,, ndonëse ishte duke vepruar qeveria në ekzil doli propozimi që të formohet një fond i cili do të udhëhiqej dhe do të kontrollohej nga ministria përkatëse e kësaj qeverie, përkatësisht nga Ministria për Ekonomi dhe Financa. Pas shumë bisedave dhe kontakteve të organizuara u mor vendim që të formohet Fondi i Trepërqindshit, i cili u përkrah dhe u mbështet nga shumica e mërgimtarëve tanë. Ishte i njohur edhe krijimi i Fondit të Ahenit në Gjermani , por ai më vonë u shkri në këtë formë tjetër më organizative që filloi punën mbarë.

Grumbullimi i mjeteve në Fondin e Trepërqindshit ishte impozant 

Para se të formohet ky fond vlen të përkujtohet se në shumë shtete u organizua edhe aksioni i ashtuquajtur i Tridhjetpërqindshit, që ishte trilluar kinse për një luftë eventuale që do të mund të fillonte në Kosovë, nga i cili i grumbulluan miliona marka gjermane. Ndërkaq, në fondin e Trepërqindshit, që u zgjerua në të gjitha mjediset ku kishte komunitet shqiptar vazhdoi derdhja e mjeteve për çdo muaj. Thënë konkretisht, bashkatdhetarët tanë ndaninë nga tre përqind të të ardhurave të realizuara në familje, ndërsa nëse nuk ishin të punësuar nga tre përqind të të ardhurave të ndihmave sociale. Rezultatet e arritura në grumbullimin e mjeteve ishin inkurajuese fal angazhimit të madh të anëtarëve të komisioneve, të cilët këtë punë e bënin vullnetarisht. Vullnetarët e këtij Fondi aq mirë e kryenin punën sa që nuk përtonin që të sakrifikojnë edhe shumëçka vetëm e vetëm që populli në Kosovë të mos ndihet i pasigurt për shkak të mungesës së parave. Ashtu siç ishte paraparë me rregullore, anëtarët e komisioneve bënin grumbullimin e mjeteve në ato mjedise ku punonin e jetonin dhe më pastaj ato i derdhnin në llogarinë e Fondit Qendror të shtetit përkatës dhe i vetmi që ishte i autorizuar për t’i  tërhequr ato mjete ishte Kryetari i Komisionit Qendror, i cili ato i dërgonte në xhirollogarinë e qeverisë në ekzil. Për çdo pagesë jepej dëshmia për secilin dhurues të këtyre mjeteve. Vite të tëra këtë obligim atdhetar e kryen mbi 70 për qind e mërgatës shqiptare dhe me të drejt mund të konstatohet se nëse dikush mund të pyet se si duhet atdheu atëherë lë të shijoj kurbetin, i cili hap rrugën e mbarë për të punuar e kontribuar për vendlindjen. Nuk është vetëm pagesa e Trepërqindshit që e karakterizoi zemërgjerësinë e bashkatdhetarëve tanë, por janë edhe shumë e shumë shembuj të tjerë që ata sakrifikuan dhe ndihmuan atdheun. Me një fjalë, ata pos pagesës mujore, organizuan edhe shumë aksione të tjera shtesë sidomos gjatë viteve kur kishte filluar lufta në Kosovë duke e obliguar qeveria në mërgim komunitetin shqiptar në diasporë që për çdo anëtarë të familjes të paguaj nga 100 marka gjermane. Dhe mund të merret me mend se edhe në këto raste u grumbulluan sigurisht mbi 100 milionë marka gjermane. Këto mjete, sipas qeverisë në ekzil, ishin mjete të huazuara nga mërgimtarët, të cilat me pavarësinë e vendit dhe forcimin financiar të shtetit ato do t’iu kthehen. U organizuan edhe aksione tjera humanitare ku u grumbulluan shuma milionëshe për të ndihmuar të sëmuret, ndërtimin e shkollave, të xhamive dhe shumë e shumë raste të tjera që u kërkuan nga mërgata jonë. Bashkatdhetarët tanë në asnjë rast nuk i lanë vetëm as familjen dhe të afërmit e tyre duke iu dërguar vazhdimisht para për të mbijetuar atë gjendje të rëndë që kishte shkaktuar armiku.

Kontribut i madh edhe në Fondin “ Vendlindja thërret”

Me fillimin e luftës në Kosovë u shtrua domosdoja që çlirimtarët të ndihmohen materialisht në mënyrë që liria e synuar të fitohet më shpejt dhe sa më me pak pasoja. Dhe ishin prapë mërgimtarët ata që iu përgjigjën pozitivisht thirrjes për të ndihmuar luftën çlirimtare dhe kësisoj pa ngurrim derdhen mjete të mëdha në Fondin “ Vendlindja thërret” që ishte formuar “ enkas” për këtë qëllim nga LPK-ja. Për dallim nga Fondi i Trepërqindshit ku mjetet derdheshin në xhirollogari, në Fondin “ Vendlindja thërret” parat në të shumtën e rasteve iu dorëzoheshin veprimtarëve të autorizuar dhe më pastaj ato i “ dërgonin” në Fondin qendror. Kjo formë e dhënies kesh të parave ishte aplikuar për shkak se qeveritë e shumë shteteve në fillim nuk lejonin që të “ zyrtalizohet” ndihma për UÇK-në nëse kështu shkurt mund të thuhet. Me shuma të mëdha të grumbulluara, ku nuk kursehej edhe paraja e fundit e bashkatdhetarëve tanë, u bë e mundshme që të sigurohen armë aq të nevojshme për UÇK-në. Pavarësisht se kjo temë e shtjelluar në mënyrë bukur shumë të përgjithësuar nuk ka për qëllim që të flitet për luftën e zhvilluar në Kosovë, doemos do përmendur se shumë mërgimtarë tanë pos ndihmës materiale, lanë jetën “ luksoze” në perëndim dhe ia mësynë vendlindjes dhe së bashku me pjesëtarët e UÇK-së luftuan deri në çlirimin e vendit. Shumë prej tyre dhanë edhe jetën në altarin e lirisë e besa shumë të tjerë u plagosën dhe mbetën edhe pa gjymtyrë të trupit.

Mosmarrëveshjet e pakuptimta e të dy fondeve

Pa asnjë hezitim mund të konstatojmë se mërgata shqiptare ishte aq mirë e organizuar, në rend të parë, se në mesin e saj mbretëronte një entuziazëm, vullnet e krenari  për të ndihmuar atdheun, për të fituar lirinë, për t’i dhënë mbështetje kombit që ishte në rrezik të zhbëhet. Ishte e çuditshme, e pakuptueshme dhe e pafalshme sjellja e përfaqësuesve të të dy fondeve që ia kishin vënë “ lakun në fyt” mërgatës shqiptare duke e shtrënguar për herë e më shumë që të ndaj mjete për këto fonde që kishin të njëjtin qëllim: çlirimin e vendit. Fatbardhësisht, edhe pse komuniteti shqiptar në diasporë kishte obligim të madh për të mbajtur edhe familjet dhe të afërmit në vendlindje, këto “ lojra” të përfaqësuesve të Fondit të trepërqindshit dhe “ Vendlindja thërret” nuk i zmbrapsen, përkundrazi ata me të njëjtin ritëm kryenin edhe obligimin atdhetar e patriotik. Megjithatë, mërgimtarët ishin të zhgënjyer me dallimet që ekzistonin ndërmjet faktorit ushtarak dhe politik të vendit, ndërsa në anën tjetër ishin po këta mërgimtar që ua kishin bërë të mundshëm të funksionojnë të dyja palët. Dhe ç’është edhe më keq për këtë as që pyeteshin ata që i mbanin gjallë këto dy subjekte.

Qindra miliona marka gjermane u “ avulluan” pa dhënë askush përgjegjësi

Fondi i trepërqindshit kishte funksionuar mbi një dekadë dhe shi për këtë në të u grumbulluan qindra milionë marka gjermane, të cilat u menagjuan kryesisht nga Kryeministri i qeverisë në ekzil Bujar Bukoshi dhe Ministri për Ekonomi dhe Financa Isa Mustafa . U grumbulluan aq shumë para sa që patën “ luksin” këta menagjerë të parasë mërgimtare që të hapin edhe Bankën e emërtuar “ Dardania” në Tiranë, për të cilën as sot e kësaj dite nuk dihet se çka u bë me të, apo më mirë më thënë humbi pa gjurmë si e tërë. Po t’i kthehemi edhe njëherë mjeteve qindra milionëshe të derdhura nga djersa dhe mundi i bashkatdhetarëve tanë, të cilët edhe tash shtrojnë pyetjen se çfarë u bë me ato para që me mund e djersë i kishin fituar duke punuar  edhe punë jashtëzakonisht të vështira vetëm e vetëm që të ndihmohet populli në Kosovë dhe lufta çlirimtare. Çuditërisht nga askush ama nga askush nuk ka përgjigje se ku u tretën ato mjete, në xhepin e kujt përfunduan dhe cili ishte ai që fitoi më së shumti në dëm dhe në kurriz të mërgimtarëve tanë. Pas përfundimit të luftës u mbajt edhe mbledhja e parë e Kuvendit të Kosovës ku ishte i pranishëm edhe Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova, ku edhe unë mora pjesë nga mediat, dhe ndër të tjera një kuvendar pati pyetur se çfarë u bë dhe çfarë do të bëhet me mjetet e trepërqindshit, pyetje kjo që iu shtrua direkt Bukoshit. Mirëpo, Bujar Bukoshi as që u “ kuq” të kthej përgjigje dhe kështu kjo temë nga atëherë kaloi në margjina të interesimit, sidomos të organeve më të larta partiake të LDK-së, si bartëse e të gjitha aktiviteteve në këtë drejtim por edhe të organeve shtetërore të Republikës së Kosovës. Me një fjalë, këtu ka vend për përgjegjësi jo vetëm morale por shumë më shumë penale, ngaqë ato para do të duhej të derdheshin në arkën e shtetit e jo të përfundojnë në duart e atyre që ishin përgjegjës që me nikoqirllëk t’i përdorin e t’i shpenzojnë. Do të jetë e pafalshme për këto gjenerata mërgimtare që të mos thirret askush në përgjegjësi dhe që aq keq të përbuzet ajo e mirë e tyre që u dha me vite të tëra.

Edhe përfaqësuesit e “ Vendlindja thërret” keqpërdorën mjetet

Edhe pse nuk kishte jetë të gjatë, Fondi “Vendlindja thërret” arriti që të “ vjel” po ashtu miliona marka gjermane, franga zvicerane e dollar amerikan. Ndonëse nuk mund të krahasohet ky fond me atë të trepërqindshit përkah shuma e mjeteve, megjithatë keqpërdorimi i djersës së punëtorëve tanë ishte bukur shumë i pranishëm, në rend të parë, se në fillim parat dorëzoheshin në duar të katër pesë individëve të Komisionit Qendror të shteteve përkatëse, që nuk “ përtonin” natë e ditë të shkojnë nga një qytet në tjetrin për të marrë parat e grumbulluara nga mërgata shqiptare. Kjo formë e grumbullimit të mjeteve ishte aplikuar për shkak se shtetet perëndimore në fillim nuk e njihnin UÇK-në dhe nuk lejonin që parat të derdhën në bankat e tyre.  Se sa marka e deviza tjera kanë derdhur këta aktivistë në Fondin qendror, që thuhej se ishte në Zvicër, kjo lë të mbetët në nderin dhe moralin e tyre. Pa fije dyshimi mund të thuhet e konstatohet se nderi e morali i shumë prej tyre ishte i kufizuar për shkak të lakmisë që kishin. Edhe këtu ka vend për Prokurorin që të hap rrugë të hetimit ndaj të gjithë atyre që tash nga ato mjete janë bërë multimilioner, që kurrë nuk do t’ia shohin hajrin. Këtë e pret tash e 14 vjet më parë mërgata shqiptare. Ndaj edhe njëherë me anë të këtij shkrimi po i drejtohemi organeve të drejtësisë, policisë e të prokurorisë që të aktivizohen dhe të veprojnë konkretisht aq më shumë për t’iu dalë hakut mërgimtarëve tanë. Dihen përgjegjësit e të dyja fondeve vetëm duhet guxim dhe ndjekje penale për të gjithë ata që keqpërdorën mjetet aq të mëdha të mërgatës shqiptare duke aplikuar ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës dhe pikë.

Njëherë u mashtruan

Duke u nisur nga këto mashtrime që iu bënë bashkatdhetarëve tanë, është për të ardhur keq se më nuk po organizohen aksione të mëdha e aq të nevojshme humanitare që aktualisht i duhen sidomos familjeve të varfëra  që nuk janë të pakta e posaçërisht të atyre që nuk kanë kulm mbi kokë. Kam kontaktuar shumë mërgimtarë në Gjermani, Zvicër e Suedi më të cilët kam biseduar pikërisht për këtë temë të rëndësishme dhe jam munduar që me ta dhe të tjerët të gjejmë një “ zgjidhje” të pranueshme për mënyrën e grumbullimit të mjeteve që do t’iu dedikoheshin familjeve në nevojë. Përkundër gatishmërisë së tyre për të kontribuar materialisht në këtë drejtim ku do të përshiheshin shumica e mërgimtarëve tanë, përgjigja e tyre ishte negative. Ata thanë: Një herë na mashtruan bile shumë keq, kurrë më. Ja, pra se çfarë bënë këta kriminel që i morën ato qindra milionë para në deviza të ndryshme dhe pa fije turpi tash sorollaten rrugëve, bizneseve e brenda institucioneve të vendit, duke shitur mend se sa patriot ishin . Dorën në zemër, humaniteti i bashkatdhetarëve tanë nuk ka pushuar as sot e kësaj dite ngaqë ata individualisht e në grupe po ndihmojnë vazhdimisht qytetarët e vendit tonë, mirëpo organizimi i ndonjë Fondi të madh hëpërhë  është i parealizueshëm. Mallkuar qofshin ata lakmitarë e kriminel që tash me djersën e mundin e mërgimtarëve bëjnë jetë luksoze.

Tentim i pasuksesshëm për të marrë përgjigje lidhur me shpenzimin dhe keqpërdorimin e mjeteve të grumbulluara

Pas përfundimit të luftës dhe të instalimit të faktorit ndërkombëtar në Kosovë, jeta filloi të zhvillohet me vështirësi për shkak të shkatërrimeve të shumta që kishte lënë pas pushtuesi. U deshtë mund i madh për të përballuar atë gjendje. Mirëpo, do përmendur edhe ndihmën e madhe që ofruan shumë organizata humanitare ndërkombëtare, të cilat kryesisht ishin të fokusuara për të siguruar kulm mbi kokë për ato familje të shumta që iu kishin djegur shtëpitë. Sikurse edhe para luftës edhe pas saj mërgimtarët ishin jashtëzakonisht të kyçur në sanimin e gjendjes së krijuar dhe shi për këtë në afate rekorde u arritë që popullata e dëbuar me dhunë nga trojet stërgjyshore të kthehet në shtëpitë e tyre.

Duke e parë atë gjendje të mjerueshme në vendin tonë pa një pa dy vendosa që të ndërmarrë një hap sado të vogël në drejtim të marrjes së një përgjigjeje qoftë edhe të përgjithësuar se çfarë u bë me ato mjete qindra milionëshe që u grumbulluan nga mërgimtarët tanë. Thënë konkretisht, isha tepër i irituar dhe shumë i pakënaqur me indiferencën e përfaqësuesve të të dyja fondeve që nuk bënin asgjë lidhur me zbutjen e “plagëve”, përkatësisht të ndihmës që është dashur t’iu ofrohet popullatës shqiptare. Pra, edhe pse kishin tepruar qindra milionë marka gjermane askush nuk di se ku mbetën, ku u tretën dhe si u shpenzuan ato edhe pse nevojat pas luftës ishin aq të mëdha. Së pari u drejtova në zyrat e Qeverisë në Ekzil, e cila pas kthimit ishte vendosur në ndërtesën e “ Slovenialesit” në Prishtinë, që gjendej pas Teatrit Kombëtar. Me është dashur të pres bukur gjatë derisa me pa ish- ministri i drejtësisë Halit Muharremi, të cilin e kisha takuar një herë në Suedi. Pasi u përshëndetëm dhe bëmë pak llafe, menjëherë ia përkujtova se cili ishte qëllimi i ardhjes në këtë “ institucion”. E dija shumë mirë se ai fare nuk kishte të bëjë me këtë punë, mirëpo, megjithatë, u deshtë që t’ia them se çfarë ishte interesimi i im. Ai shumë seriozisht me tha se nuk ma merr mendja që do të mund të kryej punë me arsyetim se “ Kryeministri” Bukoshi ka shumë punë. Po mirë i thashë: mund të bisedoj edhe me Isa Mustafën. Edhe një herë me tha se do të jetë e pamundshme që të kryej ndonjë punë duke me këshilluar që ta lë këtë tentativë timen për herë të tjera. Unë i thash se jam goxha këmbëngulës që ta kryej të “ mision” fisnik dhe se për çdo ditë do të jem këtu derisa të marrë një përgjigje nga dy përgjegjësitë kryesor të Fondit të Trepërqindshit, Bujar Bukoshi dhe Isa Mustafa. Tri ditë rresht isha në ndërtesën e kësaj qeverie të papërgjegjshme dhe në asnjë moment nuk mu dha rasti jo vetëm që të marrë ndonjë prononcim, mirëpo as që të takohem me ndonjërin nga këta ish udhëheqës që kishin lozur siç kishin dashur me mjetet që u grumbulluan nga djersa e mundi i mërgimtarëve tanë. Aq ishin të paskrupullt këta dy menagjer të parasë mërgimtare sa që në disa raste patën guximin që të ndërprejnë edhe financimin e Presidencës në Kosovë, e cila në ato raste dilte nga “ kriza” falë disa biznesmenëve shqiptar.

Ia mësyva edhe dyerëve të Qeverisë së Përkohëshme, e cila kishte zënë vend në zyrat e ish- Odës Ekonomike të Kosovës. Hyra në zyrën e sekretarës e cila me priti jashtëzakonisht mirë dhe për një kohë të shkurtër e bëri të mundshëm takimin me Adem Grabovcin, Minister për Ekonomi dhe Financa në QPK. Pasi u prezantova se kush isha dhe nga cila gazetë po vija, ai me kënaqësi pranoj të fillojmë bisedën. Qëllimi im është që të marrë përgjigje rreth aktivitetit që ka zhvilluar Fondi “ Vendlindja Thërret”, sa mjete janë grumbulluar, sa janë shpenzuar, sa kanë mbetur dhe së fundi se sa mjete kanë mundur të keqpërdorën nga aktivistët që u morën me grumbullimin e tyre nga mërgimtarët? Duke u arsyetuar se janë duke i grumbulluar të dhënat nga të gjitha shtet lidhur me shumën e grumbulluar dhe të shpenzuar kryesisht për zhvillimin e luftës në Kosovë, rreth këtyre pyetjeve përgjigja ishte zero. Ndërkaq lidhur me mundësinë e keqpërdorimit të parasë mërgimtare Grabovci dha këtë përgjigje: Po iu garantoj se të gjitha ato mjete që kanë hyrë në llogarinë e Fondit “ Vendlindja Thërret”, pra ato që janë të regjistruara dhe të evidentuara, asnjë metelik nuk është keqpërdorë, ndërkaq ato që janë grumbulluar kesh, edhe pse nuk kam informacione, mund edhe të jenë keqpërdorë, apo me mirë më thënë t’i kenë përvetësuar për vete disa grumbullues të autorizuar nga Fondi. Nëse dikush ka të dhëna të tilla do të ishte mirë të na njoftoj, përfundoi ai.

As unë e as mërgata jonë nuk janë të kënaqur me këtë që po e prezantoj në këtë shkrim, përkatësisht me këtë përgjigje të Fondit “ Vendlindja Thërret” e sidomos me injorimin që përfaqësuesit e Qeverisë në Egzil patën ndaj tentativës sime për të bërë diçka në këtë drejtim. Ndaj, mendoj se do të kishte qenë e udhës që mërgata jonë të organizohet dhe të bëj çmos që të dalë në dritë se ku u “ avulluan” qindra milionë marka gjermane dhe për këtë të merren në përgjegjësi penale të gjithë ata që u pasuruan me djersën e mërgatës sonë.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress