Home » Lajme, Opinione » Plani Vuçiq-Arifi për kolonizimin e Preshevës (2017-2021)

Plani Vuçiq-Arifi për kolonizimin e Preshevës (2017-2021)

Shkruan: Nehat Hyseni
Plani Aksional Lokal (Lokalni Akcioni Plan) 2017-2021, është “dhurata” që na ka përgatitur aleanca sekrete antishqiptare SNS-APN, si “bombë e kurdisur” që do të aktivizohet në periudhën e ardhëshme katër vjeçare për ndryshimin e strukturës kombëtare të komunës së Preshevës.
Ky Plan i kolonizimit të komunës së Preshevës, dmth qytetit të Preshevës dhe 35 fshatrave të kësaj komune, që shtrihen në një sipërfaqe prej 265 km2, në pjesën më jugore të Serbisë.
Tanimë gjithçka është gati për t’ia filluar realizimit të këtij Plani, meqë ai është nënshkruar nga Shqiprim Arifi, aleati apo argati i Vuçiqit në këtë mision makabër antishqiptar, që u përgatit me kujdes në qarqet qeveritare serbe. Buxheti i paraparë për këtë qëllim është reth 1.200.000 (një milion e dyqindmijë) euro nga Qeveria e Serbisë.
Kurse, komuna e Preshevës, me nënshkrimin e Shqiprim Arifit si kryetar i “Organit të përkohshëm”, që është caktuar me vendimin e Qeverisë së Serbisë të 14 shtatorit 2017, obligohet që refugjatëve serbë nga Kroacia, Bosna dhe Kosova, si dhe refugjatëve nga Siria, Afganistani dhe vendeve të tjera të Lindjes së Mesme, t’u siguroj lokacionin apo trollin për ndërtimin e shtëpive dhe objekteve të tjera të banimit, si dhe t’i punësoj dhe të siguroj komplet infrastrukturën që vlerësohet si e nevojëshme për akomodimin dhe jetën e tyre si qytetarë të ardhshëm të komunës së Preshevës.
Si duket, Shqiprim Arifi është kujdesur që jeta e qindra refugjatëve serbë nga ish Jugosllavia, që mund të kenë kryer krime ndaj fqinjëve të tyre kroat në Kroaci dhe masakra ndaj myslimanëve në Bosne, në Srebrenicë, Gorazhdë e gjetiu, si dhe serbët nga Kosova që masakruan mbi 12000 (dymbëdhjetë mijë) shqiptarë në Kosovë, bashkë me refugjatët nga Siria dhe Afganistani e vendet tjera nga Lindja e Mesme, do të gjejnë strehim në truallin e komunës tonë, do t’i ndërtojen shtëpitë me pare të Serbisë, kurse do të punësohen me projektet e financuara nga komuna, meqë sipas tyre, Preshevës i “mungon” shumë fuqia punëtore.
Kështu, do të kemi bashkëqytetarë të rinjë dhe do të ndërtojmë në tokën tonë preshevare një “jetë të re” të vëllazërim – bashkimit jo vetëm me “vëllezërit” tanë serbë nga ish Jugosllavia dhe t’i tregojmë botës sa “humanë” jemi, duke u shpërngulur ne shqiptarët nëpër botë për bukën e gojës dhe duke ua lënë atë “vëllezërve” tanë serbë, të ikur nga luftërat në Kroaci dhe Bosne.
Por, kësaj radhe, sa duket, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiqi dhe aleati i besuar i tij në qeverisjen e dhunëshme të komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, kanë vendosur që Preshevën ta bëjnë edhe më të “famëshme”, duke ia kaluar edhe vëllazërim-bashkimit jo vetëm me vëllezërit e përmendur nga ish Jugosllavia, por edhe me “vëllezërit” tanë edhe nga Siria e Afganistani.
Dhe e gjithë kjo, duke i falemnderuar Aleksandar Vuçiqit, të njohur për “dashurinë” e tij të zjarrtë dhe për “kontributin” e tij, me armë në dorë, gjatë Luftës 1992-1995 në Bosne, në kuadër të Partisë Radikale Serbe të vojvodës serb, Vojisllav Sheshelit, si anëtar i devotshëm dhe jashtëzakonisht i rëndësishëm që ishte.
Prandaj, Shqiprim Arifi me aleatin e tij Aleksandar Vuçiqi, si duket, kanë vendosur, pra, që vëllazërim-bashkimin e përmasave botêrore, dmth planetare, të na sjellin pikërisht në Preshevë, për të na kursyer që mos të detyrohemi që të bëjmë shpenzime dhe të marrim mundimin e të lodhemi duke udhëtuar për t’i vizituar “vëllezërit” tanë anembanë ish Jugosllavisë dhe ata në Siri dhe Afganistan, por tani e tutje, me realizimin e Planit Aksional Lokal (2017-2021), të hartuar e të përgatitur për merak në Qeverinë e Serbisë, pa e lodhur kokën fare na në Preshevë, tani e tutje do e kemi punën “lehtë”, vetëm ta zvatojmë këtë Plan famoz!
Kurse, sa i përtë rinjëve tanë që presin pa punë, ata duhet edhe më shumë të shpërngulen “kah sytë-këmbët” nëpër kampet e Europës si azilantë dhe si “kontribues” për politikë e kësaj politike të “vëllazërim-bashkimit” Vuçiq-Arifi në qytetin e Preshevës dhe në 35 fshatrat e kësaj komune.
Por, Shqiprim Arifi, për të mos e keqkuptuar mileti se është në krye të një organi të dhunshëm me urdhërin e Serbisë, si dhe për të mos qenë e varfër jeta kulturore e Preshevës për vëllezërit tanë nga ish Jugosllavia dhe nga Azia, është kujdesur që ta themeloj Teatrin Profesional të Preshevës, duke e “habitur” dhe me gjasë, madje e kishte lënë “gojëhapur” edhe vendasin tonë të nderuar, regjisorin me nam në Kosovë, Kastriot Saqipin.
Nga një takim në kabinetin e kryetarit të masave të dhunëshme, ky i fundit deklaron se paska mbetur “i çuditur dhe pa fjalë”, se sa i “fortë” na qenka ShqArifi, i cili me një fjalë goje, e paska lënë “pa tekst” herifin.
Madje, e paska entuziazmuar se tani e tutje, ky teatër nuk ka nevojë të udhëtoj fare në territoret e ish Jugosllavisë dhe të Azisë, sepse ata do i kemi këtu në Preshevë, si publik të këtij teatri.
Pra, Presheva do të bëhet qendër e “vëllazërim-bashkimit Euro-Aziatik” dhe do ia kaloj vëllazërim-bashkimit të Jugosllavisë socialiste të Josip Broz Titos, që përfundoi “triumfalisht” me armë e “heroizma” anembanë ish Jugosllavisë, gjatë viteve të ’90-ta dhe në Kosovë gjatë fundshekullit XX.
Por, kjo “festë” vazhdoi edhe gjatë vitit 2000-2001 nga UÇPMB tek ne në Luginë të Preshevës, sa për të dëshmuar se sa “të lumtur” e sa të “kënaqur” e të “sigurtë” ishim ne shqiptarë e kësaj ane në kushtet e “vëllazërim-bashkimit” dhe të “dashurisë” e “kujdesit” të Serbisë për sigurinë, mirëqenien dhe lumturinë tonë në këtë pjesë të Ballkanit.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch