Presidenti i Serbisë, bashkë me vartësitë e tij, ka nisur fushatën kundër Kosovës
Vuçiq dhe vartësitë e tij me takime të ndryshme me liderë e të tjerë po propagandojnë që Kosova të mos ecë tutje. Por, Marko Gjuriqit në Estoni dje i është bërë me dije nga homologu i tij që, bashkëpunimi i Serbisë me Rusinë, për Estoninë është i papranueshëm. Aty u fol edhe për Kosovën, e estonezi përkrahu dialogun Kosovë-Serbi.
Propaganda e Serbisë kundër Kosovës përfshin një gamë të gjerë narrativash të krijuara për ta delegjitimuar pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës. Këtë propagandë shteti serb, me në krye Aleksandër Vuçiq, e ka bërë duke e paraqitur Republikën e Kosovës si një problem të sigurisë rajonale dhe ndërkombëtare. Madje ajo u mbështet në disa elemente:
Zëvendëskryeministri i Serbisë, njëherësh ministër i Mbrojtjes e sh-drejtori i Agjencisë së Sigurimit dhe Inteligjencës serbe, Aleksandër Vulin, i cili është edhe një nga politikanët më të afërt të Vuçiqit, vazhdimisht ka mbajtur marrëdhënie të afërta me Rusinë, një aleat i fortë i Serbisë në mosnjohjen e Pavarësisë së Kosovës. Vizitat e tij në Moskë përforcojnë bashkëpunimin mes Serbisë dhe Rusisë dhe mbështetjen ruse për bllokimin e njohjes ndërkombëtare të Kosovës, sidomos në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Shefi i diplomacisë së Estonisë, Margus Tsahkna, e priti në Talin të martën homologun e tij nga Beogradi, Marko Gjuriq. Shteti i të parit është anëtar i NATO-s dhe BE-së, por edhe fqinj me Rusinë, ndërsa e rreshtoi veten si një nga përkrahësit kryesorë të Ukrainës, vend ky që po përballet me pushtimin e forcave të Moskës. Diplomatit serb, Gjuriq, estonezi Tsahkna, i tha se për Estoninë është e papranueshme t’i shtrëngosh duart me, siç tha “një kriminel lufte”, i cili po e rrezikon Evropën dhe sovranitetin e Ukrainës.
Elementi tjetër që Serbia vazhdon propagandën kundër Kosovës është edhe vizita e përfaqësuesve të lartë të Shtetit të Vatikanit në Beograd e cila është edhe përpjekje e Serbisë për ta ruajtur qëndrimin e Vatikanit, i cili ende nuk e ka njohur Kosovën. Serbia, duke ndërtuar marrëdhënie të forta me Vatikanin dhe aktorë të tjerë ndërkombëtarë, synon ta mbajë mbështetjen e shteteve që nuk e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës.
Po ashtu gjatë këtij muaji, ku Serbia ka rritur nivelin e fushatës dezinformuese kundër Kosovës, Vuçiq ka bërë thirrje për dialog me Kosovën, por gjithmonë me kushte që forcojnë pozitën e Serbisë. Ai thekson rëndësinë e krijimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë, që, sipas tij, duhet të ketë një nivel të lartë autonomie. Kjo kërkesë shihet si një përpjekje për ta dobësuar sovranitetin e Kosovës dhe mbajtur kontroll mbi serbët në Kosovë.
Në përgjithësi, strategjia e Serbisë është ndërtimi i një narrative që Kosovën e paraqet si një çështje të pazgjidhur e që, sipas tij, kërcënon stabilitetin në rajon. Po ashtu udhëheqësit e saj kërkojnë mbështetje ndërkombëtare për t’i avancuar interesat e tyre kundër pavarësisë së Kosovës.
Average Rating