Botimet Toena & Instituti i Librit dhe i Promocionit
në bashkëpunim me
Muzeun Historik Kombëtar
organizojnë
promovimin e romanit “Merimanga e Sarajevës” të shkrimtarit anglez Robert
Wilton, përkthyer mjeshtërisht nga Diana Çuli.
*19 korrik 2017, ora 18:30, te Muzeu Historik Kombëtar, salla “Unesco”.*
Në panel: Robert Wilton (autori), Diana Çuli (përkthyesja), Arta Marku (
gazetare/moderatorja).
*Në shoqërinë e kuartetit të harqeve “Tinguj & Monumente”.*
*Ju ftoj të merrni pjesë!*
P. S.
Bashkëngjitur do të gjeni:
– Ftesën e promovimit
– Rreth autorit
– Një përshkrim mbi romanin
*Irena Toçi*
*Drejtore e Përgjithshme*
RRETH LIBRIT
Europë, viti 1914.
Koha kur Fuqitë e Mëdha janë në garë me njëra-tjetrën për rritjen e influencave të tyre të çdo lloji në botë, por sidomos në Ballkan.
Agjentët sekretë të këtyre vendeve veprojnë në terren, të kamufluar nën petkun e arkeologut, arkitektit, historianit apo sipërmarrësit dhe përpiqen me të gjitha mënyrat për të zbuluar lojën e kundërshtarëve.
Pikërisht në këtë periudhë, byroja e njohur si më sekrete dhe më e respektuar e të gjitha byrove të spiunazhit botëror, me emrin Drejtoria e Përgjithshme për Hetim dhe Shqyrtim e Britanisë së Madhe, merr përsipër të hetojë nga afër një problem kyç për atë vetë.
Burri i vjetër – njeriu që lëvizte në prapaskenë të gjitha fijet e agjenturës angleze të spiunazhit të asaj kohe – organizon misionin e katër agjentëve të tij në Ballkan dhe në vende të tjera të Europës. Nëpërmjet këtij misioni përpiqet të kuptojë lojën e Merimangës – kundërshtarit të tij më të fortë dhe me ndikim të madh në Berlin, Vjenë dhe në Ballkan.
Ndërkohë që ky mision ende vazhdonte veprimtarinë e vet, një ngjarje e rëndë trondit botën:
në Sarajevë, në kryeqytetin e Bosnjës, vritet arkiduka Franc Ferdinandi, princi trashëgimtar i Perandorisë Austro-Hungareze së bashku me të shoqen, nga serbë të lidhur me Shërbimin Sekret Ushtarak të Beogradit.
Është 28 qershori i vitit 1914.
Por cili qe roli i agjenturave sekrete të Fuqive të Mëdha në këtë ngjarje, që çoi në shpërthimin e Luftës së Parë Botërore?
Ç’fat i priste agjentët që vepruan në Ballkan në këtë periudhë? Çfarë zbuluan ata në kancelaritë e kryeqyteteve të këtyre vendeve, cilat qenë konfliktet, kush i nxiste dhe si krijoheshin opinionet për zhvillimet e ngjarjeve në këto territore në atë periudhë?
Përmes historisë së tyre, autori do të na bëjë të përjetojmë një Shqipëri, Bosnjë, Serbi dhe Europë në prag të Luftës së Parë Botërore.
RRETH AUTORIT
Robert Wilton është shkrimtar, përkthyes i poezisë shqipe në gjuhën angleze dhe bashkëthemelues i shoqatës bamirëse The Ideas Partnership në Kosovë. Ai ka punuar në sektorë të ndryshëm të qeverisë britanike, duke përfshirë dhe detyrën si Sekretar Privat i tre Sekretarëve të Shtetit të Mbretërisë së Bashkuar për Mbrojtjen. Ka qenë këshilltar i kryeministrit të Kosovës në periudhën e luftës për pavarësi e më pas ka punuar si drejtor i Zyrës Ndërkombëtare të Monitorimit dhe të Këshillimit për Qeverinë e Kosovës. Sot punon në Tiranë, në detyrën e zëvendësambasadorit të OSBE-së.
Robert Wilton është i njohur për një numër romanesh të ciklit Drejtoria e Përgjithshme (The Comptrollerate-General): Merimanga e Sarajevës (The Spider of Sarajevo), Fusha e tradhtarit (Traitor’s Field), Batica e tradhtisë (Treason’s Tide).
Është vlerësuar nga Historical Writer’s Association, me çmimin Goldsboro Crown për romanin historik më të mirë debutues.