Në këtë promovim do të referojnë: Znj. Irena Toçi (botuese e Toena-s) Z. Artan Fuga (akademik) Znj. Vera Bekteshi (shkrimtare) Z. Kleo Lati (shkrimtar) Z. Simon Miraka (kryetar i SHPP-së) Z. Arben Braçe (autor i librit) E hënë, 7 maj, ora 18:30, Libraria "Tirana Times". ---------------------------------- Fragment nga Nje jete ne tri bote
BOTIMET TOENA
LIBËR I RI
ARBEN BRAÇE
“NJË JETË NË TRI BOTË”
Kushtuar të gjithë atyre që kanë vuajtur pasojat e një sistemi politik të papërshtatshëm dhe të një drejtësie të korruptuar.
… gjithë jetën e vështirë që kishte kaluar, njerëzit kishin qenë makthi i tij. Ishte deri në kockë i zhgënjyer. Nga shtëpia nuk kishin mundur ta nxirrnin as në kohën e diktaturës. Tashmë s’ishte veçse një i moshuar. I kishte kaluar të tetëdhjetat. Nuk kishte kohë të priste drejtësinë e vonuar. Kishte jetuar në tri botë të ndryshme, shumë të ndryshme, tri botë që mund të çmendnin çdo gjeni, që nuk ngjasonin askund me njëra-tjetrën. Në trupin dhe në shpirtin e tij ishin zhvilluar eksperimentet më të çuditshme, sepse në vendin e tij eksperimentet sociale ishin krejtësisht të lejueshme. Jeta në botën ku ai kishte jetuar për dekada me radhë, përbënte truallin ku ushtroheshin “shkencëtarët e praktikës shoqërore”, të cilët i trajtonin si kavje në Laboratorin e Madh, pa u merakosur asnjë grimë për vuajtjet e tyre. Edhe atëherë kur ishte dukur sikur eksperimenti kishte përfunduar, duke pritur komunizmin që nuk do të vinte kurrë, mbi shpinën e tyre kishin hedhur “terapinë e shokut”, si një eksperiment tjetër në vazhdën e eksperimenteve të pafundme…
Formati: 14 x 20,5 cm
Faqe: 320
Çmimi: 1000 lekë
Arben Braçe lindi në Tiranë, më 1961. Përfundoi studimet e larta në vitin 1989, në Fakultetin e Shkencave Politike-Juridike të Universitetit të Tiranës, në degën e filozofisë, dhe më pas në Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë. Në vitin 1992 përfundoi specializimin e paradoktoraturës pranë Universitetit Kombëtar të Filozofisë dhe Arteve të Bukura të Kapodistrias në Athinë, në fushën e filozofisë së lashtë greke dhe të kulturës helene. Ka punuar pedagog në Katedrën e Filozofisë pranë Universitetit të Tiranës dhe pedagog i jashtëm i lëndës së filozofisë të së drejtës pranë Albanian University. Gjatë një periudhe rreth 20-vjeçare ka punuar në Ministrinë e Drejtësisë, në detyra të ndryshme, si drejtues i administratës së lartë shtetërore, kryesisht në fushën e lidhjes së marrëveshjeve ndërkombëtare dhe atë të marrëveshjeve juridiksionale me jashtë etj., ka qenë pjesë e grupeve të punës për nënshkrimin e dhjetëra traktateve ndërkombëtare në fushën e drejtësisë, në të cilën Shqipëria është palë. Në vitin 2015 ka botuar librin “Politikë pa të ardhme”. Aktualisht është Drejtor Ekzekutiv i Institutit Ndërkombëtar për Drejtësi dhe Zhvillim të Qëndrueshëm, si dhe ushtron profesionin e avokatit pranë DHKA-së në Tiranë.