Home » Lajme, Vendore » Protestat si ngushëllim!

Protestat si ngushëllim!

Ternoc tabelaBashkësia Lokale e Tërnocit, në qendër të fshatit, ka paraparë, pas namazit të xhumasë, një protestë popullore me moton: “Stop plaçkitjes së familjeve shqiptare”.

Protesta e paralajmëruar për nesër në Tërnoc, vjen si rezultat i reagimit të BL-së, në shenjë revolte ndaj bastisjes së policisë, e cila ka konfiskuar dy tonë duhan të papërpunuar në tri familje shqiptare. Ky veprim i policisë nga BL-ja, është vlerësuar si antinjerëzor dhe i jashtëligjshëm.

Kjo është protesta e tretë me radhë e organizuar nga Bashkësia Lokale e Tërnocit. E para në fillim të këtij viti u organizua kundër shtypit të verdh serb, e posaçërisht kundër një shkrimi tendencioz të publikuar në gazetën më të lexuar “Blic”, e cila Tërnocit e nxirrte si vendin më ideal për shitjen e narkotikëve me titullin bombastik: “Në Tërnoc depërton në ditë nga një ton drogë!”, pastaj në këtë fshat etnikisht të pastër shqiptar, nuk guxon të shkelë çizmja e policit, ushtarit dhe xhandarit serb, e slogane të tjera të njohura për opinionin e gjerë.

Pas kësaj proteste lëre që nuk u dënua redaksia e “Blic”- it e as gazetari i saj, por si kundërpërgjigje Beogradi filloi aksionin për shkyçjen e borxhlinjve të rrymës, duke i akuzuar tërnocasit si hajdutë të rrymës.

Protestat e dytë, u organizua po ashtu nga BL, kundër aksionit të punëtorëve të Elektrodistribucionit, të cilët me asistencën e policisë kishin shkyçur borxhlinjtë nga rryma.

Protesta e tretë është kjo e radhës kundër plaçkitjes së shqiptarëve, përpunues të rregullt të duhanit, bimës më të kërkuar gjethe imtë dhe aromatik.

Pas kësaj proteste, një Zot e di, se çfarë mund të ndodh ndonjë revoltë tjetër, si këto tre të parat, me siguri ajo e shkyçjes nga rrjeti i ujësjellësit, që në këtë vendbanim nuk mbahet mend kur është paguar uji për herë të fundit!

Deri sa Tërnoci proteston, fshatrat përreth i zë trishtimi dhe angushimi, të cilët as “gëk” as “mëk” nuk bëjnë.

Pavarësisht nga dy luhatje me dorëheqje të kreut udhëheqës të Bashkësisë Lokale në Tërnoc, për shkak largimit të disa punëtorëve të këtij vendbanimi, nga vendet e punës nga po ata persona, të cilët qëndrojnë edhe në pushtet lokal, komunal e tashti edhe në atë “nacional”, ndjenja për protesta i bashkon si ngushëllim, madje edhe si shpëtim.

Kur Tërnoci shkundet nga protestat, vendbanim, i cili nga gjiri i vetë nxori tre funksionerë të lartë, komunalë e shtetërorë, e të cilët nuk po munden t’i kursejnë bashkëfshatarët nga këto fatura detyruese, atëherë çka pritet nga rrethet e tjera, të cilat heshtin dhe paguajnë pa zë.

Gjithashtu për nesër, të premten e 7 nëntorit, në Bujanoc, është paraparë një seancë e Këshillit Komunal për Siguri, i cili thirret sipas nevojës për të debatuar pë gjendjen e sigurisë në vend.

Qytetarët duhet të vetëdijësohen e të mësohen një herë e përgjithmonë se Ligji e Maliqi, veprojnë në dy binarë.

Faturat komunale dhe ato shtetërore, të vjela nga qytetarët e mbajnë gjallë pushtetin dhe shtetin, organe këto, të cilat nuk mund të imagjinohen pa taksapaguesit, të cilët, shumë po japin e pak po marrin për ngritjen e mirëqenies së tyre sociale e politike.

 

Shoqëria Civile “Perspektiva”, në Bujanoc

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress