Protestë në Shqipëri, Sali Berisha: Edi Rama, ne të dy jemi armiq!
Ish-kryeministri Sali Berisha e konsideroi kreun e qeverisë shqiptare, Edi Ramën armik, gjatë fjalës së tij në podiumin e protestës para godinës së Kryeministrisë.
“Edi Rama, ne të dy jemi armiq, është e rëndë ta them këtë por zemra ime fjalë tjetër nuk nxjerr. Ti do vetëm pushtetin kurse unë me këta bura, gra, djem e vajza kemi parim lirinë dhe vetëm lirinë. Ne jemi armiq Edi Rama sepse ti pushtetin e do për të pasuruar veten duke varfëruar e poshtëruar qytetarët ndërsa unë dhe këta protestues këtu, lirinë e duan për të bërë të lirë shqiptarët, për t’iu kthyer atyre dinjitetin”, tha Berisha.
Sipas gazetares së Top Channel, Elda Menga, e cila ndoqi protestën, Berisha paralajmëroi se është vetëm fillimi dhe se donte t’u provonte demokratëve që nuk e mbështesin se ai është i gatshëm të bëjë protesta edhe në një kohë të papërshtatshme.
“Berisha paralajmëroi se është vetëm fillimi, një provë për Berishën, ai donte t’u provonte demokratëve që nuk e mbështesin se ai është i gatshëm të bëjë protesta edhe gjatë verës, në një kohë të papërshtatshme. Ai ka dashur se ai ka primatin e opozitës, në cilën e ka ftuar edhe Metën për të marrë pjesë. Ai kishte një test, ishte një protestë surprizë e Berishës, pasi ia kishte folur për protesta në shtator, e jo në korrik”, tha Menga.
Protesta e opozitës nisi rreth orës 19:00 të kësaj të enjteje në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” me në krye ish-kryeministrin, Sali Berisha.
Në fillim të protestës me moto “Shqipëria në Rrezik”, u mbajt ‘himni’ dedikuar këtij tubimi, ndërsa mbajtën fjalimet e tyre në podium aktivistë të ndryshëm, për t’i lënë radhën më pas figurave politike.
Qytetarët e mbledhur në protestë kishin pankarta kundër qeverisë në duar, ndërsa në kor ishin thirrjet ‘E duam Shqipërinë si gjithë Europa’. Rama Ik!”.
Krah Berishës u pa kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, e cila mbajti edhe fjalim në podium, duke shprehur mbështetjen ndaj tij.
Sakaq një numër i konsiderueshëm efektivësh ndodheshin në terren për mbarëvajtjen e protestës, ndërsa në godinën e kryeministrisë dyert, ashtu si në çdo protestë ishin blinduar, në rast përdorimi dhune nga protestuesit.
Ishte një protestë paqësore nga ana e Berishës, krahasuar me protestat e tjera të organizuara nga ai, ku nuk ka munguar dhuna.
Kush nuk mori pjesë në protestë?
Në protestë nuk morën pjesë deputetët mbështetës të frontit Basha, si Enkelejd Alibeaj apo Gazment Bardhi. Pjesë e mitingut të sotëm ishin deputetë që janë shprehur krah Alibeajt, si Alfred Rrushaj. Xhelal Mziu dhe Jorida Tabaku.
Gjithashtu ishin pjesë edhe Dhuratat Çupi e cila deri vonë, ishte në kampin e Alibeajt. Pjesëmarrja e Grida Dumës dhe Ervin Salianjit nuk ishte surprizë.
Deputeti Fatmir Mediu, i cili është pro Berishës ka munguar në protestë, por në një komunikim me gazetaren Elda Menga ai ka thënë se është në një vizitë zyrtare në Bukuresht.
Pjesë e protestës ishin edhe Agron Duka. Nard Ndoka, Dashamir Shehi, të cilët kanë preferuar të rrijnë në pozicione neutrale dhe të mos bëhen pjesë e fjalimeve.
Pak minuta para protestës, ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim dha mesazh duke thënë se është e drejta e qytetarëve që të protestojnë, por sipas saj, tubimi duhet të jetë paqësor dhe duhet zbatuar ligji.
“Është e drejta e të gjithë qytetarëve që të protestojnë, me rëndësi është të zbatohet ligji dhe protesta të jetë paqësore”, u shpreh Kim.
Tubimi i thirrur nga Sali Berisha bëri që Ambasada Amerikanë t’u kërkojë qytetarëve të bëjnë kujdes dhe të rrinë larg zonës ku mbahet protesta, pasi ajo mund të jetë e dhunshme.
/Top-channel/
Average Rating