Home » Lajme » PROTESTOHET PËR KUFIJTË E KOSOVËS PA FLAMURIN E REPUBLIKËS

PROTESTOHET PËR KUFIJTË E KOSOVËS PA FLAMURIN E REPUBLIKËS

Protesta e organizuar nga Albin Kurti që siç u tha kishte për qëllim mbrojtjen e kufijve të Republikës së Kosovës nxiti reagime të shumta në rrjetet sociale nga gazetarë, analistë, shoqëria civile etj.

Reagimet kishin të bënin për mosprezencën e flamurit të Kosovës dhe mosintonimin e himnit të Republikës së Kosovës në një protestë që ishte thirrur për të ‘mbrojtur’ kufijtë e Kosovës.

Gazetari Valon Syla thotë se: “Protesta e sotshme i përngjanë asaj të Azem Vllasit e Kaqusha Jasharit e vitit 1988… një inskenim tash me autobusa se u nisën këmbë krejt Kosova.. minatorët me flamura të Trepçës, gjakovarët me fjalime, aktorë e Kasapoll teatri, që fillojnë fjalime me punëtorë dhe puntore dhe studentë e studente, kishe kundër Hashim Thaçit, por në fakt kundër PSD’së të Shpendit, Dardanit dhe Molliqajt. Munguan vetëm jogurtat dhe flamuri i Jugoslavisë i lidhun me flamurin shqiptar. Albin Kurti u mundua që Thaçin ta shpallë Miloshevic dhe ta pantentoj një herë e përgjithmonë socializmin për veti, përkatësisht, Vetëvendosjen, me Vendos veç Vet.”

Gazetari Bajrush Morina në profilin e tij në facebook thotë: “E kam një parandjenjë sikur Albin Kurti me këtë protestë më shumë po don me “mat vetën e VV- në sa peshon” në skenën politike se sa me rrëzu Hashimin!” Ndërsa njohësja e çështjeve evropiane Jehona Lushaku thotë se: “Aresyeja ishte qenësore dhe qytetarët u mobilizuan pa dallim partie.

Por, me iu drejtu qytetareve ‘pa dallim etnie’ e me e lëshu himnin e shtetit shqiptar dhe mos me pa flamuj të shtetit te Kosoves?! Hello!!! Cili ishte qëllimi? Kufiri? Kufiri i Republikës së Kosovës!!! Nuk është veq Republikë, por Republika e Kosovës!!! Guxoni dhe thuajeni!!! Guxojeni dhe mbajeni flamurin e Kosovës, se republika është në të!”.

Ndërsa Berat Buzhala i cili edhe kishte qenë pjesëmarrës në protestë shpreh dëshprimin e tij për protestën e sotme. “Kesh ne shesh, ne protestë, me një gazetare të njërës prej mediave më të fuqishme të botës. Biseduam parapakisht nja 1 orë e gjysmë në kafe, për gjendjën në vend, për protestën, për levizjet e kufijve, për Kosovën si shtet. “I kujt është ky himni?”, me pyeti. “I Shqipërisë”, i thash unë. “Edhe flamujt të Shqipërisë, apo jo?”, më pyeti. “Sic edhe po e sheh”, i thash unë.

Dhe ne menduam që protesta po zhvillohej për Kosovën shtet të pavarur, nga të gjitha shtetet tjera. Dhe ne menduam që idesë së çmendur të Thaçit do t’i kundërviheshim ndryshe, duke mos i çu ujë në mullirin e tij. Serbia përndryshe më së shumti i urren simbolet e Kosovës.

Ata bash asnjë problem me flamurin e Shqipërisë nuk e kanë. Përkundrazi, ide e tyre është që çështja e Kosovës të zgjidhet në mes tyre dhe Shqipërisë.”

Ndër për protestën ka reaguar edhe Valon Murati, kryetar i Lëvizjes për Bashkim. “Ridefinimi i kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë është rruga e duhur për ta funksionalizuar shtetin e Kosovës, për ta bashkuar Kosovën Lindore me Kosovën duke ia dhënë të njëjtën të drejtë serbëve atje ku janë shumicë në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin-Potok. Mundësia për të biseduar për këtë çështje është një rast që nuk vjen shpesh. Andaj, t’i ndajmë dy gjëra: Presidentin Thaçi si riaktualizues të kësaj ideje dhe vet idenë e konceptin.

Të gjithë ata që po dalin kundër idesë, për shkak të propozuesit po i bëjnë dëm të madh Kosovës dhe çështjes kombëtare shqiptare. Është krejt legjitime të ketë dilema për propozuesin, por kjo nuk kërkon goditje të idesë, por përfshirje të të gjithë atyre që kanë dyshime në kredibilitetin e presidentit, dhe madje me kërkesë për ta udhëhequr këtë proces kaq delikat.

Po ta kërkonin këtë, sidomos LVV por edhe LDK, do të ishin parimore, përndryshe janë vetëm shfrytëzuese manipulative të situatës për të fituar një votë më shumë, por për ta dëmtuar rëndë të ardhmen e vendit.”

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch