Home » Lajme, PVD » PVD: I N F O R M A T Ë

PVD: I N F O R M A T Ë

Tani më është shumë e qartë se diskriminimi ndaj popullatës shqiptare në Luginë të Preshevës, po ushtrohet në të gjitha fushat e rëndësishme jetësore, në ekonomi, në sistemin e jurisprudencës, e posaçërisht në fushën e arsimit.

Pos problemit të rëndë dhe shumë të ndjeshëm të mungesës drastike të teksteve mësimore në shkollat shqipe, sigurisht që problem edhe më i rëndë dhe më i ndjeshëm është mosgatishmëria e strukturave shtetërore në Serbi për ta zgjidh çështjen e nostrifikimit të diplomave të Universiteteve të Kosovës, e që është njëri ndër faktorët kryesorë për largimin e të rinjve nga Lugina e Preshevës.

Mirëpo, pa dyshim se një shembull tipik i diskriminimit është edhe qasja manipluative e Zyrës qeveritare për investime publike lidhur me rinovimin e objektit qendror të shkollës fillore “Prof. Ibrahim Kelmendi” në Preshevë.

Opinioni është i njoftuar se drejtoria e kësaj shkolle vite me radhë ka kërkuar ndihmë nga pushteti lokal dhe ministria e arsimit për rikonstruimin e sallës së edukatës fizike dhe nyjave sanitare të këtij objekti të ndërtuar para më shumë se 50 viteve.

Gjatë vitit të kaluar me rastin e përgatitjes së rishikimit të buxhetit të vitit 2016-të dhe buxhetit të vitit 2017-të, kryetari i komunës Sh.Arifi, nuk kishte pranuar propozimin e grupit të këshilltarëve të PVD-së, që të parashihen mjete burimore në buxhetin e komunës për këto nevoja urgjente, me arsyetim se do të sigurohen mjete nga Zyra e Qeverisë për investime publike dhe Ambasada Gjermane.

Pas ndërrimit të koalicionit qeverisës, kryetarja Ardita Sinani kishte nënshkruar kontratën me ndërmarrjen projektuese e cila paraprakisht ishte angazhuar vetëm gojarisht për ta kompletuar dokumentacionin teknik për rikonstruimin e objekteve të shkollës fillore “Prof. Ibrahim Kelmendi”, të shkollës fillore “Vuk Karaxhiq” dhe gjimnazit “Skënderbeu”, për të cilat organi përkatës i komunës kishte aplikuar gjatë nëntorit të vitit 2016. Pos bisedave të rregullta telefonike, kryetarja Sinani kishte realizuar edhe takime në Beograd me udhëheqësit e Zyrës Qeveritare, si dhe me Ministrin e punës dhe çështjeve sociale lidhur me realizimin e marrëveshjes së nënshkruar me Bankën Gjermane për Zhvillim që parashihte ndihmën prej 50 000 euro për sallën e edukatës fizike të shkollës fillore në Preshevë.

Në këto biseda u qartësua se realizimi i mjeteve nga Banka Gjermane nuk mundë të fillojë para majit të vitit 2018 për shkak të procedurave të prokurimit. Në këto rrethana, kur as rishikimi i buxhetit nuk u aprovua për shkak të bllokimit të njohur të Kuvendit Komunal, mbeti vetëm mundësia që kjo sallë të rregullohej me mjetet e Zyrës Qeveritare ku komuna kishte aplikuar me projekt për sigurimin e 150 milion dinar. Mirëpo, prej marsit deri në muajin korrik kjo zyre kishte kërkuar plot gjashtë herë plotësimin e dokumentacionit teknik. Në fund të korrikut u paralajmërua se gjatë muajit gusht do të nënshkruhet kontrata për fillimin e prokurimit për fillimin e punëve në të tri shkollat e theksuara më parë. Edhe pas prolongimit të këtij afati, në fillim të muajit shtatorë, gjatë vizitës të përfaqësuesve të Zyrës Qeveritare në këto shkolla dhe takimit me kryetaren Sinani u premtua që nënshkrimi i kontratës do të bëhet gjatë muajit shtatorë, premtim ky që edhe sot e kësaj dite nuk u realizua.

Është krejtësisht e qartë se edhe kjo Zyre Qeveritare edhe për këtë çështje shumë të ndjeshme vazhdoi me trajtim diskriminues dhe manipulues që më së miri u dëshmua edhe me vendimin manipulativ e joligjor për emërimin e Organit të përkohshëm të Komunës së Preshevës.

Në këtë problematik shumë të rëndë e të ndjeshme aspak nuk është fajtorë drejtoria e shkollës, andaj janë të pamoralshme akuzat dhe fushata e egër që po udhëhiqet ndaj udhëheqjes dhe punëtorëve të kësaj shkolle.

Preshevë, 16.10.2017
Këshilli për Informim i PVD-së

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch