Home » Lajme, Vendore » Reagim i Lëvizjes Vatra kunder debimit te familjeve nga banesat e Moraves se Binces

Reagim i Lëvizjes Vatra kunder debimit te familjeve nga banesat e Moraves se Binces

Ende në fuqi  rregulloret  dhe lgjet e UNMIK-ut

 

Sipas  “Urdhrit  për dëbim”  të lëshuar nga Agjencia Kosovare e Pronës, të datës 09 korrik 2013, i nënshkruar nga drejtori Mariah Nieora, duke u mbështetur në nenin 12.6 të Rregullores së UNMIK-ut  të ndryshuar…..”, 32 familje të strehuara në objektin e lagjes “Iliria”,  pranë fabrikës së duhanit e ndërtuar nga ish “Morava e Binçës” për policët  serbë, duhet ta lirojnë apo dorëzojnë në posedim AKP-së  ose në paraditen e datës  së 30-të  nga dita e pranimit  të këtij urdhri.

Kjo pronë –objekt  për të cilën bën fjalë ky njoftim janë disa banesa, në të cilat menjëherë pas luftës së fundit në Kosovë  dhe pas luftës në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, janë vendosur disa familje nevojtare të pastreha, kryesisht ish ushtarë të UÇK-së dhe të UÇPMB-së. Janë këto, disa familje, të cilat pas përfundimit të luftërave nuk kishin ku të rrinin, sepse shtëpitë e tyre  ua kishte djegur ushtria, xhandarmëria e policia serbe, gjithashtu një pjesë ishin detyruar të largohen nga fshatrat ku ishte zhvilluar lufta në mes UÇPMB-së dhe ushtrisë e policisë serbe, dhe sot e atë ditë nuk mund të kthehen në shtëpitë e tyre, sepse pushteti serb  i burgosë dhe i dënon me burgje një shekullore e më shumë.

Kur  ndalesh  dhe mendon pak,  ky dëbim, sikur të asocion, në vazhdimësinë e burgosjeve të ish ushtarëve të UÇK-së  në Kosovë sot, dhe sikur është një hap, një fillim i shtrirjes  së ndjekjeve, e më pas i burgosjeve të ish ushtarëve  të UÇK-së e të UÇPMB-së  edhe nga Anamorava e nga Presheva, Medvegja e Bujanoci.

Këto familje hallexhinjsh, këto familje të ish ushtarëve të UÇK-së e të UÇPMB-së, në mungesë të forcës ekonomike për të blerë shtëpi e banesa për strehim, (se nuk kanë pasur e nuk kanë  ndjenjën që të zënë prona të huaja  kur dihet se ata dje ishin të gatshëm të vdesin për atdhe) ishin të detyruar të vendosen në këtë objekt të lënë shkret në atë kohë, i cili nuk kishte as titullar e pronarë, ngase objekti në fjalë kishte filluar të ndërtohet para luftës së fundit në Kosovë nga Ministria e Brendshme e Serbisë. Kjo ministri kishte bërë kontratë me ish “Moravën e Binçës”, për t’ua ndërtuar  banesat policëve serbë që do të vinin në Kosovë për të vrarë shqiptarë, mirëpo më vonë kishte hequr dorë nga kjo kontratë dhe i gjithë objekti ishte ndërtuar nga ish “Morava e Binçës” në pronën e ish Soliterit, organizatë punuese, e cila në vitin 1980 ishte bashkuar me “Moravën e Binçës”. Duke u bazuar në këto, ojketi më parë se askujt, i takonë “Moravës së Binçës”

Nga kjo, gjithashtu, duket se fshihet  diçka prapa këtij dëbimi të mundshëm të njerëzve nevojtarë, ngase, sot kur ekziston Kushtetuta e Republikës së Kosovës, ligjet  dhe rregulloret  e saja, dëbohen familjet me një njoftim të bazuar në rregulloren e UNMIK-ut, i cili që moti nuk është funksional, e që po ashtu ligjet  dhe rregulloret e Kushtetutës së Kosovës i kanë hedhur poshtë ligjet  dhe rregulloret e UNMIK-ut. Nëse nuk është kështu, atëherë  çka jemi duke e bërë  gjithë këtë zhurmë  për Republikën e  Kosovës.

Po ashtu, të shkon mendja se, mund të ketë këtu: edhe interesa personale, edhe fitime  për dikë, ndoshta  edhe blerje të këtyre banesave nga ku me ditë kush, duke vepruar me disa rregullore të UNMIK-ut, që mendojmë se nuk duhet të kenë fare fuqi ekzekutuese.

Duke e pasur parasysh se, organet e pushtetit dhe ndërkombëtarët kanë ndihmuar familjet skamnore, ky objekt i dedikuar për milicët serbë, ka qenë edhe një ndihmesë  për të gjithë, dhe nuk do të duhet  kurrsesi  të dëbohen, por të ndihmohen, nëse është nevoja,  duke ua ulur çmimin e blerjes për ata që janë duke jetuar aty qe 14 vite.

Gjatë bisedës me disa familjarë- banues, në këtë objekt, kemi mësuar se, edhe përkundër skamjes që kanë ato familje, janë të gatshëm t’i blejnë ato  banesa, përkundër asaj që kanë investuar  shuma të mëdha parash  në ato banesa që kur janë vendosura ty, ngase ato banesa  kanë qenë të pabanueshme në fillim.

Prandaj, ne “Lëvizja Vatra”, kërkojmë nga KPA-së  që të heqë dorë nga  vendimi, të heq dorë nga dëbimi i familjeve  që janë duke jetuar  në këtë objekt, apo t’ua mundësojë gjithsesi, që t’i blejnë  veta ata  që janë duke jetuar aty, ngase, edhe sipas ligjeve  në fuqi,  askujt më parë se atyre, nuk u takon tua shesin. Po ashtu, apelojmë te komuna e Gjilanit, kryetari i saj, Kuvendi Komunal, që të shfrytëzojnë të gjithë mekanizmat  e vet dhe të  gjitha ligjet, sikurse edhe Qeveria, Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe të gjitha organet tjera kompetente, të ndikojnë, që këto 32 familje  hallexhinjsh, këto familje të rasteve sociale, këta ushtarë të  UÇK-së e të UÇPMB-së, të mos mbeten në rrugë. Po ashtu mendojmë se, nëse ndodh që të dëbohen këta familjarë, është një turpërim për komunën, Qeverinë  e organet tjera kompetente të Republikës së Kosovës.

Ku do të mbeten këta hallexhinj?!

 

Gjilan, 13. 08. 2013

Lëvizja Vatra”

_________________

Sektori për Informim

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch