Reagon Lëvizja Vetëvendosje: Kosova do të ecë përpara, pavarësisht sulmeve
Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas përleshjes së sotme që ndodhi në Kuvendin e Kosovës, e që sipas tyre, ky sulm erdhi si veprim i koordinuar mes degëve të ndryshme të së njëjtës bandë.
“Krimi i organizuar dhe dora e zgjatur grusht nuk na ndalë në sjelljen e rendit dhe kushtetutshmërisë në Republikë. Sot në Kuvendin e Kosovës dora e zgjatur e atyre që nuk e duan shtetësinë, demokracinë dhe ligjin e Kosovës, u përpoq të bëhet grusht”, thuhet në reagimin e VV-së.
“Teksa kryeministri Albin Kurti po mbante fjalim duke treguar për betejën e Republikës së Kosovës për shtrirje të rendit e të ligjit në veri të vendit, disa deputetë të PDK sulmuan me grushte, si një bandë rrugaçësh, kryeministrin dhe ministrat e Kosovës”, thuhet në reagim e VV-së.
Nga Vetëvendosje, thonë se ky sulm po bëhet ndaj qeverisë së parë të Kosovës e cila nuk e ka asnjë ministër apo zëvendësministër të kontrolluar nga Beogradi.
“Ky sulm po bëhet pikërisht në një moment të rëndësishëm të ballafaqimit diplomatik e jo vetëm të Kosovës me Serbinë”, thuhet tutje në reagim.
“Ky sulm erdhi si veprim i koordinuar mes degëve të ndryshme të së njëjtës bandë: disa prej tyre i thonë vetes deputetë, disa i thonë vetes gazetarë, e disa protestues. Por Kosova do të ecë përpara në konsolidimin e shtetësisë së saj, pavarësisht sulmeve të tilla”.
Vetëvendosje thotë se mbetet e përkushtuar dhe e angazhuar për drejtësi dhe kriminelët që kanë dëmtuar shoqërinë e Kosovës për t’u pasuruar padrejtësisht, nuk do të amnistohen.
Average Rating