Home » Kulturë » RESHIDA ÇOBA: NGA KALIFORNIA, PËRURON LIBRIN E PARË NË ATDHE…

RESHIDA ÇOBA: NGA KALIFORNIA, PËRURON LIBRIN E PARË NË ATDHE…

RESHIDA ÇOBANga: Prof. Murat Gecaj

publicist e studiues-Tiranë

 

Tiranë, 12 qershor 2014

1.

Tashmë është e   ditur, sidomos për autorët e krijimeve letrare, në poezi dhe në prozë, se prurimi i librit të parë mbetet një ndër ngjarjet më të shënuara e më të bukura të jetës. Këtë ndiesi përjetoi edhe poetja Reshida Çoba, korçare dhe me banim në Los Angeles të Kalifornisë (SHBA). Atë nuk e pengoi largësia e madhe nga vendlindja, që t’i tubonte krijimet e zgjdheura poetike të saj dhe t’i bënte gati për një libër. Pak kohë më parë, ajo erdhi në Tiranë e u paraqit në Shtëpinë Botuese “Dudaj”, me të cilën nisi procedurën e lvëllimit poetik, me titullin domethënës,  “Unë, gruaja R”. Meqenëse kishte disa ditë që ishte “zhdukur”,  i dërgova një mesazh. Ajo m’u përgigj menjëherë dhe me këto fjalë të sinqerta:” Pëshëndetje, z.Murat! E di që kam “humbur”, por kam qenë plot nxitime…Më shumë kam ndenjur në Korçë e Tushemisht. Sot ka qenë dita, kur e dorëzova librin për botim,  në shtypshkronjë. Kështu, më duket se jam njeri tjetër, pa atë stres, netët pa gjumë! Pra, tani mund të takohemi për një kafe…Tiranë, 21 maj 2014”.

Nuk do të flas gjatë për takimin dhe bisedën tonë, që sigurisht ishin prapë për librine saj të parë, por dhe për disa libra të mi, që ia dhurova Reshides, me nënshkrim. Ndërsa dëshiroj të tregoj se këto ditë ajo më dërgoi, po përmes Internetit, njoftimin e gëzueshëm se vëllimi i saj me poezi kishte dalë nga shtypi. Ai do të përurohej më datën 12 qershor 2014, në librarinë “Tirana Times” (jo larg nga shkolla 9-vjeçare “Edith Durham” e kryeqytetit).

Në vendin dhe orën e caktuar, siç dëshirojnë të shprehen disa, u ndodha në mjediset e asaj librarie, e cila gjallonte nga të ftuarit, muzika etj. Kam marrë pjesë në shumë ngjarje të tilla dhe në vende të ndryshme. Por ishte hera e parë që shkoja në një përurim, i cili organizohej pranë ndonjë librarie. Sigurisht, kjo kishte kureshtjen time, ndoshta dhe të kolegëve  e miqëve tjerë pjesëmarrës, që ishin ftuar nga autorja dhe ta ndante gëzimin, bashkë me ta.

Libri Un Gruaja

 

Ballina e parë e librit të ri…

2.

Pasi zumë vendet në sallën e bukur të librarisë, që përmenda më lart, fjalën e mori Arlinda Dudaj. Ajo nënvizoi se është ngjarje e veçantë për shtëpinë e tyre botuese, që paraqesin para poetëve, shkrimtarëve e artistëve dhe familjarëve të poetes Reshida Çoba, vëllimin e parë poetik të saj. Më tej, për përmbajtjen dhe veçoritë kryesore të 50 poezive dhe vargjeve hajku, në 33 faqe, foli më imtësisht redaktori, prof. Nasho Jorgaqi. Ndër të tjera, ai tha se është mjaft pozitive që prurjet në letërsinë e sotme, nga bota e madhe femërore, po shtohen dita-ditës, si me numrin dhe cilësinë e krijmtarisë. Ndërmjet tyre, vjen tani edhe Reshida, e cila dallohet për individualitetin krijues, me zë të veçantë e original etj. Në këtë linjë foli edhe poeti Petrit Ruka, i cili e ka shkruar hyrjen e këtij libri të ri. Aty, janë edhe këto radhë: “Vetëm sinqeritete të tilla, kaq shkundëlluese në vargjet e një gruaje, mund të shtien në shpirt drithërima kënaqësish estetike…Në librin e saj të parë ka më shumë se ç’duhet prova për ta brohoritur, pa pikë droje dhe për t’i thënë:-Mirë se erdhe, Reshida, në këtë mundim të bukur shpirti për të kënduar!”

Me interes u ndoqën nga të paranishmit mendimet e paraqitura para tyre nga prof.dr. Klara Kodra, krijuesit e njohur Kozeta Zavalani e Agim Bajrami, artistja Aurela Gaçe e Vasilika Shehaj.

Në fund të këtij takimi, që u shoqëruan me recitime të poezive të kësaj autoreje, si nga Agim Xheka etj., me filmime dhe me tingujt melodiozë të një violine, mjaft e emocionuar, e nderuar dhe e vlerësuar, si nga folësit e gjithë pjesëmarrësit, Reshida Çoba i falënderoi përzemërsisht të gjithë ata. Veçanërisht, shprehu mirënjohjen për dy vajzat e saj, Edën e Valbonën, të cilat tashmë janë të rritura dhe ua ka kushtuar këtë  libër. Pastaj, në koktejin e përbashkët, përveç bisedave të këndshme e fotografimeve me ta, ajo ua dhuroi të ftuarëve, me nënshkrim, librin e saj.

Sigurisht, ky shkrim mund të shoqërohej edhe me një koment më të zgjeruar rreth përmbajtjes dhe vlerave kryesore të librit të poetes Reshida Çoba, “Unë, gruaja R.”, gjë që ia vlen dhe mund të bëhet, në një rast tjetër. Sidoqoftë, atë e përshëndesim, e përgëzojmë dhe i urojmë çdo të mirë në jetë e udhë të mbarë në krijimtarinë poetike, burim i shpirtit të saj të butë dhe dashamirës.

Tiranë, 12 qershor 2014

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch