Home » Lajme, Vendore » RTP lajmet 17 janar 2014

RTP lajmet 17 janar 2014

RTP-Logo–          Shoqata Humanitare “Lugina e Preshevës”, me seli në Zvicërr ndanë ndihma materiale

–          Shqiptarët e Luginës së Preshevës, kërkojnë të jenë pjesë e vendimmarrjes në Serbi

–          Përfaqësues të Zyrës për të Rinj nga Bujanoci po qëndrojnë në një vizitë në Obrenovc

–          Arrestohen disa persona në Preshevë

————————

Shoqata Humanitare “Lugina e Preshevës”, me qendrën e saj në Gossau të St.Gallenit, në Zvicërr vazhdoi aktivitetin e vet me dhënien e ndihmave në Luginë të Preshevës. Kjo shoqatë, dje në lokalet e Restorant Europa 3, në afërsi të fshatit Çukarkë të Preshevës, në krye me kryetarin e saj Fazli Musliu ka ndarë ndihma materiale për të gjithë familjet e dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve të luftës së ish Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc. Fazliu, para të pranishmive tha se kjo shoqatë, ishte, është dhe do të mbetet, duke i falenderuar të gjithë bashkëatdhetarët tanë që kanë kontribuar për të. Shoqata Humanitare “Lugina e Preshevës” ndau ndihma për 38 persona, me një shumë të përgjithshme prej 5.050 franga zvicerane, për ata që më së shumti kanë në nevojë. Në ceremoninë e ndarjes së këtyre ndihmave, prezent ishin dhe me nga një fjalë rasti para të pranishmive u paraqitën edhe dy kryetarët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së ish UÇPMB-së në Preshevë dhe në Bujanoc, Nazmi Hajredini e Afrim Agushi. Ata me këtë rast kërkuan nga bashkëatdhetarët tanë që të vazhdojnë të kontribojnë sa më shumë të jetë e mundur, që nëpërmjet shoqatës “Lugina e Preshevës” të ndihmojnë edhe më tej familjarët, invalidët dhe veteranët e luftës së UÇPMB-së si dhe popullatën tjetër në përgjithësi, e cila po jeton në kushte shumë të vështira ekonomike.

——————————

Sipas një raporti të top-channel, shqiptarët e Luginës së Preshevës, pas formimit të qeverisë së Kosovës, kërkojnë të jenë pjesë e vendimmarrjes në Serbi. Sipas liderëve politik Qeveria serbe nuk ka treguar gatishmëri për pjesëmarrjen e shqiptarëve në institucione, pavarësisht se kjo do të ishte e mundur. Kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, thotë se pret një angazhim më serioz të Qeverisë serbe në këtë drejtim. “Kujtoj se për këtë duhet të japë një kontribut të veçantë qeveria e Kosovës në vazhdën e bisedimeve Prishtinë-Beograd. Gjithashtu edhe komuniteti ndërkombëtar i instaluar në Beograd dhe vetë BE-ja.” Ndërsa njëri nga dy deputetët shqiptarë që janë takuar më parë edhe me zyrtarët e qeverisë para formimit të saj, Riza Halimi, thotë se të paktën shqiptarët duhet të kenë udhëheqjen për institucionet që janë në Luginë të Preshevës. “Nuk kishim ambicie për ministra, por kërkonim pjesëmarrje në trupin koordinues që është organ i qeverisë serbe, ekskluzivisht për Preshevën, që udhëhiqet nga kuadro nga Beogradi që nuk i dinë rrethanat e Preshevës. Shqiptarët duhet të kenë fjalën kryesore në Preshevë”, ka theksuar Halimi, për top-channel.

—————————-

Një grup prej tetë personash nga Zyra për të Rinj nga Bujanoci po qëndron në një vizitë tre ditore në qytetin e Obrenovcit në kuadër të projektit “Ç’paketimi 2014” cili financohet nga Bashkimi Evropian. Projekti në fjalë dhe vizita e vullnetarëve nga Bujanoci, e udhëhequr nga Vjollca Aliu, ka për qëllim prezantimin e kulturës nga Bujanoci dhe prezantimin e aktiviteteve të Zyrës për të Rinj nga ky qytet në Jug të Serbisë. Ky prezantim është realizuar dje në hapësirat e Zyrës për të Rinj të qytetit të Obrenovcit të cilët janë edhe nikoqir të të rinjve nga Bujanoci, transmeton portali informativ titulli.com. Prezantimi është bërë në formën e fotografive dhe videove për të vazhduar pastaj edhe prezantimi i të rinjve për qytetin e Obrenovcit, sidomos për vullnetarizmin e të rinjve në vërshimet e fundit që mbuluan pothuajse të gjithë këtë rajon.

—————————————

Sipas një njoftimi të cilin e publikoi sot portali informativ presheva.com, policia në Preshevë ka arrestuar Isa Miftarin, i lindur më 1973 nga Presheva dhe Isuf Afizin, i lindur më 1955 gjithashtu nga Presheva, për shkak të dyshimit se kanë kryer kontrabandë të mallrave me akcizë. Në njoftim thuhet se në një vendkalim alternativë në territorin e komunës së Preshevës me Kosovën, në veturat që i kanë drejtuar ata, policia ka gjetur 900 kilogram duhan. Atyre me këtë rast iu është konfiskuar vetura Jeep “Grand Cherooke” i cili ka qenë pa targa dhe pa dokumentacione, njofton policia. Kundër tyre do të ngritet vepër penale për tregti të paligjshme të mallrave me akcizë. Në aksion të njejtë është përfshirë edhe Xhelal Kadriu, i lindur më 1982, për shkak të dyshimit se ka shmangur tatim me më shumë milionë dinarë. Kundër tij do të ngritet akuzë penale për shkak të një numri të madh të shpërdorimeve në biznes.

————————————

Ministrja për Dialogun Edita Tahiri, njëherësh kryenegociatore për implementim në dialogun e Brukselit, ka udhëtuar atje për të marrë pjesë në takimet e radhës ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në agjendën e takimeve janë çështjet e energjisë, sigurimit kufitar të automjeteve, çështja e licencimeve të kompanive të pjesës veriore të Kosovës nga institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës dhe çështja e importit të medikamenteve. “Nga këto takime pritet të arrihen dakordime në fushat e lartpërmendura, si dhe të hartohen plane për zbatim të mëtejmë të Marrëveshjes për Normalizimin e Marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në një njoftim të Qeverisë së Kosovës.

—————————————–

Disa nga ndërmarrjet publike në Serbi mund të bien në pronësi të biznesmenëve kosovarë. Ky shtet ua ka hapur dyert investitorëve kosovarë që dëshirojnë të marrin pjesë në procesin e privatizimit në këtë vend. Procesi i privatizimit në Serbi është në raundin e fundit ku janë paraparë të privatizohen afër 2000 ndërmarrje të sektorëve të ndryshme në këtë vend. Nexhat Behluli – Koordinator për ndërmarrje të vogla dhe të mesme në Komunën e Bujanocit, i cili është edhe i autorizuar nga Agjencioni i Privatizimit Serb për të hulumtuar dhe gjetur blerës dhe pjesëmarrës në këtë proces, ka thënë se e tëra kjo është një mundësi që t’i inkurajojnë edhe bizneset kosovare për të marrë pjesë në këtë proces i cili mund të jetë i rëndësisë së veçantë në dimensione të shumta. Ai po ashtu në takim me kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, dorëzoi edhe regjistrin final me informacione të nevojshme për kompanitë nga Serbia që janë në këtë raund të privatizimit. Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, theksoi se bashkëpunimi ekonomik është i rëndësisë së veçantë me të gjitha shtetet dhe në veçanti me Serbinë.

—————————————

Nuk ka datë për fillimin e negociatave për Maqedoninë as në Samitin e sivjetmë të Unionit. Në takimin e krerëve të shteteve anëtare të BE-së, më 19 dhe 20 dhjetor, nuk do të shqyrtohet mundësia për dhënien e datës, por Këshilli do t’i rikthehet çështjes së Maqedonisë, vitin e ardhshëm, në çdo kohë të mundshme, por vetëm pasi vendi të ketë treguar progres domethënës në promovimin e marrëdhënieve të mira ndër-fqinjësore dhe zgjidhjen e problemit të emrit. Një detaj akoma më i rëndësishëm, është se raportoi e kategorizon Maqedoninë, një vend më poshtë. Në raportin e këtij viti Maqedonia figuron në pjesën e marrëveshjes për stabilizim asociim dhe jo atë për zgjerim siç figuronte një vit më parë. Eksiton nevoja që bisedimet e stërzgjatura për çështjen e emrit, të afrohen drejt zgjidhjes përfundimtare pa vonesa të mëtejshme. Nevojitet një veprim vendimtar. Këshilli pret veprime konkrete edhe në marrëdhëniet me Bullgarinë. /RTP/

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress