Home » Lajme, Vendore » RTP lajmet 20 Shkurt 2015

RTP lajmet 20 Shkurt 2015

–          Këshilli Kombëtar Shqiptar mbanë mbledhjen e radhës

–          Në doganën e Preshevës zbulohet sasi e duhanit të grirë

–          Lista Sërpska i vë kushte për kthim Qeverisë së Isa Mustafës

–          Del nga botimi libri “Kontabiliteti Buxhetor” i Shefket Jakupit e Llokman Hebibit

—————————————————

RTP logoNë seancën e djeshme të mbajtur të Këshillit Kombëtar Shqiptar, është bërë verifikimi i mandatit të anëtarit të ri të këtij organi, Edmond Isufi në vend të anëtares së deritanishme Elvere Salihut. Pro emërimit të anëtarit të ri Edmond Isufi nga radhët e Partisë Demokratike, ishin të gjithë anëtarët prezent në mbledhje. Veç verifikimit të mandatit, këshilltarët kanë shqyrtuar dhe aprovuar planet strategjike për vitin 2015 të komisionit për arsim parashkollor, fillor dhe të mesëm, për arsim të lartë dhe shkencë, për përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe dhe shkrimit të saj, si dhe për rini dhe shoqëri civile. Në këtë seancë të dytë të KKSH-së për vitin 2015 u shqyrtuan dhe aprovuan kërkesat ë Kuvendit Komunal të Preshevës për propozimin e anëtarëve të këshillit të shkollës për gjimnazin “Skënderbeu”, shkollën e mesme teknike “Presheva”, shkollën fillore “9 Maji” Leran, si dhe propozimin e një anëtari për këshillin e shkollës fillore “Zenel Hajdini” në Raincë, pas dorëheqjes së njërit nga anëtarët. Për dallim nga kërkesat e Kuvendit Komunal për shkollat e lartpërmendura që morë dritën e gjelbër, kërkesa e gjimnazit “Skënderbeu” nga Presheva për rishqyrtim të mendimit për një paralele shtesë, nuk ka marrë pëlqimin e kuvendarëve, andaj kjo është lënë për ndonjërën nga mbledhjet e radhës.

—————————————————

Doganierët në stacionin hekurudhor në Preshevë, mbrëmjen mes së mërkurës dhe të enjtes kanë parandaluar kontrabandimin e rreth 30 kilogramëve duhan të grirë të pronarit deri më tani të panjohur. Siç ka njoftuar drejtoria doganore , shkelja është zbuluar pak pas mesnate, pas një kontrollimi të detajuar të trenit të udhëtarëve i cili po lëvizte në linjën e rregullt Selanik-Beograd. Duhani i grirë i paketuar në 20 kuti kartoni dhe në 12 qese najloni, ishte fshehur në tualetin e trenit, në hapësirën prapa lavamanit. Me që deri në largimin e trenit nga stacioni askush nuk u paraqitë si pronar i duhanit të gjetur, procedura kundërvajtëse është nisur ndaj personit të panjohur, ndërsa pas përfundimit të procedurës duhani ka të ngjarë që të shkatërrohet, pasi bëhet fjalë për mall me akcizë. Duhet theksuar se edhe muajin e kaluar në të njëjtin stacion në tavanin e lokomotivës ishin zbuluar 98 kilogramë të duhanit të grirë, gjithashtu pa pronar.

—————————————————

Ministrat e brendshëm të Hungarisë, Serbisë dhe Austrisë kanë nënshkruar dje në Beograd një marrëveshje bashkëpunimi për të ndaluar valën e imigrantëve ilegalë nga Kosova, raporton KTV. Ministri i Brendshëm serb, Nebojsha Stefanoviq, ka thënë se numri i imigrantëve ilegalë nga Kosova është ulur falë bashkëpunimit me policitë e vendeve fqinje. Ai ka thënë se në kapjen e imigrantëve ka ndihmuar edhe përdorimi i kamerave termike, rritja e patrullave të policisë kufitare dhe angazhimi i xhandarmërisë, transmeton koha.net. Ministrja e Brendshme e Austrisë, Johanna Mikl Leitner, ka theksuar se është rritur ndjeshëm numri i kërkesave për azil nga kosovarët, duke shtuar se kjo ka çuar në “bllokimin e sistemit për pritjen dhe ndihmën ndaj azilkërkuesve”. Ministrat janë pajtuar se problemet e imigrimit ilegal, lufta kundër krimit të organizuar, terrorizmi dhe ekstremizmi nuk janë problemet të vendeve të veçanta, por për zgjidhjen e saj duhet të angazhohen të gjithë.

—————————————————

Lista Srpska, kryetarët e të gjitha komunave serbe dhe përfaqësuesit e serbëve, më 26 shkurt pritet të takohen me kryeministrin Aleksandar Vuçiç. Siç mëson e përditshmja e Beogradit “Novosti”, në atë takim duhet të miratohet vendimi për mospjesëmarrjen e serbëve në institucionet e Kosovës, në të cilat kanë “ngrirë” pjesëmarrjen për shkak të vendimit të kryeministrit Isa Mustafa që ta shkarkojë, ministrin për Kthim dhe Komunitete, Aleksandar Jabllanoviç.

—————————————————

Lista Serbe, që ka pezulluar pjesëmarrjen e saj në Qeverinë e Kosovës prej 3 shkurtit, tani ka vënë kushte për t’u rikthyer në Ekzekutiv dhe Kuvend. Burime të gazetës kanë thënë se Serbia, nëpërmjet kësaj liste, po mundohet që si kompensim për largimin e Jablanoviqit t’iu vërë kushte partnerëve të koalicionit PDK-LDK, për lejimin e propozimit të emrit për zëvendësshef të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), shkruan sot Koha Ditore. Qysh para shkarkimit të Jablanoviqit, gazeta pati shkruar se kryeministri serb, Aleksandër Vuçiq, po insiston që ta vendosë njeriun e tij për zëvendësshef të AKI-së. Zyra për informim e Qeverisë së Kosovës nuk ka pohuar as mohuar në lidhje me “kushtin” e serbëve. Ata nuk kanë qenë në gjendje as të japin ndonjë përgjigje të saktë se kur do të rikthehen zyrtarët serbë në Qeveri.

—————————————————

Fushës së ekonomisë drejtimit të kontabilitetit i është shtuar një libër nga autori Shefket Jakupi, doktorant i Ekonomisë dhe Llokman Hebibi kandidat për doktorant në Ekonomi. Të dy autorët kanë përgatitur librin “Kontabiliteti Buxhetorë” i cili do të shërbej për studentët e universiteteve të ndryshme në Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri. Shefket Jakupi, njëri nga autorët thotë se ky libër i botuar është përgatitur me përkushtim të lartë sepse tregu shqiptar ka mungesë të librave shkencorë të këtillë. “Në bashkëpunim me autorin tjetër Llokman Hebibi jemi munduar të sjellim praktika dhe shembuj të ndryshëm nga Maqedonia dhe vendet e rajonit. Besojë se ky libër do të përdoret në mënyrën më të mirë të mundshme nga student që përgatiten në kontabilitet”, tha Jakupi për portalin Titulli.com. Ai është shprehur se libri “Kontabiliteti Buxhetor” sjell përvojat më mira të kontabilitet në sektorin publike dhe joqeveritarë. Autorët e librit punojnë nëpër universitete të ndryshme më Maqedoni, Kosovë, Serbi dhe Shqipëri dhe ky është projekti i parë i përbashkët në fushën e ekonomisë drejtimit të kontabilitetit./RTP/

 

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress