Home » Lajme, Vendore » RTP lajmet 21 Janar 2015

RTP lajmet 21 Janar 2015

RTP-Logo–          Në aksident trafiku afër Predejanës lëndohen dhjet veta

–          Është bërë zhvendosja e autotaksive në Preshevë

–          A do të jetë edhe Trepça temë bisedimesh në Bruksel

–          Kryeparlamentari shqiptar Ilir Meta ka nisur dje vizitën dy ditore në IRJM

——————————————

 

Dhjetë vetë u plagosën, nga të cilët pesë rëndë, në një përplasje zinxhir në autostradën Beograd – Shkup, në afërsi të Predejanës. Në mesin e të lënduarve është një femijë, si dhe një qytetare maqedonase nga Kumanova, Valentina Stefanovska. Sipas televizionit serb “RTS”, shtatë të plagosurit u shtruan në qendrën emergjente në Leskovac, ndërsa të tjerët janë transferuar në Spitalin e Nishit. Qytetarja maqedonase me lëndime të rënda është transferuar në spitalin e Vranjës. Dëshmitarët për “RTS” thonë se përplasja zingjirore ndodhi në mes të një kamion që vinte nga drejtimi i Leskovcit, por i cili u kthye në anën e kundërt të rrugës dhe u përplas me një furgon dhe pastaj një kamion tjetër.

———————————————-

Është bërë dje zhvendosja e auto-taksive të cilët kanë operuar në linjat Preshevë-Miratoc, Preshevë-Bujanoc-Vranjë, Preshevë-Kumanovë si dhe fshatrave në pjesën lindore të qytetit të Preshevës (Ashan, Geraj, Zhunicë, Leran, Bushtran, etj.) si dhe auto-taksive që kanë operuar brenda qytetit të Preshevës, të cilët deri tani kanë qenë të parkuar në rrugën Karposh dhe 15 Nëntori. “Auto-parkimi i ri i automjeteve me të cilët ndërmarrësit ushtrojnë veprimtarine auto-taksi në relacionet e lartë cekura është përcaktuar me Vendim të Kuvendit komunal të komunës së Preshevës dhe tani e tutje do të gjendet në rrugën Zenel Ajdini, e cila hapësirë me projekt të komunës së Preshevës kohë më parë është asfaltuar dhe sinjalizuar në mënyrën përkatëse,” ka thënë inspektori për komunikacion, Ilir Sadriu.

—————————————————

Autori i panjohur i cili mbrëmjen e 25 majit të vitit 2014 shtiu me armë zjarri në drejtim të kalimtarit të rastit Shenor Hamidi, edhe sot e kësaj dite nuk është zbuluar. Tashmë kur kanë kaluar afro tetë muaj Gjykata e Lartë në Vranjë ka njoftuar viktimën se ka ndërprerë hetimet duke dhënë sqarime që për familjarët nuk janë bindëse. Shenor Hamidi, natën e 25 majit të vitit 2014, rreth orës 23:30 minuta nga drejtimi i fshatit Turi po kthehej në shtëpi në fshatin Tërnoc të komunë së Bujanocit, kur papritmas veturën Volkswagen Golf 2 që po e ngiste, e kanë përshkuar plumbat e armës së kalibrit të vogël. Fatmirësisht atë mbrëmje Shenori 24 vjeçar nuk u lëndua, përderisa vetura mori rreth gjashtë plumba në pjesë të ndryshme. “Nuk jemi fare të kënaqur, Gjykata na ka kthyer përgjigjen se ndërpret hetimin mbi rastin. Kjo na ka lënë të habitur të gjithëve, ne do të kërkojmë drejtësi, ndërsa në këtë betejë tonë për të zbuluar kryesin e kësaj vepre ftojmë të na bashkëngjiten edhe njerëz kompetent”, i tha portalit informativ Titulli.com, Vaxhid Hamidi, babai i Shenorit.

—————————————————–

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të jashtme i Kosovës Hashim Thaçi, dje në Vjenë ka mbajtur një prezantim të diplomacisë ekonomike kosovare. Thaçi ka përmendur një varg investimesh që janë bërë në këtë sektor në Kosovë, por vë në pah nevojën që “ka ardhur koha të merremi me projekte infrastrukturore më të mëdha rajonale”.

—————————————————

Pothuajse dy të tretat e borxhit të pretenduar ndaj “Trepçës” janë bërë nga Kosova. Rreth 910 milionë euro është borxhi që pretenduesit dhe kreditorët nga Kosova kanë ndaj “Trepçës”. Borxhi që pretendojnë të gjithë pretenduesit kreditorë, sipas AKP-së, është rreth 1.4 miliard euro. Pretendimet nga Serbia janë në vlerë prej 336 milionë eurove, shkruan sot Koha Ditore. Agjencia Kosovare e Privatizimit ka refuzuar t’i japë në detaje kërkesat që janë parashtruar nga pretenduesit dhe kreditorët ndaj “Trepçës”, duke u arsyetuar se kjo mund të shkaktojë hutim në publik. Kanë dhënë vetëm shumë totale të pretendimeve, që, sipas tyre, është 1.4 miliard. Por gazeta ka marrë vesh që fjala është për 1 miliard e 334 milionë euro. Shifra prej 1.4 miliardëve për herë të parë është përmendur nga kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, kur është arsyetuar për tërheqjen e Ligjit për ndërmarrjet publike nga votimi në Kuvendin e Kosovës.

—————————————————-

Brukseli, që është ndërmjetësues i dialogut Kosovë-Serbi, ka kërkuar të shmanget çdo përshkallëzim dhe devijim i mëtejmë sa u përket dilemave rreth “Trepçës”, shkruan sot Koha Ditore. Zyrtarë nga kryeqendra evropiane, teksa kanë përmendur mundësitë për shmangien e likuidimit të “Trepçës”, janë shprehur se ligji i ri i miratuar në Kuvend jep kohë për adresim të duhur të kësaj çështjeje. “Ne po e përcjellim për së afërmi gjendjen. Është e rëndësishme të shmanget ndonjë përshkallëzim i mëtejshëm dhe devijim i gjendjes. Ekzistojnë mundësi të ndryshme për shmangien e likuidimit të ‘Trepçës’”, ka thënë për gazetën Maja Kocijançiq, zëdhënëse e shefes për Politikë të Jashtme në BE, Federica Mogherini. “Është mirë që ligji i ri i adaptuar dje në Kuvend në Prishtinë jep pak kohë për adresim të çështjes”. Ndryshimet që janë bërë në këtë ligj i japin fillimisht AKP-së edhe 18 muaj afat shtesë për të bërë gati vizionin për “Trepçën”.

——————————————————

Velko Odaloviç ka thënë se qeveria e Serbisë në dialogun e Prishtinës nuk do ta përfshijë vetëm Trepçën, por edhe Brezovicën dhe Postën. “Mendoj se temë nuk duhet të jetë Trepça, por pasuria e Serbisë në Kosovë. Nuk është vetëm Trepça ndërmarrje publike. Atje është edhe Qendra për Ski, atje është një pjesë e madhe e pasurisë së Telekomit, Postës, NIS-it”, tha sekretari i përgjithshëm i MPJ-së së Serbisë Veljko Odaloviq për RTS-në. Odaloviq ka vlerësuar se në rastin e Trepçës bëhet fjalë për rrëmbim të një institucioni, porse përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare me të cilët ka biseduar Serbia, kanë treguar një shkallë të lartë mirëkuptimi për këtë temë.

——————————————————–

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, nisi dje një vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë me një pritje dhe takim nga kryetari i Asamblesë së Maqedonisë, Trajko Veljanoski. Në takim, kryetari i Kuvendit, Meta, shoqërohej prej deputetëve Ilir Xhakolli, kryetar i Grupit të Miqësisë Shqipëri-Maqedoni, Fatmir Toçi, Luan Rama dhe Piro Kapurani. Në fokus të bisedimeve mes tyre ishte forcimin e bashkëpunimit ndërparlamentar, përmes grupeve të miqësisë, komisioneve reciproke dhe administratave të të dy Parlamenteve, duke u fokusuar në prioritetet e procesit të integrimit evropian dhe në konkretizimin e bashkëpunimit dypalësh, kryesisht në fushat e transportit, agro-përpunimit, arsimit dhe turizmit. Kryetari i Kuvendit, Meta, u ndal gjithashtu në rëndësinë që Shqipëria i kushton përshpejtimit të zbatimit integral të të gjitha pikave të Marrëveshjes së Ohrit, si dhe zhvillimin ekonomik e social të pjesës perëndimore të Maqedonisë, me rezultate të prekshme për mirëqenien dhe integrimin e mëtejshëm të shqiptarëve në vendin fqinj, duke shprehur mbështetjen e pakursyer të Shqipërisë ndaj proceseve integruese euro-atlantike të Maqedonisë. /RTP/

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress