Home » Lajme, Vendore » RTP lajmet 30 Janar 2015

RTP lajmet 30 Janar 2015

–          Një grup studentësh nga Beogradi vizituan Këshillin Kombëtar Shqiptarë

–          Papunësia, problem kyç për banorët e Luginës

–          Platforma e re për Kosovën nuk do të ketë efekt në Bruksel

–          Lubisha Dikoviq dyshohet të jetë përgjegjës për krime lufte në Kosovë

———————————————————

RTP logo2Dje një grup prej 20 të rinjve nga Serbia, kryesisht studentë të shkencave juridike dhe politike të organizuar nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, në kuadër të programit të Këmbimit Rajonal, vizituan Këshillin Kombëtar Shqiptar. Kryetari i KKSH-së, Jonuz Musliu ata i priti në selin e këtij institucioni dhe para tyre elaboroi gjendjen politike dhe të sigurisë. Gjatë elaborimit të kryetarit Musliu me theks të veçantë ishte raundi i ardhshëm i bisedimeve të Brukselit në shkurt mes Prishtinës dhe Beogradit. Musliu gjithashtu theksoi se pa zgjidhjen e problemit politikë të Luginës së Preshevës në Ballkan edhe më tej nuk do të ketë qetësi. Për më tepër në vazhdimësi kemi kërkuar që në kuadër të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit të diskutohet edhe për Luginën e Preshevës, ngase reciprociteti është kërkuar me të gjitha dokumentet e përbashkëta të të gjitha partive politike shqiptare dhe për ne standardet e dyfishta janë të papranueshme. Bisedimet njëherë e përgjithmonë duhet të zgjidhin çështjet që kanë të bëjnë me serbët në Kosovë por njëkohësisht duhet të reflektojnë edhe zgjidhjen e çështjes politike të Luginës së Preshevës.

———————————————————

Për kryetarin e komunës së Preshevë, Ragmi Mustafa, problemi kryesor dhe i pakontestueshëm, për banorët e Luginës së Preshevës, është papunësia. Sipas tij, papunësia në Preshevë, me vite radhazi është 70 për qind, ndërsa kohëve të fundit ajo është edhe më e madhe. Ai mendon se të gjitha qeveritë e Beogradit deri më tani kanë qenë të pa interesuara për zhvillimin ekonomik të këtij territori. Mustafa rikujton planin për ndërtimin e zonës industriale me hapësirë prej 16 hektarësh, në lokacionin e bashkësisë lokale në Çukarkë, për të cilin plan nuk ka ardhur asnjë dinarë, edhe pse disa ministra të mëparshëm të Qeverisë serbe, kanë premtuar mbështetje serioze.

——————————————————–

Kryetari i komunës së Bujanocit, Nagip Arifi në një prononcim për agjencinë jugpres ka thënë se mos zhvillimi ekonomik është i vetmi armik jo vetëm për shqiptarët, por edhe për serbët, sikur që është për Serbinë, Kosovën, Maqedoninë dhe Shqipërinë. Të gjithë ata janë në pozitë shumë më të vështirë në dallim me shtetet perëndimore, ka konstatuar Arifi, duke theksuar se njerëzit shikojnë jetë më të mirë, prandaj edhe mu për këtë “ikin serbët dhe shqiptarët”. Arifi mendon se është bërë pak në fushën e zhvillimit ekonomik.  “Ndahen mjete nga Trupi Koordinues për ndihmë të kompanive të mesme dhe të vogla për hapjen e vendeve të reja të punës, mirëpo këto mjete nuk janë të mjaftueshme“, ka vlerësuar Arifi, duke shtuar se investimet e huaja janë shansi më i madh.

——————————————————-

Problemi më i madh në Bujanoc është hapja e vendeve të reja të punës, ka deklaruar zëvendësi i kryetarit të komunës Stojança Arsiq, duke treguar se në qeverisjen lokale „kanë problem që t’ia mbjellin në mendje njerëzve se nuk do të ketë punësim në administratën komunale dhe në sektorin publik”. “Tash e vetmja çka është reale është se ekziston hapja e vendeve të reja në prodhim“, ka theksuar Arsiq duke sqaruar se „prodhimi mbush buxhetin, ndërsa administrata vetëm e harxhon“. Duke komentuar në pohimet e disa liderëve shqiptar se të rinjtë ikin nga Bujanoci për shkak të shtetit, Arsiq ka konstatuar se të rinjtë ikin edhe nga Kosova, dhe ka konstatuar se largohen edhe serbët, mirëpo jo jashtë vendit, por në drejtim të Beogradit. “Nuk është e rëndësishme a bëhet fjalë për shqiptarët, serbët, romët, të gjithë kanë dëshirë që të vijnë deri tek vendi i punës, ai është qëllimi i tyre kryesor dhe prioriteti ynë momentalisht“, ka theksuar Arsiq.

——————————————————–

Kur bëhet fjalë për papunësisnë në Luginë të Preshevës, Kryetari i Trupit Koordinues për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Zoran Stankoviq thotë se duhet “të gjitha forcat të bashkohen” dhe të caktohen prioritetet dhe mundësitë për biznesin në këtë pjesë të Serbisë. “Duhet të definohen qëllimet e qarta nga të cilat do të kalojnë realizimet konkrete. Po nëse nuk ka, kjo do të mbetet vetëm tregim pa rezultate dhe ndihma konkrete, jo vetëm të shtetit por edhe të strukturave politike“, ka thënë Stankoviq.

——————————————————

Kryetari i Komunës së Bujanocit ka nënshkruar dje kontratën për ndërtimin e rreth-rrotullimit në hyrje të Bujanocit me vlerë rreth 73 milion dinarë, pa tatimin në vlerën e shtuar. Ky projekt kapital që është dashtë të fillojë ndërtimin vitin e kaluar, sikurse edhe godina e fakultetit, për arsye që i dinë kryetari, është shtyrë për vitin 2015-të. Projekti në fjalë, përveç ndërtimin e rreth-rrotullimit, ka edhe rregullimin e rrugës së Gjilanit dhe ajo që shpie për në Vranjë, ndërsa momentalisht komuna për këtë projekt që pritet të përfundojë deri në fund të këtij viti, ka ndarë 25 milion din., kurse pjesëmarrës në realizim do të jetë edhe Trupi Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Me këtë kontratë, ndërtimin e rreth-rrotullimit me infrastrukturën përcjellëse e ka marrë përsipër kompania nga Presheva “Saba Bellça”.

———————————————————

E ashtuquajtura platformë e re për Kosovën, të cilën e ka paralajmëruar kryetari i Serbisë Tomilsav Nikoliq, nuk do të ketë efekt në Bruksel, konsideron James Ker-Lindsay, studiues nga Londra në London Economic Scool. Ajo thjesht do të injorohet, ka thënë ai. “Nëse ajo nuk do të thotë ftesë që Serbia ta njohë Kosovën shet të pavarur, platforma thjesht do të injorohet në Bruksel. Pikëpamja e shumicës së vendeve të Bashkimit Europian është se ka kaluar koha për shqyrtimin e statusit të Kosovës. Padyshim se nuk ka interes që tash të shqyrtohet çfarëdo opsioni për Kosovën sikur që është ndarja. BE konsideron se me Marrëveshjen e prillit të vitit 2013 Serbia ka pranuar që Kosova të mbetet unike dhe që serbët e Kosovës duhet të integrohen në strukturat politike të Kosovës. Në Union është shumë e përhapur pikëpamja se Serbia ka pasur shansin që të përpiqet të paraqesë alternativa, porse ky moment ka shkuar”, thekson Lindsay për” Danas”, përcjell koha.net . Duke komentuar detyrat që Serbia sivjet i ka në rrugën evropiane, Lindsay thekson se ka shumë hapa që duhet të ndërmarrë dhe se para së gjithash duhet ta gjejë mënyrën si të trajtohet çështja e Kosovës në kapitullin 35.

————————————————————

Fondi për të Drejtën Humanitare ka kumtuar se posedon dokumente që dëshmojnë se shefi i Shtabit të Përgjithshëm Ljubisha Dikoviq drejtpërsëdrejti është përgjegjës për krime lufte në Kosovë. Në konferencën për gazetarë, njofton B92, transmeton Koha.net, në të cilën është prezantuar dosja e Rudnicës, Dikoviq është përgjegjës për krimet në Rezallë dhe në Çikatovë të Vjetër si dhe për fshehjen e trupave në varrezën masive në Rudnicë. Përfaqësuesit e Fondit për të Drejtën Humanitare kanë bërë të ditur të enjten se dokumente ushtarake dhe policore të Serbisë si dhe deklaratat e dëshmitarëve okularë dëshmojnë se në vrasjen e 68 civilëve shqiptarë në fshatrat Rrezallë dhe Çikatovë, në Kosovë, të kryera në vitin 1999, kanë marrë pjesë ushtarët e Brigadës së 37-të të Motorizuar të Ushtrisë serbe, komandant i së cilës asokohe ka qenë shefi i tanishëm i Shtatmadhorisë së Ushtrisë Serbe, Lubisha Dikoviq. Dosje, ndër të tjera ofron shikim për shënimet dhe dëshmitë për katër krime të pjesëtarëve të Ushtrisë dhe të MPB-së të Serbisë bërë në prillin dhe në majin e vitit 1999 në Kosovë në të cilat janë vrarë civilët shqiptarë nga Kosova trupat e të cilëve janë ekshumuar nga varreza masive e Rudnicës në vitin 2014 si dhe për aktin e “asanimit të vend betejës” në kuadër të të cilit trupat e viktimave ishin larguar nga vendi i krimit dhe ishin fshehur 15 vjet.

————————————————–

Ministri për Kthim dhe Komunitete, Aleksandar Jabllanoviq që u bë “shkas” për ndezjen e demonstratave të dhunshme në Prishtinë, ka deklaruar se nuk e ka ndërmend të japë dorëheqje, ndërsa edhe Qeveria e Kosovës duket e pafuqishme për ta shkarkuar nga detyra. Madje analistët dhe opozita kosovare thotë se për “fatin” e ministrin Jabllanoviq nuk vendosë Qeveria e Kosovës, por ajo e Serbisë, shkruan “Zëri”. “Në asnjë moment nuk kam pasur dilemë a duhet të japë dorëheqje. Nuk kam shkelur rregullat që vlejnë për ministrat…Kërkesa për dorëheqjen time është vetëm shkas për ndërrimin e qeverisë kosovare, ngase opozita shqiptare nuk ka mundësi të vijë në pushtet me metoda demokratike. E për dorëheqjen as që më shkon në mendje ta bëjë”, ka deklaruar Jabllanoviq në një intervistë për “Novosti.

———————————————————

Të mërkurën në orën 12:00, do të mblidhemi sërish te sheshi “Zahir Pajaziti” për të vazhduar në drejtim të Qeverisë së Kosovës. Kërkesat tona janë të njëjta. Shkarkimi i Jabllanoviqit dhe ligji për “Trepçën”. Jemi duke u koordinuar edhe me AAK-në dhe NISMA-në për detajet”. Kështu ka thënë lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, gjatë konferencës që u mbajtë në selinë e partisë së tij./RTP/

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress