Home » Lajme, Opinione » Sa është i arsyeshëm formimi i gjykatës speciale?

Sa është i arsyeshëm formimi i gjykatës speciale?

XHAVIT ÇITAKUKa mbetur edhe pak kohë për t’u formuar ky mekanizëm evropian, mirëpo do të ishte shumë me vend që fokusi të përqendrohet në zhvillimin ekonomik dhe kështu të ndërpritet “ikja” e qytetarëve të Kosovës

Shkruan: XHAVIT ÇITAKU

Sipas BE-së  prioritet parësor pas ndërtimit të institucioneve të vendit është përkrahja dhe pëlqimi që deputetët e Parlamentit duhet t’i japin formimit të Gjykatës Speciale, e cila praktikisht dhe juridikisht do të veproj jashtë kufijve të Kosovës. Nëse i përmbahemi aktit më të lartë, Kushtetutës, një kërkesë dhe insistim i tillë nuk ka mbështetje juridike, të cilën e dinë edhe ata  që me të gjitha mjetet po bëjnë trysni të jashtëzakonshme që shumë shpejt kjo kërkesë e tyre të realizohet dhe votohet në Parlament.

Gjykata speciale si organ paralel i tri instancave të tjera të drejtësisë

Të kërkosh të kryhet një veprim jashtëkushtetues nga BE është barazi me atë që ta detyrosh dike që me “ sy në ballë” të bëj vepër penale që është e dënueshme me të gjitha normat e ligjet pozitive të një vendi. Dorën në zemër,  asnjëri nga shtetet  që kaq shumë i japin “ zjarr” kësaj çështjeje, që fund   krye janë supozime se disa ish-drejtues të UÇK-së kanë krye vepra penale, nuk do të kishte pranuar formimin e një gjykate “ fantome” për të akuzuar e dënuar qytetarët apo luftëtarët e saj. Nuk është çështja se jam kundër formimit të kësaj gjykate, por kjo mënyrë e veprimit po e prek në thelb prishjen e konstitucionalizmit të vendit me elemente të jashtme që nuk e ka asnjë vend në botë. Nuk e ka as Serbia, e cila ka kryer gjenocid mbi popujt e tjerë në ish- Jugosllavi, por nuk e ka as Ruanda, në të cilën u vranë mbi një milionë njerëz. Thënë konkretisht, shqiptarët kah të sillen e pështillen janë të ballafaquar me organe gjyqësore e policore të huaja sikurse brenda Kosovës, po ashtu, edhe jashtë saj. Pra, në Kosovë kemi EULEX-sin me gjithë aparaturen e tij gjyqësore e policore, pastaj Tribunali i Hagës, i cili në mungesë të fakteve i liroj dy drejtues të UÇK-së, Ramush Haradinajn dhe Fatmir Limajn,dhe tash duke mos u realizuar të gjitha ato pretendime se edhe shqiptarët kanë “ kryer” krime gjatë luftës çlirimtare po insistohet që të formohet edhe një gjykatë tjetër e emërtuar “ speciale”. Gjithë kjo aparaturë  gjyqësore evropiane dhe ndërkombëtare që është e angazhuar karshi organeve kosovare të drejtësisë, që do t’iu rrinë mbi “ kokë” edhe për një kohë të gjatë shqiptarëve, janë “ eksperimente”  që nuk janë aplikuar në asnjë vend tjetër në këtë formë dhe në këtë përmbajtje.

Do të mjaftonte një vendim për bashkëpunim me gjykatën speciale

Ç’është edhe më keq  në njërën anë kërkohet një vendim- pëlqim nga parlamenti për formimin e kësaj gjykate, ndërkaq në anën tjetër në të do të punojnë prokurorë e gjykatës të huaj. Ndaj, edhe shtrohet pyetja se për çfarë arsye insistohet që në këtë “ lojë” të involvohet  edhe parlamenti i Kosovës në konstituimin e këtij mekanizmi. Për mua shumë më i dobishëm do të ishte votimi i propozimit për të nxjerr një vendim të plotfuqishëm, në bazë të të cilit organet e prokurorisë, gjyqësorit dhe policia e Kosovës do të bashkëpunonin me këtë gjykatë dhe pikë. Në këtë mënyrë do të evitoheshin ndryshimet kushtetuese të domosdoshme me këtë insistim që po e bën BE-ja, që aspak nuk është e arsyeshme. Kanë ndodhur sa e sa masakra e gjenocid mbi popujt e pambrojtur në Afrikë, pastaj në Bosnje, Kroaci dhe së fundi në Kosovë nga regjimi serb dhe asnjëherë nuk është insistuar që të formohet ndonjë gjykatë speciale. Me një fjalë, Serbia , p.sh, vrau, masakroi qindra mijëra , burra, gra fëmijë e pleq, pastaj dhunoi mijëra vajza e gra të komuniteteve tjera në ish- Jugosllavi dhe asnjëherë nuk u tha se për këtë shtet do të formohet far mekanizmi i posaçëm i drejtësisë qoftë në formën siç është ai i EULEX-it në Kosovë e të mos flasim për ndonjë gjykatë speciale që do të formohej jashtë këtij shteti.

Ngulmim që gjithsesi të gjenden fajtor edhe luftëtarët shqiptar

Gjithë kjo “ zhurmë” dhe insistim i vazhdueshëm për t’u formuar ky mekanizëm special evropian vetëm për shqiptar, siç dukët, pikënisjen e ka nga Serbia, e cila duke gjetur mbështetje nga miqtë e saj tradicional, arriti që të bind faktorin ndërkombëtar se “ megjithatë” edhe shqiptarët  “ paskan” krye krime. Kjo u pa ashiqare edhe në raportin e përgatitur nga Dick Marti, i cili përkundër kërkesës së EULEX-it për të bashkëpunuar për të thënat e tij e sidomos për i përket “ aferës” së “ tregtisë”së organeve të  vëshkëve  të pjesëtarëve të komunitetit serb, nuk pranoj një gjë të tillë. Ndërkaq, për vrasjet e mijëra shqiptarëve në mënyrën më brutale asnjë “ zhurmë”, asnjë iniciativë e ngjashme me këtë që po veprohet për dhe rreth Kosovës

Tribunali i Hagës përkundër hetimeve të bollshme që bëri nuk arriti që të dënoj asnjë nga udhëheqësit e UÇK-së në mungesë të provave dhe të faktit të pamohueshëm se këta çlirimtar nuk kishin bërë krime ashtu siç pretendonte Serbia dhe të tjerët që mbështetin rrënat serbe. Edhe EULEX-i, mund të themi në gjykimin e ngjashëm me atë Tribunalit të Hagës, nuk arriti që ta gjejë fajtor Fatmir Limajn.     Ka në këtë mekanizëm evropian edhe procese tjera gjyqësore që do të përfundojnë si edhe ato të mëparshmet, përkatësisht të akuzuarit do të lirohen si të pafajshëm. Me këtë hap të fundit po krijohet një klimë e “dyshimit” se BE me përkrahjen edhe të SHBA-ve po ngulin “ këmbë” që gjithsesi duhet të gjendet fajtor edhe dikush nga strukturat udhëheqëse të UÇK-së.

Askush nuk pretendon që të mbroj ata që eventualisht kanë kryer krime

Askush  nuk pretendon në asnjë mënyrë të mbroj ata që eventualisht kanë kryer krime gjatë apo pas luftës, mirëpo formimi i një gjykate me bekimin e parlamentit që do të veproj jashtë juridiksionit të vendit është i papranueshëm dhe në kundërshtim me të gjitha normat dhe ligjet pozitive të vendit tonë sovran. Ndaj, edhe siç ceka më lartë mjafton vetëm një vendim i parlamentit, i cili do të obligonte organet përkatëse të vendit për një bashkëpunim të ngushtë me këtë gjykatë dhe besoj se puna do të kryhej siç është më së miri. Dihet mirëfilli se këto organe bashkëpunuan shumë mirë qoftë me Tribunalin e Hagës apo edhe me EULEX-sin dhe asnjëherë mekanizmat evropian dhe ndërkombëtar nuk janë ankuar se ka pasur ndonjë pengesë në këtë drejtim.

Të mësuar me lëshimin pe nga institucioneve të Kosovës

Krijimi i shteti tonë u bë me goxha do eksperimente, ndërsa e ka zanafillën nga mbështetja e pa vend që iu dha nga parlamenti i Kosovës aprovimit të Kornizës Kushtetuese nga deputetët e LDK-së dhe të AAK-së . Dihet mirëfilli se ky farë akti juridik, që u bë me insistimin e faktorit ndërkombëtar, ishte bazuar në Rezolutën 1244 të OKB-së, Rezolutë kjo që dihet se si përcaktonte të ardhmen e vendit tonë. Nga kjo pikë mund të themi se filloi të rrëshqasin në drejtime të panjohura, të vështira e pa rrugëdalje hapat  e shtetndërtimit nga ana e liderëve tanë, të cilët nën trysnin e “ miqëve”  lëshuan aq shumë pe sa që në këtë formë dhe gjendje çfarë në të vërtetë gjendet Kosova është shumë vështirë që të funksionoj si shtet në kuptimin e plotë të fjalës. Së këndejmi, liderët tanë por edhe organet e institucionet tona duhet të këmbëngulin dhe të mos lejojnë që vendi ynë të nëpërkëmbët nga askush, sepse me ardhmërinë e vendit askush nuk ka të drejt e as guxim që të luaj. Thënë konkretisht , udhëheqësit tanë duhet vetëm të përmbahen në Kushtetutë dhe asgjë më shumë. Ndërkaq, dihet se përpilimi i këtij akti  më të lartë është ndihmuar edhe nga BE e SHBA, të cilat duhet ta respektojnë njësoj sikurse që këtë do të duhej ta bënin institucionet dhe udhëheqësit tanë.

Dhe krejt në fund: Nga BE-ja nuk do të këtë kthim “ prapa” dhe kësisoj ka mbetur edhe pak kohë për t’u formuar Gjykata speciale, ngaqë e di fare mirë se kosovarët edhe kësaj radhe do të lëshojnë pe pa problem, mirëpo fokusi  i përqendrimit do të duhej të orientohej shumë më tepër në zhvillimin ekonomik dhe kështu do të ndërpritej “ ikja” e qytetarëve të Kosovës, të cilët në numër të madh për çdo ditë po e lëshojnë vendin me synim të vetëm për të siguruar një jetë më të mirë për familjet e tyre.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress