Samiti i Komunitetit Politik Europian, Rama: Shtëpia e shqiptarit i përket Zotit dhe mikut

Read Time:2 Minute, 21 Second

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama u citoi Kanunin e Lekë Dukagjinit udhëheqësve të shteteve europiane të pranishëm në Tiranë për Samitin e Komunitetit Politik Europian, teksa i ftoi për të ngrënë drekë pas mbylljes së pjesës së parë të punimeve.

“Dua të ndaj me ju faktin që në kanunin tonë që është shkruar kohë më parë ka një kapitull që ka të bëjë me mikpritjen që thotë se “Shtëpia e shqiptarit i përket Zotit dhe mikut”. Kjo fjali është vërtet shumë e thellë, dhe është edhe origjinë e faktit që ne arritëm në fund të luftës së dytë botërore si vendi që kishte më shumë hebrenj të cilët shqiptarët i mbrojtën me jetën e tyre. Por të gjitha këto që bëjmë për miqtë, kemi shumë rëndësi që t’u japim ushqim të mirë. Për këtë arsye pavarësisht se thuhet dreka nuk është falas, sot do ta shikoni që është e kundërta sepse sa herë që të vini në Shqipëri në çfarëdo lloj cilësie do të jeni gjithmonë të mirëpritur, dhe pas një orë do të rikthehemi që Evropa të vazhdojë punën e saj”, tha Rama.

Kryemistri shqiptar gjatë punimeve të samitit  propozoi “një aleancë ndërkombëtare përtej armatimit”.

“Këtu në Ballkan i kemi mbijetuar luftës, bombave, konflikteve territoriale, shkatërrimit e rrënimit, e ka ndodhur gjatë jetës sonë, jo në ndonjë dokumentar të largët të arkivës bardh e zi, e kemi mësuar se paqja nuk ka konkurrentë. Ndoshta ja pse shpresa me atë Europën tjetër është më e madhe këtu”, tha Rama në fjalën e tij.

Sipas kryeministrit “euro-optimisti më i madh mes të gjithëve ne, të mbledhur këtu, në këtë shtëpi nuk jeton në Paris a Berlin, por në Tiranë e Podgoricë, ku besimi në idealin europian i ka rrënjët thellë”.

“I kemi mbijetuar kolapsit ekonomik, i kemi mbijetuar migracionit, zhvendosjes, i kemi mbijetuar lajmeve të rreme edhe përpara se sa të krijohej ky term dhe kemi mësuar se bashkëpunimi nuk ka humbës. Ndoshta ja, pse besojmë se Europa mbetet terreni më pjellor për t’i shndërruar rrjedhat e zymta të historisë, në rrugë të shndritshme për të ardhmen”, shtoi ai.

Rama tha se “Europa për ne është po aq një vend i bashkëndarë shpirtëror, sa është një mozaik rajonesh, gjuhësh e besimesh të ndryshme fetare”.

“Ndoshta ja pse ndjejmë nevojën, jo vetëm për politika të reja, por për një lloj të ri politike, një politikë, e cila ripërcakton, jo vetëm atë çfarë jemi, por edhe se si jemi së bashku mes vetes e me botën”, tha Rama.

Një politikë, sipas tij, “e cila e sheh Europën, jo si një fortesë për t’u mbrojtur, apo një muze për t’u ruajtur, por si një shpirt i përbashkët që duhet mbrojtur, një fat i të gjithëve për t’u jetuar, e një e ardhme e përbashkët për t’u ndërtuar”.

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %

Average Rating

5 Star
0%
4 Star
0%
3 Star
0%
2 Star
0%
1 Star
0%

Leave a Reply

Previous post Boksierja Donjeta Sadiku, e artë në Poloni
Next post Haklaj: Misioni i UÇPMB-së është bashkimi me Kosovën!