Home » Kulturë » SË SHPEJTI: PANAIRI I LIBRIT, “ULQINI-2014”

SË SHPEJTI: PANAIRI I LIBRIT, “ULQINI-2014”

Nga: Prof.Murat Gecaj

publicist e studiues-Tiranë

Plazhi i Vogël i Ulqinit 

 

Plazhi i Vogël i Ulqinit, ku do të organizohet Panairi i Librit…

 

Përmes një e-maili në Internet, Zyra e Shtypit e Institutit të Librit dhe Promocionit “Toena”, në Tiranë, njofton për një veprimtari të rëndësishme dhe të bukur kulturore. Është fjala për vazhdimin e traditës së festës së librit, tashmë në qytetin e bukur bregdetar të Ulqinit.

Sipas programit të hartuar e të detajuar, nga data 19-24 gusht 2014, aty do të organizohet Panairi i Librit “Ulqini-2014”. Më konkretisht, ai do të çelet në Shëtitoren e Plazhit të Vogël të atij qyteti. Panairi zhvillohet nën kujdesin e kryetarit të Komunës së Ulqinit, Fatmir Gjeka.

Janë ftuar në këtë veprimtari mjaft poetë e shkrimtarë, personalitete të kulturës e artit, përfaqësues të jetës politike e shoqërore, nga media e shkruar dhe ajo elektronike etj., si nga Shqipëri, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi. Pjesëmarrës, me librat e tyre, do të jenë shtëpi të shumta botuese dhe mbi 50 autorë, nga vendet e mësipërme. Është parashikuar që të ekspozohen dhe të jepen për shitje mbi 4 mijë tituj librash, prej të cilëve më shumë se 400 janë të rinj. Para lexuesve të Ulqinit dhe pushuesve të ardhur aty, do të paraqiten libra të gjinive e llojeve të ndryshme, si: libra artistikë të autorëve shqiptarë e të huaj, me temë nga historia e kultura, libra për fëmijë, fjalorë e metoda për mësimin e gjuhëve të huaja, albume e katalogë të ndryshëm etj.

Sipas programit të hartuar, nata e dytë e këtij Panairi do t’i kushtohet poetit të ndjerë dhe Akademikut nga Kosova, Ali Podrimja, me veprën e plotë të tij. Për jetën e krijimtarinë e tij do të flasin akademikët Ali Aliu e Basri Çapriqi, si dhe botuesja e mjaft veprave të tij dhe njëra nga organizatoret e këtij Panairi, Irena Toçi.

Gjatë ditëve të këtij Panairi, do të përurohen libra të rinj dhe do të jepen konferenca të veçanta, për median e shkruar dhe atë elektronike.

Duke e parë në përgjitëhsi programin e këtij Panairi, i cili sivjet organizohet në qytetin e Ulqinit, krijon bindjen se, në vazhdim të traditës së fituar me panaire të tillë në trojet shqiptare, do t’i sillet një shrbim tjetër i çmuar pasurimit të jetës shpirterore e kulturore, jo vetëm të lexuasve tanë, por dhe të gjithë dashamirësve të letërsisë sonë. Prandaj i përshëndesim organizatorët e kësaj veprimtarie dhe urojmë plotësimin e të gjitha synimeve të tyre!

Tiranë, 16 gusht 2014

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress