Ratifikimi i Marrëveshjes për Normalizimin e Marrëdhënieve me Serbinë, do të jetë në rend dite në seancën e së enjtes të Kuvendit të Kosovës. Kështu u vendos në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit. Ndërkohë duke komentuar 3 nëntorin si datën e përfolur në Bruksel për mbajtjen e zgjedhjeve lokale, kryekuvendari Jakup Krasniqi, tha se me që zgjedhjet janë shtyrë deri në atë kohë, më mirë të mbahen në pranverë.
Kreu i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi pas mbledhjes së kryesisë, bëri të ditur se seanca për Ratifikimin e Marrëveshjes për Normalizimin e Marrëdhënieve Kosovë-Serbi është caktuar të mbahet të enjten. Kryeparlamentari, Krasniqi ka theksuar se zgjedhjet lokale do të duhej të shtyheshin në pranverë, në rast se merret vendim që ato të shtyheshin.
“ Institucionet përkatëse që e kanë përgjegjësinë për zgjedhjet nëse pyetni për mendimin tim, unë mendoj që veç janë shtyrë zgjedhjet, pranvera do të duhej të ishte koha më e përshtatshme për mbajtjen e zgjedhjeve, edhe për të mos u mbajt me 3 dhjetor.
I pyetur rreth deklaratës së kryeministrit serb, Ivica Daçiq i cili ka deklaruar se zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen me 3 nëntor, Krasniqi ka thënë se këtë datë e ka përmendur fillimisht baronesha Ashton.
Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci tha se për datën e zgjedhjeve vendos kryeministri HashimThaçi ndërkohë që presidentja Atifete Jahjaga e shpall vendimin.
“Fjala e kryeministrit tonë ka qenë dhe mbetet vendimtare se kur do të përcaktohet data e zgjedhjeve.Presidentja e vendit është ajo që i shpall zgjedhjet prandaj presidentja ende nuk e ka thënë fjalën e saj dhe ne duhet të presim. Daçiq ka të drejtë të deklarojë çfarë të dojë por ne nuk na bënë shumë përshtypje”, tha Grabovci.
Pas takimit që kishte javën e kaluar me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq tha se zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen me 3 nëntor.
(RTK)