Serbia dhe Republika Sërpska miratojnë deklaratën ku përmendet edhe Kosova
Serbia dhe entiteti serb i Bosnje – Hercegovinës, Republika Sërpska, kanë miratuar të shtunën Deklaratën për mbrojtjen e të drejtave kombëtare dhe politike dhe për një të ardhme të përbashkët të popullit serb. Deklarata është miratuar në Beograd në një takim mes dy qeverive, në kuadër të të ashtuquajturit Kuvend gjithëserb.
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se Deklarata i referohet Marrëveshjes së Dejtonit, e cila i ka dhënë fund luftës në Bosnje – Hercegovinë, dhe nuk përmendet përçarja në atë shtet.
Deklarata duhet të miratohet nga Parlamenti i Serbisë dhe ai i Republikës Sërpska brenda 90 ditëve.
Presidenti serb ka thënë se ky dokument përmend edhe Kosovën edhe Rezolutën 1244.
“E kemi përmendur qartë edhe dialogun si rrugë thelbësore për zgjidhje të problemeve mes nesh dhe shqiptarëve. Nuk ka zgjidhje tjetër përveç dialogut”, ka thënë ai.
Deklarata përbëhet nga 49 pika në të cilat, ndër të tjera, thuhet se “populli serb përfaqëson një entitet unik, se emri i kombit është një dhe se është e pamundur të ndryshohet”.
Siç thuhet, i ashtuquajturi Parlamenti gjithëserb deklaron se Kosova “është pjesë e patjetërsueshme e Serbisë dhe insiston që të përdoret emri i plotë Kosova dhe M.”
“Parlamenti gjithëserb” nuk e mbështet Rezolutën për Srebrenicën, e cila u votua nga 84 vende në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
I ashtuquajturi Parlamenti gjithëserb përbëhet nga përfaqësues të serbëve në organet legjislative dhe ekzekutive, anëtarë të akademive të shkencave dhe arteve, anëtarë të kuvendit të Kishës Ortodokse Serbe dhe përfaqësues të tjerë të popullit serb të ftuar nga organizatorët e “Parlamentit gjithëserb”.
“Parlamenti gjithëserb” konstituon Këshillin Nacional të Popullit Serb, i cili është i ngarkuar me koordinimin, monitorimin dhe zbatimin e akteve të “Parlamentit gjithëserb”, si dhe akteve të veta.
“Këshilli Kombëtar i Popullit Serb” përbëhet nga: Presidenti i Serbisë, Presidenti i Republikës Serbe, Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Kryetari i Kuvendit të Republikës Serbe, kryeministri i Serbisë, Kryeministri i Republikës Serbe, Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Presidenti i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë dhe Presidenti i Akademisë i Shkencave dhe Arteve të Republikës Serbe, përfaqësues i Senatit të Republikës Serbe dhe president i ‘atdheut serb’.
Average Rating