Home » Kulturë, Lajme » SHIPSHANI E SHIPSHJANËT

SHIPSHANI E SHIPSHJANËT

Fjala e Rastit e BESNIK BAJRAKTARIT, mbajtur në Festen e Madhe të Shipshanit, në Padesh, më 8 gusht 2021

          Vëllezër e motra Shipshjanë,

          Së pari do të ndajmë një nderim dhe vlerësim të lartë për djemtë dhe çikat e Shipshanit tonë që kontribuan pa u lodhur për organizimin e këtij Takimi, që do të mbetet si datë historike e fisit tonë.

          Organizatorët e nderuar e kanë zgjedhur Padeshin për këtë Festë tonën, në këtë vend, ndoshta më të bukurin në Veriun e Shqipërisë.

          Si askund tjetër, këtu gërshetohen bukuria dhe historia.

          Çdo fjalë, është krejt e vogël para kësaj bukurie natyrore.

          Shekulli i 20-të u mbyll këtu, ku u zhvillua beteja më e lavdishme e shqiptarëve për këtë shekull, Lufta e Koshares.

          Shipshani ynë mbeti vendi më kontribues në Shqipëri në këtë luftë për çlirimin e Kosovës, jo vetëm për pritjen e vëllezërve tanë të shpërngulur dhunshëm nga barbarët serbë, por për djemtë shipshjanë që morën pjesë me armë në dorë në formacionet e UÇK-së, e disa prej tyre dhanë edhe jetën. Shumë oficerë të shquar shipshjanë stervitën, komanduan, luftuan dhe përcaktuan fatet e këtyre betejave.

          Lavdi e përjetshme, atyre që ranë dhe atyre që jetojnë!

          Nuk përmenda emra, sepse të paktën, që nga Lidhja e Shqiptare e Prizrenit e këtej, nuk ka asnjë shtëpi në Shipshan që nuk ka një dëshmorë e më shumë.

          Mua, Organizatorët, më caktuan të flasë në emër të të Parëve të mi, të cilët Shipshani i pati zgjedhur bajraktarë, pra si prijës luftarakë para më shumë se 160 viteve, detyrë që ata e kryen me nder duke dhënë edhe jetën në katër breza.

          Është punë e historianëve ta zbardhin këtë histori, por unë mund të them se pa trimërinë e djemëve të Shipshanit dhe atdhedashurinë e tyre, emri i prijësve të tyre, pra, i Bajraktarëve të Shipshanit, do të ishte krejt i zbehtë.

          Fisi i Shipshanit ka qënë fis atdhetar, trim, shumë luftarak dhe kompakt, prandaj shipshjanët gjithmonë janë ndjerë krenarë dhe fistarë.

          Ky është një obligim i përjetshëm edhe i imi dhe i krejt njerëzve të mi, që e mbajnë mbiemrin Bajraktari.

          Sa ndjehem krenar për të parët e mi që kryen detyrën e lartë ndaj Atdheut, aq ndihem krenarë edhe me të gjithë shipshjanët kudo që janë.

          Nuk po e zgjati më shumë këtë këtë Përshendetje, në mënyrë që të vazhdojë Programi, sipas planifikimit të organizatorëve, me biseda dhe t’iu lëmë më shumë hapësirë të rinjëve që të festojnë, të vallëzojnë e të këndojnë të lumtur.

          U takofshim për Festa në çdo vit që vjen!

          Zoti ju bekoftë Ju, krejt Shipshjanët, kudo që ndodheni!

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress