
Shqipëria është kualifikuar në Kampionatin Evropian të futbollit Euro 2024, barazon me Moldavinë 1-1
Kjo pas një barazimi me Moldavinë të premtën në një ndeshje të zhvilluar në “Zimbru Stadium” në kryeqytetin moldav Chisinau.
Ndeshja është mbyllur me rezultat të barabartë 1-1.
Kanë qenë shqiptarët ata që të parët e kanë gjetur golin.
Një rrëzim brenda zone i Taulant Seferit në minutën e njëzet e tretë i ka kushtuar me penallti Moldavisë. E nga pika e bardhë është treguar i saktë Sokol Cikalleshi.
Me këtë rezultat është mbyllur pjesa e parë.
Në pjesën e dytë, derisa minutat shkonin ndeshja dukej se do të fitohej nga Shqipëria, por një mendim të tillë nuk e kishte edhe Baboglo. Ka qenë minuta e tetëdhjetë e shtatë kur mbrojtësi me një goditje nga brenda zonës ka mposhtur Berishën. Paraprakisht Damascan ka qenë në pozitë gati për të realizuar, por e ka mbrojtur Berisha.
Pas këtij barazimi, Shqipëria gjendet e para në tabelë me katërmbëdhjetë pikë, duke arritur kështu kuotën e nevojshme për të shkuar në Gjermani.
Ndeshjen e ardhshme Shqipëria e luan kundër Ishujve Faroe.