Shqiprim Arifi shkarkohet nga pozita e kryetarit të Preshevës, i jep fund aktivitetit politik
Kryetari i deritanishëm i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi ka njoftuar të shtunën se është shkarkuar nga posti i kryetarit të Komunës së Preshevës. Pas këtij vendimi, për të cilin ai ka akuzuar se ka qenë i dhunshëm dhe nga pushteti autoritar i Beogradit, Arifi ka njoftuar se do të tërhiqet nga aktiviteti politik.
“Dje në mesnatë, pushteti autoritar i Beogradit, në mënyrë arbitrare dhe duke mos ndjekur asnjë procedurë ligjore, si dhe pa asnjë njoftim zyrtar, regjimi serb dhe antishqiptar duke vazhduar traditën e Millosheviqit të viteve të 90-ta, në mënyrë të dhunshme më SHKARKUAN nga posti i Kryetarit të Komunës së Preshevës. Njëkohësisht, ky regjim antishqiptar dhunshëm instaloi një organ të përkohshëm deri në zgjedhjet e ardhshme”, ka shkruar Arifi në Facebook.
Arifi i ka quajtur veprime raciste antishqiptare veprimet e fundit të pushtetit qendror në Serbi.
“Ka disa kohë që Vuçiq kërcënon publikisht shqiptarët e Luginës së Preshevës. SHKARKIMI i dhunshëm i imi, mesnatën e mbrëmshme, pa asnjë procedur ligjore dhe asnjë njoftim, ndodh menjëherë pas kërcënimit të fundit publik të Vuçiqit në këtë javë dhe 24 orë pasi u dënova nga Gjykata serbe për vendosjen e flamurit kombëtar shqiptar më 28 Nëntor. Me këto veprime raciste antishqiptare që janë trashëgimi e politikave të regjimit të Millosheviqit, Serbia e sotshme e Vuçiqit dëshmon tani më 3 dekada e më shumë, se shqiptarët nuk i konsideron si qenie njerëzore dhe asesi qyetatarë të barabartë në Serbi. Diskriminimi ndaj shqiptarëve është agjendë e pandërprerë e politikave të Vuçiqit dhe Serbisë së tij pro-ruse”, ka shkruar ai tutje duke e quajtur regjim autokrat që e përdor nacionalizmin ekstrem serb ndaj shqiptarëve të Luginës.
Arifi ka akuzuar politikanët tjerë shqiptarë, pa të cilët, sipas tij, nuk do të mund të ndodhte shkarkimi.
“Kjo klasë politike bashkëpunuese besnik të regjimit serb me dekada, janë bërë vegël e lehtë për Vuçiqin dhe Serbinë për të realizuar agjendën e tij antishqiptare në Luginë të Preshevës”, ka shtuar ai duke thënë se tash kryetar i komunës është Ragmi Mustafa.
Për shkarkimin, Arifi ka thënë se i ka lajmëruar partnerët ndërkombëtarë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.
Në fund, ai ka bërë të ditur se i jep fund aktivitetit politik në Luginë.
Vendimi i qeverisë serbe për organin e përkohshëm të Komunës së Preshevës:
Qeveria vendosi:
Në organin e përkohshëm të Komunës së Preshevës emërohen:
- për kryetarë: – Ragmi Mustafa;
- per anetarë:
- Tefik Bajrami,
- Sami Salihu,
- Shkëmbim Veliu dhe
- Branko Trajkoviq
Average Rating