SHSHASH ”Papa Klementi i XI Albani” nga Suedia organizon tubime kulturore edhe në Kosovë dhe Shqipëri
Nga XHAVIT ÇITAKU
Edhe këtë vit një vemendje e posaçme e Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëse Shqiptarë “Papa Klementi i Xi Albani”, Suedi, do t’i kushtohet aktivitetit të saj kulturor në disa qytete në Kosovë e Shqipëri.Natyrshëm kjo do të jetë një pjesë e ndarë e famës që tashmë kjo shoqatë e ka arritur në saje të punës së palodhshme e të dobishme që ka bërë në fushën e krijimtarisë letrare dhe të asaj artistike. SHSHASH “Papa Klementi i XI Albani” është një shembull i mirë i bashkëpunimit me të gjitha gjeneratat. Për këtë konstatim flasin faktet se edhe fëmijëve të bashkatdhetarëve tanë iu jipet hapësirë e bollshme në recitime, recitale e drama, ku shpërfaqet talenti i tyre për fjalën e bukur të gjuhës së mëmës.
Organizimi i këtyre tubimeve ka dy synime kryesore
Me organizimin e këtyre tubimeve kulturore do të jetë e mundur të realizohen dy synime që ia ka parashtruar vetes kjo shoqatë. E para është që dashamirët e fjalës së shkruar, intelektualët, shkrimtarët dhe qytetarët e pranishëm të njihen dhe mësojnë për një punë të pasur e përmbajtësore që ka arritur kjo asosacion krijues, ndërsa pikësynimi tjetër është që nëpërmjet të programeve të ndryshme të bëhet e mundur njohja dhe shkëmbimi i eskperiencave të fituara në Suedi dhe të atyre që janë të pranishme në Kosovë dhe Shqipëri
Në këto zhvillime kulturore do të promovohen tre vepra tejet të rëndësishme të kësaj shoqate, të cilat nga shumë kritikë letrar, intelektual, shkrimtarë e akademik janë vlerësuar si Enciklopedi Mërgimtare. Pra, do të promovohen “Thesari Kombëtar i Mërgatës Shqiptare në Suedi” numri 12 dhe 13 dhe libri tjetër i veçantë i titulluar “Jubileu i 500 vjetorit të pavarësisë së Mbretësisë së Suedisë dhe 15 vjetorit të mvëtësisë së Republikës së Kosovës”. Po ashtu do të promovohen edhe librat e krijuesve të kësaj shoqate të botura gjatë këtij viti. Sipas kryetarit të kësaj shoqate Hysen Ibrahimit, mbresat që ka lënë kjo shoqatë gjatë aktivitetit të viteve të kaluara në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut ishin shumë emocionuese dhe të vlerësuara për nivelin profesional të organizimit dhe prezentimit të krijimtarisë së pasur letrare të anëtarëve të vyer.
Çfarë përmbanë “Thesari Kombëtar…”
Që në fillim të punës të kësaj shoqate ishin bërë përpjekje se si dhe në çfarë forme të përmblidhet një aktivitet tejet i madh i zhvilluar nga mërgata shqiptare për komb e atdhe si dhe format tjera të dobishme që ishin realizuar për dhe rreth komunitetit shqiptar në Suedinë e largët. Mënyra më e mirë, edhe pse e vështirë, ishte mbledhja e materialit nëpër shoqata, forma tjera të veprimit si dhe nga veprimtarë të shquar, i cili më pastaj u përgatit nga grupe profesionale për të dalë në dritë 13 vepra të librit “ Thesari i Mërgatës Shqiptare në Suedi”. Lirshëm mund të konstatohet se deri me tash pjesa më e madhe e aktivitetit mërgimtar është prezent në këta libra, ndërsa për pjesën tjetër ende është duke u punuar me një ritëm paksa më të shpetuar, me të vemtën arsye që të mbulohet e tërë veprimtaria e komunitetit shqiptar dhe kësisoj të mbesin gjurmët e një pune të madhe atdhetare, e cila do t’iu shërbejë për të mirë brezave të ardhshëm. I tërë materiali i botuar është i bazuar në fakte siç janë dokumente të ndryshme, fotografi e filma dokumentar për protestat e mbajtura anëkënd Suedisë, për aktivitet kulturore të zhvilluara në mjediset shqiptare, për ndihmat materiale dhënë Kosovës ( Trepërqindshi dhe Vendlindja thërret) , për organizimin e shkollës shqipe dhe shumë aktivitete tjera, të cilat e bëjnë krenar komunitetin shqiptar në Suedi. Kur të shfletosh faqet e këtyre librave voluminoz vetvetiu mbetësh pa fjalë për shkak të faktit se mëson se sa aktiv ishte komuniteti shqiptar në këtë vend të largët, se sa shumë ishte i lidhur me vendin e tij, më të afërmit që i ndihmuan vazhdimisht, me solidaritetin e madh për individë e familje që ishin në nevojë, për ndihmën e jashtëzakonshme që dhanë për çlirimin e vendit, për shërimin e të sëmurëve e shumë e shumë punë të tjera të dobishme.
Mbahen pesë tubime, tre në Kosovë e dy në Shqipëri
Sipas programit të miratuar nga Kryesia, kjo shoqatë do të organizon pesë tubime kulturore, tre në Kosovë dhe dy në Shqipëri. Tubimi i parë do të mbahet me 20 korrik në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” në Prishtinë. Me 25 korrik do të mbahet një takim paksa më i veçantë në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë meqë ndërmjet këtyre dy institucioneve është lidhur një marrëveshje bashkëpunimi në shkurt të këtij viti në Suedi gjatë mbajtjes së një akademie shkencore në qytetin Ängelholm. Ndërkaq, në Laç të Kurbinit eventi do të mbahet me 26 korrik. Tubim do të mbahet edhe në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini” me 30 korrik. Tubimi i fundit me 13 gusht do të mbahet të Guri i Plakës, komuna e Drenasit.
Average Rating