Home » Lajme, Opinione, Vendore » Sinqeriteti (i munguar) i Prishtinës zyrtare për fatin e Luginës së Preshevës

Sinqeriteti (i munguar) i Prishtinës zyrtare për fatin e Luginës së Preshevës

Shkruan: Nehat Hyseni

Përfaqësuesit politikë e insitucionalë të Luginës së Preshevës, të enjten, më 26
korrik 2018, u pritën në një takim zyrtar nga Presidenti i Republikës së Kosovës, z.
Hashim Thaçi dhe pas takimit u mbajtë një konferencë për shtyp lidhur me atë se çka u bisedua aty, që si “sihariq” na e lançuan idenë për “pëfshierjen e Luginës së
Preshevës brenda territorit apo kufijve të Republikës së Kosovës”.
Duhet theksuar se ky takim u mbajt në kohën kur autoriteti dhe legjitimiteti i
Presidentit Thaçi për udhëheqjen e negociatave me Serbinë është duke u kontestuar seriozisht nga opozita, madje kohë më parë kontestohej edhe nga një pjesë e pozitës.
Andaj, mbetet e paqartë se sa është serioze kjo nismë dhe sa e ka marrë me seriozitet këtë çështje Hashim Thaçi.
Pra, mbetet për t’u parë se çka e shtyri dhe motivoi realisht atë për t’i hyrë kësaj pune, që siç u shprehë ai me gojë të vet, “është tejet e rrezikshme dhe ka fare pak gjasa, madje është e pamundur dhe ka shansa zero për t’u realizuar “! (Sic!!!)
Atëherë, vërtetë duhet të presim se cili ishte motivin real që e shtyri Hashim Thaçin për t’i hyrë kësaj pune “të pa mundur” dhe që ka “zero gjasa për t’u realizuar”?!
Vallë, a ishte brenga e tij e “sinqert” për fatin e shqiptarve të Luginës së Preshevës, apo ishte fati i tij politik e personal i kryesimit (të kontestuar) të dialogut final për normalizimin e marëdhënieve Kosovë – Serbi në Bruksel.
Mjerisht, sot kemi shumë pak vullnet të sinqert edhe brenda vet spektrit politik të shqiptarve të Luginës, në rend të parë, e sidomos nga spektri politik (pozitë dhe opozitë) nga Prishtina (dhe Tirana) zyrtare.
Nuk mund ta mohojmë faktin dhe fatkeqësinë se edhe problematika e ardhmërisë së kësaj pjese të Shqiptarisë po shikohet e trajtohet, ashtu si dhe të gjitha problemet e tjera, brenda konstelacionit të interesave pragmatike grupore e personale
gjithandej në Kosovë e Shqipëri.
Qasja e mirëfilltë ndaj kësaj problematike kruciale kombëtare e njerëzore, duhet analizuar dhe konceptualizuar e adresuar saktësisht, me sinqeritet e seriozitet dhe përgjegjësi maksimale kombëtare e shtetërore, si dhe hapat e mundshëm që duhet
ndërmarrë.
Mbase, fillimisht duhet kthyer për së mbari gjithë procesin e negociatave të Brukselit prej fillimit e deri më sot!
Por edhe Marrëveshjen e Vjenës, që i parapriu Pakos së Ahtisarit dhe Marrëveshjes së
Brukselit të 19 prillit 2013, të nënshkruar nga Hashim Thaçi dhe asaj të gushtit 2015, të nënshkruar nga Isa Mustafa. Sepse, ato nuk e përmendin fare çështjen e Luginës së Preshevës!
Konsideroj se i vetmi dokument valid në të cilin do duhej mbështetur politikat e Kosovës dhe Shqipërisë ndaj çështjes së shqiptarve të Luginës së Preshevës është Rezoluta e Kuvendit të Kosovës, për të cilën u zhvillua një debat i gjithanshëm dhe
gjithpërfshirë në mbledhjen e 31 majit 2013 , nga ora 10 deri në orën 18, me një pauzë për drekë, dhe u miratua në mbledhjen e Kuvendit të Kosovës të 6 qershorit 2013.
Meqë edhe unë, në cilësinë e kryetarit të SHQLPK-së, së bashku me përfaqësuesit politikë e institucionalë të Luginës, si mysafirë isha në sallë dhe me vëmendje e interesim maksimal e kemi përcjellur debatin drejtëpërdrejt në sallë, kam
përshtypjen se deputetët e asaj legislature ishin të informuar relativisht mirë, me ndonjë përjashtim të vogël aty-këtu, për problemet reale të shqiptarve të Luginës.
Prandaj, ajo Rezolutë do duhej të merret si pikënisje dhe si bazë e mirëfilltë edhe sot e në të ardhmen për zgjidhjen e drejtë dhe afatgjatë të çështjes së shqiptarve të Luginës së Preshevës, të cilët paraqesin aktualisht komunitetin më të diskriminuar në Europë.
Në të kundërtën, do të jemi fajtorë dhe përgjegjës para historisë për humbjen e kësaj pjese shumë të rëndësishme të gjeografisë tonë kombëtare dhe për krijimin para syve tanë të një Çamërie të re, në shekullin XXI.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch