Home » Kulturë, Opinione » Skicë: “A NA KENI ZILI?…EJANI TE NA!”…

Skicë: “A NA KENI ZILI?…EJANI TE NA!”…

(Duke parë një fotografi, me mikun tim Paulin Shtjefni)

Nga: Murat Gecaj

P.Shtjefni e M.Gecaj 1962

Nga e djathta: P.Shtjefni e M.Gecaj (Tiranë, dhjetor 1962)

1.

Kushdo, që ka kaluar nëpër dyert e shkollave të mesme ose të larta, ruan kujtime të pashlyera nga ato vite të bukura të rinisë. Sigurisht, ato ruhen në mendjen e secilit dhe risillen në ditët e sotme në biseda të ndyshme, ndërmjet ish-nxënësve ose studentëve, me raste takimesh në përvjetorë të maturës ose të diplomimit në shkollën e lartë etj. Por ajo, që na e bën më të afërt dhe më të prekshme atë periudhë të paharruar të jetës sonë, janë fotografitë. Dikush e ka patur pasion atë punë, pra ka fotografuar ngjarje të viteve shkollore ose studentore. Pastaj, fotot ua ka shpërndarë bashkënxënësve ose bashkëstudentëve. Në atë kohë, ndoshta, ato fotografi nuk janë vleresuar, sa e si duhet. Por, me kalimin e viteve, vlerat e tyre janë shumëfishuar.

U zgjata paksa në hyrjen e kësaj skice, për të folur pak rreth një fotografie, të cilën po e publikoj me kënaqësi, bashkë me këtë shkrim modest. Prapa saj janë të shënuara këto fjalë, kaq të bukura, emocionuese dhe domethënëse: “A na keni zili?…Ejani, te na!…Pavka”. I ka shkruar kolegu e miku im i dashur, Paulin Shtjefni, me të cilin isha bashkëstudent, por dhe jetonim në një dhomë të konvikteve të Fakultetit Histori-Filologji, në Universitetin e Tiranës.

Më kujtohet mirë se, në atë ditë, ne bëmë edhe fotografi të tjera, të cilat i ruaj me kujdes në albumin tim. Ja, në njërën prej tyre jemi një grup shokësh: unë, Paulini, Myfiti e Rudolfi, që e kemi rrethuar Vason, i cili po i binte kitarës, për qejfin e vet, por edhe për ne. Nuk e kam të saktë ta pohoj tani, pas kaq vjetësh, por në foto shihet se edhe ne po përpiqeshim që ta shoqëronim në melodinë e këngës, që luante shoku ynë.

2.

Në vazhdim, po kthehem te fotoja, ku kam dalë bashkë me Paulin Shtjefnin. Pas mbarimit të studimeve të larta, detyrat na ndanë fizikisht, por jo shpirtërisht. Kështu, sa herë na u krijuan mundësitë, ne u takuam e kaluam çaste të bukura bashkë. Unë shërbeva kryesisht në shtypin qendror, ndërsa ai punoi në arsim dhe në Radio-Shkodra. Por gjithnjë e pati pasion punën  e krijimtarinë me të vegjëlit. Prandaj u miqësua e pati bashkëpunim frytdhënës me artistë e kompozitorë të njohur. Ndër ta, ishte edhe kompozitori i paharruar Pjetër Gaci, të cilin kam patur fatin e mirë ta njoh edhe unë. Për atë, më vonë, Paulini do të shkruante e botonte një libër të veçantë, “Shpirti yt këndon gjithmonë”, (1996).

Lidhje të ngushta mbajti Paulini edhe me shkrimtarë e dramaturgë të qytetit të tij, njëri nga të cilët është Fadil Kraja. Para pak vitesh, kur shkoja me shërbim ose për arsye vetjake në vendlindjen e tyre, sapo zbrisja nga autobusi i linjës Tiranë-Shkodër, e dija se ata të dy do t’i gjeja në një lokal, aty afër, me kolegë të tjerë. Prandaj takoheshim, pinim kafe bashkë e çmalleshim.

Përmendi këtu se Paulin Shtjefni është autor, në tekste këngësh e pjesëmarrës dhe fitues i çmimeve të para në 19 Festivale Kombëtare të Këngës për Fëmijët, që janë organizuar në qytetin ë Shkodrës. Por janë dhe tekstet e disa këngëve të tjera, që ai shkroi dhe u bënë kaq popullore, si “Gryka e Kaçanikut”, “Ky merak” etj. Krijimet e shkruara ndër vite, Paulini i botoi në librin me titullin “Një zarf me karafila-mozaik poetik”(2008). Gjithashtu, bashkëpunoi në libra e redaktoi disa botime të tjera.

3.

Jeta ka të bukurat, por dhe shqetësimet e të papriturat e saj. Vitet e fundit, kolegu e miku ynë i dashur, Paulin Shtjefni është i pamundur nga gjendja shëndetësore. Megjithatë, përherë ai është i rrethuar jo vetëm nga familjarë e të afërm, por dhe nga kolegë e miq të tij të shumtë. Sa herë shkoj, nga Tirana në Shkodër, i bëj vizitë në shtëpi. Vërej se ai kënaqet mjaft dhe këtë gjë e shprehë me mimikën e fytyrës dhe me lëvizjet e duarëve të tij. Më përqafon me ngrohtësi, më shtërngon fort duart e m’i ledhaton ato, si për t’i kujtuar afër 55 vitet, qëkur jemi njohur, por dhe fotot e shumta, që kemi bërë bashkë.

Të gjithë ne, tani e urojmë nga zemra njeriun e mirë dhe pasionant në fushat e arsimit, letërsisë, kulturës e arteve, Paulin Shtjefnin, që të përmirësohet më tej, të bëhet sa më mirë nga ana shëndetësore dhe të ketë gjithnjë gëzime e lumturi, vetjake e familjare!

Tiranë, 27 gusht 2015

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress