Home » Opinione » Stop! – diskriminimit të shqiptarve të Luginës

Stop! – diskriminimit të shqiptarve të Luginës

Shkruan: Nehat Hyseni

Kosova në Dialogun e Brukselit i sakrifikoi shqiptarët e Luginës së Preshevës, duke mos i përmendur fare. Stankoviqi propozon ndryshimin e flamurit shqiptar, ashtu si Italia Fashiste që bëri dikur, me okupimin e Shqipërisë më 7 prill 1939 dhe me Aneksimin e saj nën Mbretërinë e Perandorit Emanuel, duke ia ndërruar pamjen flamurit shqiptar me vendosjen e sopatave fashiste midis kokave të shqiponjës dykrenare. Kosova duhet t’i përgjigjet me të njejtën masë serbëve të Kosovës, duke mos lejuar flamurin shtetërorë të Serbisë të valvisë në truallin e Republikës së Kosovës.

Pas dështimit dhe kapitulimit të plotë të Qeverisë së Kosovës në  Dialogun e Brukselit, ku u hoqën të gjitha /viat e kuqe/ dhe i tërë ky proces u vu në realizimin e agjendës serbe për pranimin e ftesës për anëtarësimin e Serbisë në BE. Kjo gjë, sipas të gjitha gjasave, pritet të ndodhë  pas 1 janarit 2014.

Kurse, Kosova nuk ka asnjë shpresë se do ta fitoj liberalizimin e vizave, sepse edhe vendet që e kanë fituar më heret këtë të drejtë, pas vendimit të fundit të Parlamentit të BE-së, rrezikojnë tu vendosen përsëri.

Kosova në këtë Dialog të Brukselit, me ndërmjetësimin e Baroneshës Catherine Ashton, rrezikoi gjithçka: simbolet e shtetësisë, legalizimin e kriminelëve serbë dhe futjen e tyre në sistemin ligjor e kushtetues dhe në organet e ruajtjes së rendit dhe Ligjit, ndërsa ata janë shkelësit më të mëdhenjë!

Mbi të gjitha, Kosova në Dialogun e Brukselit sakrifikoi shqiptarët e Luginës së Preshevës, duke mos i përmendur fare, sikur të mos ekzistonin fare, apo sikur shqiptarët e kësaj pjese të ishin jashtëtokësorë dhe sikur Kosova Lindore apo Lugina e Preshevës të ishte jashtë planetit.

Ata që e kanë përcjellur Dialogun e Brukselit me pritje dhe me shpresa më të mëdha, sigurisht se ishin shqiptarët e kësaj pjese të Shqiptarisë! Por, mjerisht, rezultoi që këta të ishin edhe të zhgënjyerit dhe të trishtuarit më të mëdhenjë, meqë çështja e tyre as që u shtrua në tavolinën e bisedimeve!

Kurse, Serbia dërgoi një /nëpunës të Beogradit/,  Dr.Zoran Stankoviqin, që të merret me shqiptarët e Luginës, i cili është vënë në realizim të Planit sekret të Qeverisë së Serbisë të vitit 2002 për shpërnguljen definitive të shqiptarve nga Serbia.
Sa duket, partnerë për realizimin e këtij Plani makabër janë bërë edhe Qeveria e Kosovës dhe Këshilli i Europës, si organ më i lartë i BE-së.

Andaj, secili po i kryen obligimet dhe detyrat e veta në këtë drejtim: BE duke mos lejuar që të shtrohet kjo çështje në tavolinën e bisedimeve; Qeveria e Kosovës duke /aminuar/, si dhe Serbia duke e realizar atë në praktikë, e papenguar nga askush.

Prandaj, të gjitha veprimet e pakuptimta dhe të çoroditura e gjejnë përgjigjen racionale vetëm poqese shikohen nga kjo prizmë e realpolitikës antishqiptare që është duke ndodhur aktualisht.

Serbia tani propozon ndryshimin e flamurit shqiptar, ashtu si Italia Fashiste që bëri me okupimin e Shqipërisë më 7 prill 1939 dhe me Aneksimin e saj nën Mbretërinë e Perandor Emanuelit, duke ia ndërruar pamjen flamurit shqiptarë me vendosjen e sopatave fashiste në mes shqiponjës dykrenare. Andaj, edhe Serbia është duke shkuar në këtë drejtim!

Por, as Qeveria e Kosovës nuk ka ngecur mbrapa në realizimin e /devotshëm/ të detyrave të saja në këtë drejtim, duke vendosur taksa hyrëse drakonike për shqiptarët e Luginës së Preshevës në kufi dhe duke mos lejuar asnjë veturë të shqiptarve të Luginës që të hyjë në truallin e /Kosovës nënë/, pa e paguar këtë taksë!

Llogaritet se në këtë mënyrë Qeveria e Kosovës i plaçkitë /vëllezërit e vet matan kufirit/ reth 15-20 milion euro në vit, pa e investuar asnjë cent dhe pa paraparë në Buxhet të Kosovës asnjë lek për këta shqiptarë të mjerë.

Mimoza Kusari-Lila, si nënkryetare e Qeverisë së Kosovës dhe ministre u kujdes që ta demonstroj kujdesin e saj për heqjen e taksave dhe ndalesave që ia vuri Maqedonia qytetarëve dhe ekonomisë kosovare, por /harroi/ se pikërisht partia e saj, AKR dhe kompania private e sigurimit e shefit të saj Behxhet Pacolli është përfituesja dhe realizuesja e kësaj vepre antishqiptare.

Pra, Serbia jo vetëm që i ka duartë e lira aktualisht që të veproj si tē dojë me shqiptarët e Luginës, duke ua rrënuar përmendoret për të nderuar dëshmorët e vet, ua  ka bka bërë ndalimin e teksteve dhe mjeteve mësimore, qe pesë vjetë e më tepër, për ta pamundësuar arsimin shqip në Luginë, diskriminimin ekonomik, juridik e politik të tyre, duke i ndjekur e përndjekur të gjitha veprimet e shqiptarëve, si dhe duke e ndaluar përdorimin e simboleve kombëtare. Kurse tani, kërkon që të ndryshohet edhe flamuri kombëtar i shqiptarve?!

Kosova duhet ti përgjigjet me të njejtën masë serbëve të Kosovës, duke mos lejuar flamurin shtetërorë të Serbisë të valvisë në trualin e Kosovës, i pandryshuar, ashtu si valvitet në Beograd dhe kudo në Serbi. Poqese Kosova nuk e bënë këtë dhe poqese Shqipëria me Kosovën nuk e ngrisin fuqishëm zërin kundër këtij propozimi serb, atëherë do ta nënshkruanin me dorë të vet kapitulimin e shqiptarve para serbëve dhe Serbisë.

Pra, Qeveria e Kosovës duhet vendosur masa reciprociteti jo vetëm për tregtim të miellit, por edhe për të drejtat e shqiptarve, e jo vetëm të deklaroj Kryeministri i saj se /Kosova do të jet gardian i shqiptarve në ish Jugosllavi/, duke lënë vend për keqkuptime se na trajton si /të burgosur/ dhe se është e gatëshme që së bashku me të tjerët, sllavomaqedonasit, malazezët,serbët, etj. të na ndëshkoj, e jo se e ka obligim kombëtar të na del Zot dhe të na ndihmoj!

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch