Home » Lajme, Opinione » Sulltan Rama rá: Sovrani merr në dorë fatet e Atdheut

Sulltan Rama rá: Sovrani merr në dorë fatet e Atdheut

Nga Azgan HAKLAJ

Rama e shpura e tij kriminale ia mbathi për në Vlorë.

Një shprehje e urtë arabe thotë: “kur nuk shkon Muhameti tek mali shkon mali tek Muhameti”. Por mali i Muhameti është mali i vyrtytit, i moralit, i besimit, i kuvendit me Zotin, ndërsa Rama dhe Rilindja e tij janë sinonim i një mali me krim, hajni, korrupsion e mëkate të panumërta.

Uzurpimi i shtetit nëpërmjet pushtetit, shkatërrimi i institucioneve ligjvenëse e kushtetuese, shitja e interesave kombëtare, dhënia e pasurive të vendit me konçesion, është “feja” në të cilën beson ai dhe oligarkët e krimit, të cilët sponsorizuan ardhjen e tij në pushtet, me dhunë e kërcënime, me vota të blera nga narko-trafikantët, kapot e krimit.

Rama shkoi në Vlorë për t’u dhanë llogari padrinove të tij mafiozë se ai tani e ka tashmë të pamundur të qeverisë, në një kohë kur skandalet shpërthejnë çdo ditë dhe kur shqiptarët dhe aleatët e tyre perëndimorë po ia shtërngojnë përditë litarin rreth qafës.

Ndërkaq në Tiranë qindra e mijëra shqiptarë, burra e gra, djemë e vajza, studentë, profesorë, sindikalistë, mjekë, mësues, përfaqësues të shoqërisë civile, pensionistë e të papunë, patriotë nga të gjitha trojet arbërore do marrin në dorë fatet e Atdheut për të shpëtuar demokracinë dhe gjymtyrët e lisit kombëtar nga copëtimi.

Edi Rama ashtu si të gjithë neodiktatorët që atdheun e tyre e konsiderojnë Sulltanat e dhunën e kartonit një Shpatë Demokleu në qafën e Opozitës do të marrë çmimin që meriton.

2.000 vjet më parë në trojet dardane komandanti i legjioneve romake, i joshur nga bukuria e një vajze dardane, bija e Princit të Dukagjinit, i urdhëroi ushtarët e tij:
“Këtë vajzë e dua të gjallë”. Kur shqipja dardane u hodh nga shkëmbinjtë duke u flijuar për Atdhe ushtarët e tmerruar i thanë komandantit: “Ra vetë”. Populli e përjetësoi duke e pagëzuar vendlindjen e saj me emrin e sotëm Rahovec, në Kosovë.

Rama iku në Vlorën e Ismail Qemalit e ban mirë të hidhet nga shkëmbinjtë e bregdetit në det që të martirizohet, të thonë se ra vetë për shkak se nuk po ban dot bashkimin kombëtar me folklorizmat e tij.

Edhe pse nuk do të përjetësohet në histori si dishepull apo Ati i Kombit të Bashkuar, të paktën të fshehë identifikimin si Esat Pasha i Dytë dhe të mbetet ikonë e Elisa Spiropalit.

Në fakt Rama ka rá, por nuk do të mbetet në histori as sa Vajza e Rahovecit me aktin e saj heroik.

Nuk ka rënë vetëm Qeverisja, që identifikon një mazhorancë. Ka rënë krejt Shteti.

Pasi erdhi në pushtet me votat e vjedhura e të blera, me dhunë e terror ndaj administratës dhe Opozitës, pasi e mbushi Parlamentin me vrasës e kriminelë ordinierë, Kryeministri Rama mandatoi në pushtetin vendor, në oazet e tij të krimit e trafiqeve, monstra të tipit Dako, Roshi, Sejdini, kumbarë të kriminelëve e trafikantëve.

Mazhorancat absolute të ardhura në pushtet me ortakëri e sponsorizim të Mafies janë djepi i neodiktaturave dhe faktori determinant në shkatërrimin e Demokracisë, Shtetit e institucioneve kushtetuese, mekanizmave të vetme të cilat janë garante të Lirisë dhe Demokracisë.

Kryeministri e ka shkatërruar tashmë të gjithë infrastrukturën dhe bazën mbi të cilën funksionon një shtet dhe institucionet e tij në një shoqëri të lirë dhe demokratike.

–  Gjyqësori ka rënë.

– Gjykata Kushtetuese, garante e Lirisë dhe e të Drejtave të Njeriut nuk funksionon.

– Gjykata e Lartë, hallka e fundit që garanton drejtësinë është shuar.
Organi qendror i akuzës është rrëmbyer në mënyrë antikushtetuese nga shërbëtorët e verbër dhe të bindur të Kryeministrit.

Vetingu në Drejtësi është kthyer në një instrument politik në dorë të Qeverisë dhe në një gjueti shtrigash kundër atyre që nuk pranojnë të rekrutohen si jeniçerë të qeverisë.

Premtimi e “projekti” i Ramës e i Rilindjes për një Shqipëri Europiane është në fakt projekti më antieuropian e antikombëtar, i realizuar nga një qeveri në tërë historinë e Shtetit Shqiptar.

Rama e ktheu Shqipërinë në një Kolumbi të Europës, në një parajsë të trafikantëve.

Një gjë të tillë nuk ka guxuar ta bante as diktatori Hoxha, i cili atëkohë kishte autoritet, forcë e mjete logjistike shumë herë më të mëdha e të fuqishme se piktori e publicisti i dështuar.

Rama nuk është vetëm arkitekt i shkatërrimit të Shtetit të Shqipërisë Londineze.

Rama, përmes përfshirjes së tij në skenarin ruso-turko-serb për destabilizimin e Ballkanit dhe ndarjen e Trojeve Shqiptare, plotëson trekëndëshin me Haxhi Qamilin dhe Esat Pashë Toptanin, si trekëndëshi i Zi i Bermundës, për fatet e Kombit tonë.
Është i vetmi Kryeministër në histori që këmbëngul në ndarjen e Kosovës, pjesës më vitale të nacionalizmit e të patriotizmit shqiptar, djepi i kuvendeve, besëlidhjeve, kryengritjeve që farkëtuan e finalizuan Pavarësinë e Shqipërisë.

Skenarët e hershëm ruso-turko-serbë për përmbysjen e qeverive demokratike e proeuropiane në Maqedoni e në Mal të Zi kanë dështuar sëbashku me përpjekjen për ta mbajtur në burg Kryeministrin e Kosovës, simbolin e Luftës për çlirimim e saj, betejës për çertifikimin e kësaj Kauze, e sot për mbrojtjen nga ndarja të Trojeve Tona, z. Ramush Haradinaj, si dhe tentativën për eleminimin fizik të udhëheqësit të Opozitës, z Lulzim Basha e për të jetësuar në Shqipëri Luftën Civile.

Marrveshja Rama-Basha ishte një precedent në historinë e politikës shqiptare.
Unë e kam quajtur një Rambuje të Dytë në një shkrim atëkohë. Lideri i Opozitës me një vizion largpamës e të guximshëm, edhe pse ishte i bindur për koston politike, e nënshkroi këtë Marrveshje duke vënë në plan të parë interesat më të larta të Shqipërisë, të Kosovës dhe të Shqiptarëve në Maqedoni dhe në Mal të Zi. Koha i dha të drejtë.

Mali i Zi dhe Maqedonia në NATO dhe drejt BE-së. Kosova aspirante për në BE dhe në Aleancën e Atlantikut janë arritje madhore, për të cilat Rugova, Ramush Haradinaj, Ali Ahmeti, Lulzim Basha kanë kontribut të shquar në historinë e re të Kombit Shqiptar.

Sot Opozita dhe Populli Shqiptar nga Apet e Bregdeti, nga Lindja dhe Perëndimi, do të zbarkojnë në Tiranë dhe ashtu si dikur aleatët në Normandi për të fituar me çdo çmim e për të marrë bunkierin e fundit që e mbron me dhunë, mashtrim, intriga e pabesi neodiktatori, despoti dhe aventurieri i fundit politik në historinë e Kombit tonë, Sulltan Rama.

Largimi i Ramës e bandës së tij është imperativ i ngutshëm i Kohës dhe njëherësh Urdhër Suprem i Sovranit dhe i Atdheut për të shpëtuar Demokracinë në Shqipëri dhe për të ndaluar copëtimin e Trojeve Amtare.

Sejmeni i bandave të krimit dhe i mafies politike, sherbëtori i bindur i carëve ruso-otoman të Kremlinit dhe Ankarasë, Kryeministri që guxon të nxjerrë në pazare e të shesë interesat më të larta e të shenjta të Atdheut dhe të Kombit, do të marrin sot Ultimatumin e Fundit në emër të Atdheut e të Lirisë nga burrat dhe gratë e djepit të shqiponjave, tokës së Gjergj Kastriotit e të Nanë Terezës, të Ismail Qemalit e Hasan Prishtinës, të Isa Boletinit, të Ibrahim Rugovës, nga deti i njerëzve që do të përmbytin sheshet “Skenderbej”, “Nanë Tereza” dhe Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”

Rama ik!

Largohu!

Është Ultimatum i pakthyeshëm i Sovranit.

Referendumi Kombëtar sot vendos: Koha jote ka mbaruar…

Tiranë, 16 shkurt 2018

0ra 6.54

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2019 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch