Home » Kulturë » Takim me mësuesen Eglantina

Takim me mësuesen Eglantina

Eglantina-1Para një muaji, shoku im, Bedriu, më njoftoi se kish marrë një telefonatë nga ish mësuesja jonë e gjimnazit, zonja Eglantina Mandija. Ajo, që nga janari 1997, jeton në Windsor të Kanadasë, por vijon lidhjet me atdheun përmes shkrimeve të saj të shumta si psh: Tregim për ty, Duke mposhtur vdekjen, Jeta dhe motrat e saj, Në çdo pëllëmbë të tokës sime, Një pritje e gjatë, Lisa të mëdhenj, Sonata e hënës, Tempulli i shpresave, Arratia e zogjve, Shtëpiza buzëdetit.

Këtë radhë ajo kishte ardhur me librin e saj më të ri, “Fytyrë e dashurisë”, ku janë përshirë edhe shkrime për brezin tonë.

Eglantina-2

Po e prisja me padurim takimin me të. Isha në plazhin e Durrësit kur Bedriu më telefonoi se mësuesja Eglantinë ndodhej në Tiranë dhe mund të takohej me ne. Caktuam ditën dhe orën. Kështu, mbrëmjen e 3 korrikut do mblidheshim te kafe “Petrela”, në ruugën e dikurshme me nofkën ‘Broduej’ që Bedriu e ka përshkruar edhe në poezitë e tij.

Mësuesja kish ardhur më parë se ne me taksi dhe na priste në qoshkun e Rrugës e Barrigadave, ku ndodhet edhe ish shkolla “Sami Frashëri”, gjithnjë me mendimin se andej do vinim edhe ne…Kurse ne erdhëm pak para orës 20 dhe na erdhi turp për këtë…Sidoqoftë u lumturuam kur pamë të afrohej jo një zonjë diçka më e moshuar se ne vetë, afro 70 – vjeçarë, por si shoqja jonë! E freskët, vitale, e qeshur me atë lëkurë të bardhë dhe thjeshtësi të admirueshme, mësuesja hyri në lokal duke ndritur gjithçka. Erdhi edhe Heroina që kish shkuar të merrte një tufë me lule për mësuesen.

Eglantina-3

Të gjithë donim të bënim menjëherë foto me të dhe mësuesja nuk mërzitej.

Mandej nisën bisedat, shakatë. Fisniku kujtoi që, ndonëse studio për ingjinieri, që në gjimnaz e kish pëlqyer historinë, pikërisht nga që mësuesja e jepte atë lëndë me shumë pasion. Bedriu hapi laptopin dhe nisi të shfaqë me të foto të vjetra të kohës së gjimnazit. Luiza tregonte ndonjë episod si psh për Vedatin që gjithnjë donte të ulej në bangot e para për ta parë nga afër mësuesn tonë të bukur..

Eglantina-4

Unë po tregoja për një novelë të mikut tim, Naunit, me titull “Gruaja që gënjeva” dhe xhelozinë që kish shfaqur e shoqja e tij vetëm nga ky titull. Në fakt bëhej fjalë për një ish funksionar partie që kishte qenë në një grup kontrolli për të provuar një denoncim për një ish sekretar partie imoral. Por bashkëshortes së këtij sekretari i kishte thënë jo shkakun e vërtetë të shkarkimit dhe tranferimit të burrit të saj në fshat, por thjesht një arsye tjetër, “zbutje të luftës së klasave”. Mësuesja tregoi me këtë rast një ngjarje të atyre kohëve, kur kish ardhur për vizitë një bashkëatdhetare nga jashtë dhe kish vënë re që nusja e shtëpisë nuk e mbante veten, nuk zbukurohej para burrit, por robtohej tërë ditën me punët e shtëpisë. – “Nuk ke frikë motër se burrin ta marrin gratë e huaja?”- Jo, i ishte përgjigjur nusja- burrin ma ruan Partia!”..

Mësuesja kujtonte fëmijërinë e hershme në Korçë gjatë luftës kur gjyshet që e kishin rritur, pasi ajo vetë ishte jetime, e mbronin nga bombardimet e aleatëve kur ata barteshin nga qyteti për në ndonjë fshat pranë. Sigurisht pati viktima- tha ajo. Fisniku shtoi se shumë beteja “ngadhnjimtare’ të partizanëve kanë qenë të fryra. Psh ajo e Mushqetasë, kur dëmi i shkaktuar kolonës gjermane që kthehej nga Greqia i erdhi kryesisht nga aviacioni britanik. Madje nuk janë aq shumë dëshmorë sa është shpallur: 28000! Ashtu është, miratoi mësuesja, po t’i mbledhësh katër vëllimet e “Heronjëve të pashuar” nuk dalin kaq..

U fol për ndikimin e jugosllavëve gjatë Luftës dhe më pas, etj.

U fol për tranzicionin, për shtrëmbërimin e historisë nga “fitimtarët”. Sidoqoftë, theksonte mësuesja, ne shqiptarët e kemi një të keqe të madhe, kur vimë në pushtet shpërfillim gjithçka të bërë nga të tjerët më parë.

Kur u përmënd Nako Spiro për të cilin në librin e ri kishte një shkrim “Dosja e hapur”, Kujtimi tha se kishte dëgjuar nga dëshmitarë okularë se Nakon e kanë vrarë në afërsi ballë për ballë, nuk qendron version i vetëvrasjes. Po ashtu Mustafa Gjinishin, e ka vrarë një skuadër partizane me komandante Liri Gegën. Në këtë çast, mësuesja na zbuloi diçka që nuk e denim: Mustafa Gjinishi ka qenë fejuar me ish mësuesen tonë të anglishtes, Afërdita Asllanin. Afërdita i kish treguar edhe asaj këtë version, por në atë kohë ishte e rrezikshme të pohoje të vërtetën.

Bedriu dhe Kujtimi e kishin pasur mësuese zonjën Eglantina edhe në shkollën 7- vjeçare “Lidhja e Prizrenit”. Kur ja kujtuan asaj këtë fakt, mësuesja u tha diçka tjetër të re për ta: ajo vetë kishte qenë nxënëse në atë shkollë në vitin 1942!

U fol për prof. Ahmet Gashin gjithnjë me respekt si mësues i apasionuar i gjeografisë por së pari si atdhetar. Edhe mësuesja e vlerësoi mjaft pasi prof. Gashi i kishte dhënë mësim edhe në shkollën pedagogjike. Është një brez mësuesish të viteve 30-të vijoi ajo- që mbase është i papërsëritshëm pikërisht për ndihmesën që dhanë në arsimin tonë kombëtar!

Në mbarim të takimit e përcolla mësuesen për në banesën e mbesës ku po rrinte, diku pranë kartolerisë. Rrugës vijuam bisedën, e pyeta për gjendjen ekonomike në Kanada, për kushtet e arsimimit atje, për shoqatat e shqiptarëve dhe televizionin e tyre.

Duke u ndarë me të shpreha edhe njëherë kënaqësinë që erdhëm në lidhje duke shpresuar që kjo lidhje të vijojë për shumë vjet.

Bardhyl Selimi, 4 korrik 2014

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch