Talat Xhaferi zgjidhet kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut

Talat Xhaferi është zgjedhur kryeministri i parë shqiptar i një Qeverie teknike në Maqedoninë e Veriut.

Ai mandatin e tij e ka marrë të dielën përmes votave të deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë, ku u votua me 65 vota pro, tri kundër dhe asnjë abstenim.

Talat Xhaferi në cilësinë e mandatarit i ka dorëzuar në Kuvend emrat e kabinetit me të cilin do të udhëheqë, përfshirë edhe programin qeverisës.

Xhaferi në hyrje të fjalimit të tij foli për përbërjen e qeverisë së tij në bazë të marrëveshjeve të arritura më herët të partive më të mëdha politike në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, ku edhe janë caktuar datat e zgjedhjeve parlamentare në këtë vend.

“Edhe pse mund të quhet qeveri kalimtare e cila prioritetin e parë e ka mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale e parlamentare, në mënyrë të drejtë dhe demokratike dua të potencoj këtë: Për mua, si mandatar i kësaj qeverie nuk ka dallim nëse është fjala për 1 apo 100 ditë për qeveri teknika apo kalimtare, unë këtë detyrë, besim, nder dhe mbi të gjitha përgjegjësi jashtëzakonisht të rëndësishme e kuptoj dhe do t’i qasem ashtu siç kam vepruar në çdo etapë dhe në çdo sfidë që është shfaqur para meje në jetën profesionale dhe personale”, ka deklaruar Talat Xhaferi.

Ai tutje ka thënë se sundimi i të drejtës, luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar mbetet politika qendrore dhe strategjike të qeverisë së tij dhe në përputhje me standardet më të larta të Bashkimit Evropian.

Xhaferi ka premtuar mbajtjen dhe avancimin e lidhjeve të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian, aleancën e NATO-s dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe zbatimin e plotë të parimeve dhe vendimeve të marrëveshjeve të rëndësishme për marrëdhëniet ndëretnike.

Lini një Përgjigje

Previous post Rikthimi i Marie Shllakut
Next post Hysen Ibrahimi – Telegram urimi