Vizita e tij e parë pas tetë muajsh në Kosovë, nuk ishte e zakonshme. Ai u kthye nga vendi në të cilin kishte shkuar për të vazhduar shkollimin për violinë me epitetin e yllit. I tillë u trajtua nga miqtë e familjarët që kishin dalë ta prisnin.
Të dielën pasdite, Mark Marku – nëntëmbëdhjetëvjeçari nga Prizreni, i cili pushtoi zemrat e audiencës me paraqitjen në spektaklin televiziv “Kroacia kërkon yllin”, kaloi nëpër tapetin e kuq në daljen për VIP në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.
Marku, në vizitën e tij dyditore në Kosovë, është shoqëruar nga Ivana Nobilo Cetinski, menaxherja më me nam në Kroaci, të cilës ia ka besuar karrierën prej këngëtari. Të dy, sot (e hënë) në mesditë do të mbajnë një konferencë në Teatrin Kombëtar të Kosovës.Mark Marku është radhitur i treti në spektaklin televiziv “Kroacia kërkon yllin”. Në paraqitjen e fundit, ai kishte interpretuar këngën e vjetër maqedonase “Zajdi, Zajdi”, që dikur e këndonte Toshe Proeski tashmë i ndjerë. Performanca e tij kishte ngritur në këmbë jurinë dhe publikun, i cili e kishte duartrokitur e brohoritur për 60 sekonda pandërprerë.
Hasan Hasani