Home » Lajme, Opinione » Tani Epoka e Re me Kurtin Kryeministër dhe Osmanin Presidente

Tani Epoka e Re me Kurtin Kryeministër dhe Osmanin Presidente

Nga Skënder Sadri KAPITI

Me zgjedhjen nga Parlamenti dardan të Znj. Osmani si Presidente dhe me parë të Z. Kurti si kryeministër i jepet fund sundimit të politikës së vjetër dhe hapjes së një Epoke të Re në Kosovë, për t’i dhënë fund dhe për t’u ndarë nga tranzicioni 20 vjecar , për ti dhënë fund politikës së keqe e cila kishte kapur  dhe që e mbajti peng demokracinë, drejtësinë, ligjin , shtetin ,zhvillimin dhe integrimin e vendit.

Gjykatësi i madh është koha. Koha tregohet e pamëshirshme dhe ajo zbulon të vërtetat, mashtrimet, krimet,dështimet dhe është po koha ajo e cila nxjerr ne pah realitetet e të këqijat dhe që i ndëshkon ato si rrangalla e vjetërsira të dalë boje.

Aq më shumë akoma, gjykatësit kohë nuk i shpëton dot as politika. Koha tashmë ka provuar e vërtetuar se politika e vjetër që e ka sunduar Kosovën është konsumuar dhe ka dështuar në të gjitha drejtimet dhe epoka e elitës së vjetër politike PAN e PLAN tashmë ka ikur e perënduar madje edhe shumë turpshëm. Dhe më 14 shkurt fillon epoka e re të cilën mund ta quajmë epoka Kurti-Osmani si epoka e ndërtimit të një Republike të Re, të konsolidimit të shtetit e të demokracisë pasi elita e vjetër politike ka dështuar në ndërtimin e Republikës. Dhe është e sigurt se referendumi i 14 shkurtit ishte një votim e vullnet gjithëpopullor për realizimin e verdiktit popullor për demokracinë dhe republikën, pra për shtetin e të gjithë qytetarëve të Kosovës, për shtetin për të cilin kanë sakrifikuar prej shekujsh brezat. Republikë do të thotë gjë e të gjithëve, që u përket të gjithë prestarëve të një komunitetit apo shteti. Në Kosovë kjo nuk është realisht kështu pasi Republika ka vetëm emërtesën Republikë, ajo në gjithë këto vite ka qenë republikë e personalizuar dhe e privatizuar nga pushteti i papërgjegjshëm, nga mafio-oligarkia dhe korrupsioni.

Prandaj dhe 14 Shkurti 2021 është dita kur do të shembet pseudorepublika dhe do të fillojë të ngrihet Republika e vërtetë, Republika e re, republika me të vërtetë demokratike. Kjo Republikë e pas 14 Shkurtit do të jetë sistem politik mirëqeverisës dhe demokratik pasi realisht nuk ka pasur dhe as nuk ka funksionuar një republikë funksionale dhe demokratike reale më parë, gjatë këtyre 20 viteve.

Kjo më saktë do të realizohet nëse Kurti dhe Osmani do i vënë themelet dhe ndërtojnë një shtet mirëfunksional ligjor e demokratik e që automatikisht ata do të ndërtojnë një shtet modern demokratiko-republikan dhe si të tillë ata historia do t’i shënojë si reformatorët që reformuan dhe konsoliduan sistemin demokratik, atë Republikan dhe do të bënin epokë dhe e cila do të shënohej si epoka Kurti-Osmani. Kjo mund të quhet si një epokë e re, me emrin e dy promotorëve të saj të Z. Kurti dhe Znj. Osmani te të cilët është shpresa dhe besimi se shqiptarëve të Dardanisë  do t’u kthehet demokracia republikane. Një gjë të tillë unë e kam shkruar që me 17 Nëntor 2020 në shkrimin me titull: Vizioni dhe misioni i Kurti-Osmanit – Republikanizmi dhe çmontimi i korrupsionit dhe shtetit privat e tribal. Kurrë nuk ka zhvillim në një shtet kur ligjin e bëjnë dhe e sundojnë korrupsioni, nepotizmi, krahinizmi dhe injoranca, tipare këto të pushtetit e të politikës së epokës tribale e mesjetare, para republikane, para demokratike e para moderne. Shteti  është trajtuar nga elita politike si një shtet privat dhe tribal dhe jo si shtet republikan. Kjo pasi: postet dhe detyrat e larta shtetërore, administrative,pasuritë kombëtare dhe paraja publike, ligji dhe drejtësia në Kosovë janë prona, të drejta, autoritete dhe privilegje për një pakicë njerëzish me lidhje klanore, fisnore, partizane dhe krimi, korrupsioni e hajnie. Parlamenti, qeveria, Presidenca dhe drejtësia kanë funksionuar si agjensi private të shpërndarjeve dhe shpërblimeve me paranë publike dhe të posteve atyre individëve që kanë lidhje familjare e fisnore.

Si kryeministri Kurti ashtu   edhe  Presidentja   Osmani, e cila në fjalimin e saj para deputetëve ka thënë se me Serbinë nuk mund të ketë  pajtim pa  u përballur ky shtet me  përgjegjësinë  për krimet e luftës?  Kjo deklaratë e Vjosa osmanit  ka shpërthyer si bombë ne mediat serbe!

Tani  është dhe fillon ajo të cilën unë e kam quajtur me 12 Shkurt 2021, dy ditë para zgjedhjeve në Dardaninë shqiptare  si Epoka KURTI-OSMANI.

Dardania sot është e lirë dhe shtet ,është Republikë, por nuk duhet harruar në asnjë mënyrë e shkuara që do të thotë se nuk ka pajtim me Serbinë pa e pranuar dhe pa u ndëshkuar ajo për krimet dhe genocidin e luftës.

Tashmë me Kurtin Kryeministër dhe me Osmanin Presidente nuk do ketë zhvillim bisedimesh Kosovë-Serbi përvecse mbi bazat e politikës së reciprocitetit dhe barazisë ndërmjet shteteve ku para së gjithash kësaj do t’i hapte rrugën kërkimfalja dhe ndëshkimi  i shtetit serb për krimet dhe genocidin ushtruar  mbi shqiptarët.

Me Kurtin Kryeministër dhe me Osmanin Presidente  do të bëhet edhe VETING-u në drejtësi, pra ndërtimi dhe vënia në funksionim të Ligjit dhe të shtetit ligjor për të mposhtur krimin, korrupsionin , hajninë dhe tradhtinë.

Nuk ka drejtësi pa ndëshkimin dhe dënimin e krimeve të luftës,pa ndëshkimin e genocidit dhe pa dëmshpërblimin  nga Serbia, si dhe nuk ka drejtësi pa ndëshkimin e krimit juridik, pa ndëshkimin e krimit  të korrupsionit dhe pa ndëshkimin e krimit të hajdutërisë politiko-institucionale, pra pa VETING në Drejtësi. Tani është  dhe fillon epoka e re me Kurtin Kryeministër dhe Osmanin Presidente. 

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch