Home » Lajme, Ndërkombëtare » Të hënën kryeministri Kurti, do të ulët serish në tavolinën e bisedimeve përball presidentit serb, Aleksander Vuçiq

Të hënën kryeministri Kurti, do të ulët serish në tavolinën e bisedimeve përball presidentit serb, Aleksander Vuçiq

Të hënën në Bruksel do të zhvillohet takimi i dytë ndërmjet kryeministrit kosovar, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksander Vuçiq, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se tema thelbësore e këtyre bisedimeve është krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe njohja e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë.

Kryeministri kosovar, Albin Kurti, do të ulët serish në tavolinën e bisedimeve përball presidentit serb, Aleksander Vuçiq, me  ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Presidenti serb, Aleksander Vuçiq, ditë më parë në deklarimet e tij është shprehur optimist për bisedimet me Kosovën. Ai ka thënë se duan të bisedojnë më Kosovën dhe t’i zgjidhin problemet konkrete, nga personat e zhdukur e gjithçka tjetër. E për njohësit e zhvillimeve politike në vend, negociatat me Serbinë thelbësore e kanë  krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Për profesorin e shkencave politike, Nexhmedin Spahiu, çështja e asociacionet do të bëhet,  dhe ky do jetë pazar i dhimbshëm i Kosovës për të marrë njohjen nga Serbia.
“I gjithë thelbi i negocimit në Bruksel është se me çfarë kompetenca të jetë asociacioni. Të gjithë akteret politikë e kanë parë të arsyeshme që këtu të bëhet pazari, d.m.th që ky të jetë një çmim për marrjen e njohjes nga ana e Serbisë”,  ka thënë Spahiu për Radio Kosovë.

Ndërkaq, juristi Ehat Miftaraj vlerëson se prezantimi i ideve kreative nga qeveria Kurti, duke propozuar një model për Asociacionin, i cili nuk e cenon rendin kushtetues, do të ishte fillim i mbarë për përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare që ka marrë Kosova për sa i përket Asociacionit.

“Unë besoj se me një ide kreative nga ana e qeverisë Kurti, duke propozuar një model të caktuar i cili nuk e cenon rendin kushtetues juridik, do të ishte një fillim i mbarë për të përmbushur zotimin ndërkombëtar që ka marrë Kosova në raport me asociacionin”, ka deklaruar Miftaraj për Radio Kosovën.

Takimi ndërmjet kryeministrit kosovar, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksander Vuçiq, do të zhvillohet të hënën. Këtë e ka konfirmuar javën që lamë pas zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano, i cili tha se ky takim i nivelit të lartë do të përqendrohet në diskutimin e progresit të arritur deri më tani, hapat e ardhshëm dhe rrugën përpara në dialog, i cili është, siç e dini, shumë i rëndësishëm për perspektivën evropiane të Kosovës dhe Serbisë.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch