Home » Opinione » TRAGJEDIA E KUMANOVËS KA ZBULUAR FYTYRËN E VËRTET TË NJË REGJIMI KRIMINEL DHE ANTIDEMOKRATIK NË MAQEDONI

TRAGJEDIA E KUMANOVËS KA ZBULUAR FYTYRËN E VËRTET TË NJË REGJIMI KRIMINEL DHE ANTIDEMOKRATIK NË MAQEDONI

Fehmi Ramadani2Fehmi RAMADANI

 

Tragjedia e Kumanovës, edhe pse kishte tentime të shpallej si një konflikt i  panjohur, një enigmë e interesave të padefinuara, si një tentim i një grupi të njerëzve të dëshpëruar për interesa korruptive etj, nuk mund të jetë kështu. Konflikti i Kumanovës, i planifikuar, apo i paplanifikuar ka qit në shesh shumë probleme të politikës së këtij shteti, sidomos pakënaqësinë e shqiptarëve me pozitën e tyre jo të barabartë dhe diskriminuese. Ky konflikt, përfundimisht e zbuloi fytyrën e vërtet të një regjimi kryekëput kriminel dhe antishqiptarë në këtë shtet. Pa marrë parasysh shkakun, apo shkasin ky regjim kriminel nuk guxonte të shprehte gjithë forcën në një lagje etnikisht të banuar me shqiptarë duke vrarë njerëz pas shpine, duke shkatërruar pasuri shekullore, duke maltretuar dhe traumatizuar njerëz të pafajshëm shqiptarë, duke bërë një krim të llahtarshëm për këtë kohë. A nuk mjaftojnë vetëm të shihen këto shkatërrime dhe të kuptohet se me çfarë regjimi kriminal kanë punët shqiptarët e këtij vendi? Sado që këta njerëz ishin kundër këtij regjimi, ky regjim nuk guxonte të bënte një veprim të tillë, një shkatërrim të shembullit të Vukovarit në Lagjen e Trimave.

 

Gjatë historisë janë të njohura shumë beteja humbur, por në fund lufta është fituar. Është e dhimbshme dhe tragjike, por e vërtetë se në Kumanovë kanë rënë disa djem më të mirë të kombit, të cilët më parë kishin marrë pjesë në luftën e këtij vendi. Por, ata kështu nuk guxonin të lejoheshin të përfundonin. Ata jo vetëm që nuk e meritonin, por nuk guxonin të përdhosen vlerat që kishin përfaqësuar më parë. Ata duhej të mbroheshin, por nuk u mbrojtën, sepse dikush më lartë ata i kishte manipuluar.

Tani, kjo ngjarje ua ka qel sytë katër të gjithë shqiptarëve, atyre të njëmendët, por edhe të panjëmendëve. Pas kësaj tragjedie politikanët shqiptarë të këtij vendi nëse nuk kanë mësuar, atëherë kurrë nuk do të mësojnë. Politika shqiptare e këtij vendi duhet të jetë bashkë në mënyrë që largojë nga pushteti regjimin autokrat dhe kriminel të Grueskit, por duke kërkuar Marrëveshje të re për shqiptarët në këtë shtet. Fitorja e shqiptarëve në këtë shtet pa asnjë dyshim është e pashmangshme deshën apo nuk deshën politikanët e tyre. Shqiptarët kurrë më në historinë e tyre nuk do të jenë popull i diskriminuar dhe i dorës së dytë. Ata, ose do të jenë pjesë e barabartë e këtij shteti, ose ky shtet do të përjetojë fundin sikur ish-Jugosllavia.

 

Ndërkaq, sa u përket disa shkrimeve nëpër portale dhe gazeta shqipe këtu në Kosovë, përkitazi me ngjarjen e Kumanovën nga disa të ashtuquajtur opinionist të karrierave të dyshimta dhe mercenarë të njohur, të cilët ende pa u varros trupat e këtyre djemve më të mirë kombit po hedhin akuza të rënda duke i trajtuar si profiter dhe haraç mbledhës të luftës. Këta po hedhin vrer të pa argumente mbi djemtë e vrarë në Kumanovë duke i quajtur pseudopatriot edhe pse këta kishin lënë gjurmë në veprimtarinë e tyre atdhetare. Këta të ashtuquajtur mercenarë të letrave shqipe tashti kur pikërisht këta djem dikur ua kishin “çliruar bythën”, po shpallen si kriminel, në kohën e veprimit të tyre Zoti e dinë se në cilin birucë kishin qëndruar.

 

Tani, ata e kanë lehtë, sepse pikërisht këta janë në shërbim të interesave të padefinuara. Në asnjë rast të botës nuk mund aq lehtë dhe aq shpejt të përdhosen këta njerëz pa u zhvilluar ndonjë hetim i drejtë. Për këta djem që ranë në Kumanovë deri më tani nuk ka folur asnjë kancelari botërore aq keq sa po flasin këta mercenarë shqipfolës nëpër gazetat e tyre tashmë të njohura botërisht me orientimet e tyre kundër interesave të Kosovës, politikës së SHBA-ve dhe përpjekjes ndërkombëtare në Kosovë dhe rajon. Këto njollosje nga këta pseudo-shqipfolës që po i bëhen këtyre djemve të vrarë në Kumanovë, as regjimi kriminal i Grueskit nuk kishte ditur të thoshte më keq.

 

Këta të ashtuquajtur opinionist mercenarë shqipfolës jetën e tyre e kanë filluar duke përfituar mbi gjakun dhe kurrizin e të tjerëve, por kësaj here e kanë shum gabim, sepse historia nuk do t’i fal. Ata duke hedhur baltë mbi gjakun e djemve më të mirë të këtij kombi dhe kështu i kanë shërbyer me devotshmëri jo vetëm përfitimeve të tyre, sepse ata vetëm këtë qëllim njohin, por edhe lufta e tyre ka qenë aq e pistë sa që rëndonte njësoj sikur e armikut. Por, këto mbeturina të letrave shqipfolëse më në fund duhet të kuptojnë se në këtë botë mbi të gjitha është një ligj universal njerëzor dhe hyjnor, i cili thotë se ashtu siç e ke filluar jetën duke shpifur në kurriz të tjerëve, ashtu do të përfundosh si i shpifur dhe do të qëndrosh në kurriz për tanë jetën.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress