Treshja Scholz, Macron e Meloni: Kosova Asociacionin, Serbia njohjen de-facto

Read Time:1 Minute, 51 Second

Kancelari gjerman Olaf Scholz, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni, kanë kërkuar që Kosova të nisë me procedurat për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, sipas draft-statutit të propozuar nga ndërkombëtarët më 21 tetor dhe që Serbia të jetësojë njohjen de-facto.

“Me qëllim të arritjes së progresit të shpejt në zbatim, ne i bëjmë thirrje Kosovës që të nisë procedurën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, siç përshkruhet në draftstatut, ndërsa Serbisë që të jetësojë njohjen de-facto. Formalitetet, përfshirë ato ndërlidhur me adoptimin, nuk duhet të qëndrojnë në rrugën e progresit për këtë çështje”, thuhet në një letër publike nga tre liderët evropianë.

Në letër, duke komentuar takimet e së enjtes në Bruksel, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, liderët evropianë kanë thënë se mirëpresin angazhimin “e të dyja palëve”.

“Kemi marrë parasysh komentet e bëra nga të dy liderët e Kosovës dhe Serbisë për statutin evropian për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe gatishmërinë e tyre të shprehur për zbatim. Draftstatuti që kemi prezantuar dhe e shtyjmë përpara plotësisht, përfshin një mënyrë moderne evropiane për ta trajtuar çështjen e ndjeshme të mbrojtjes së pakicave, në përputhje me praktikat dhe standardet më të mira evropiane, brenda parametrave të përcaktuara nga palët”, thuhet në letrën e publikuar në uebfaqen e Kancelarisë gjermane.

“Prandaj, edhe një herë nënvizojmë pritshmërinë tonë nga palët që t’i jetësojnë zotimet e tyre për zbatim të Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit. Faza implementuese duhet të avancojë me të dyja palët që kryejnë detyrimet e tyre paralelisht në mënyrë që hap pas hapi, bazuar në parimin që të dyja palët të bëjnë diçka për të marrë diçka. Fokusi duhet të jetë tani në avancimin e zbatimit të plotë të Marrëveshjes, pa parakushte apo vonesa”, thuhet aty.

Në fund, tre liderët kanë theksuar se presin që Kosova e Serbia të pajtohen shpejt mbi hollësitë e dialogut e kanë shtuar se po që se ka mungesë të përparimit në normalizim të raporteve, “të dyja palët rrezikojnë të humbin mundësi të rëndësishme”.

Letra e plotë e publikuar në uebfaqen e Kancelarisë gjermane:

https://www.bundeskanzler.de

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %

Average Rating

5 Star
0%
4 Star
0%
3 Star
0%
2 Star
0%
1 Star
0%

Leave a Reply

Previous post Enver Ramadani gjatë vizitës në Tiranë i siguron Bujanocit donacion prej 500 mijë euro
Next post Lista Serbe apel ndërkombëtarëve: Ndaleni Kurtin, po ndërton stacion policie në Zubin Potok