Home » Kulturë » U promovua libri “Fshati i vrarë”, një përkujtim për Krushën e Vogël!

U promovua libri “Fshati i vrarë”, një përkujtim për Krushën e Vogël!

Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve shqiptarë “Naim Frashëri” në kantonin e Aargaut, para mërgimtarëve bëri prezantimin e librit kushtuar Krushës së Vogël “Fshati i vrarë” të autorëve Agron Limani dhe Qemajl Krasniqi.

Të shtunën, më 24 Mars 2018 në rezidencën e zonjës Merita Pinta, në Tegerfelden të Kantonit të Aargaut, para mërgimtarëve, të cilët kishin ardhur të dëgjojnë, për dëshmitë dhe faktet, për masakrën në Krushë të vogël, u bë prezantimi i librit “Fshati i vrarë – Dëshmi dhe fakte për masakrën serbe në Krushë të vogël”.

Prezantimi filloi me himnin e flamurit dhe me një minutë heshtje kushtuar dëshmorëve të kombit dhe viktimave në Krushë të vogël, të cilët njëherit janë edhe themel i shtetit të Kosovës. Në fillim u tha se edhe ky prezantim bëhet në kuadër të aktiviteteve kombëtare, që sivjet janë titulluar “Viti i Skënderbeut”, që ndërlidhet me data të rëndësishme, si ajo e 550-vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, dhe 20 – vjetorit të epopesë së lavdishme të UÇK-së apo siç i themi ndryshe edhe Epopeja e Jasharajve.

Në emër të LAPSH “Naim Frashëri” për Kantonin e Argaut të pranishmit i përshëndeti znj. Merita Pinta, e cila njëherit është edhe sekretare e Lidhjes, e cila i falënderoi të pranishmit për pjesëmarrje dhe autorit – Qemajl Krasniqit i dëshiroi mirëseardhje.

Në fillim u bë prezantimi i autorëve dhe pastaj Vaxhid Sejdiu, i njoftoi të pranishmit me të dhënat rreth masakrës në Krushë të vogël, duke shtuar se:” Struktura e librit përfshinë fjalën e autorëve, një mori punimesh me temë, Krushën e vogël, duke sjellë një mori faktesh për gjenocidin e ushtruar mbi këtë vendbanim, një numër i konsiderueshëm dëshmitarësh, të cilët dëshmojnë për masakrën në fjalë, dëshmi për masakrën mbi njerëzit e pafajshëm, ku pjesa më e madhe e veprimeve janë të kryera nga banorët lokalë serbë, të cilët identifikohen edhe me emra e mbiemra. Libri shoqërohet me një listë të të vrarëve duke identifikuar edhe moshën, një listë ku janë shënuar gratë që humbën më të dashurit e tyre, familjet krushjane që u strehuan në Shqipëri, serbët që kryen masakrën apo që ndihmuan në vrasjen dhe zhdukjen e kufomave, dëmet materiale dhe në fund një album me fotografi, në të cilin shihet faqja e vërtetë e gjenocidit serb”.

Nga punimet e paraqitura në këtë libër u lexua recensioni prof. Dr. Sali Bytyçit me titull:”Në shërbim të kujtesës kolektive”, të cilën e lexoi z. Ramiz Dakaj.

Pas tij, fjalën e mori njëri nga autorët e librit z. Qemaj Krasniqi, i cili i njoftoi të pranishmit për masakrën e Krushës së vogël, të vrarët dhe të masakruarit, brutalitetin e forcave serbe mbi popullsinë e pafajshme shqiptare, të mbijetuarit, përpjekjet e tyre për ta mbijetuar këtë tragjedi dhe natyrisht u bë fjalë edhe për Shoqatën “26 Marsi 1999”, e cila pas përfundimit të luftës ka mbledhur dëshmi rreth masakrës së 25/26 marsit 1999 në Krushë të Vogël, dhe ato ua kanë dorëzuar institucioneve ndërkombëtare dhe vendore të drejtësisë, por për fat të keq edhe pas 19 viteve drejtësia ende nuk ka vajtur në vend.

Dhe në fund ishin të shumta pyetjet e mërgimtarëve pjesëmarrës, të cilët me një interesim të veçantë përcollën ligjëratat në fjalë.

Pas prezantimit të librit, znj. Merita Pinta për të gjithë pranishmit kishte organizuar një apero, gjatë së cikët pjesëmarrësit patën rastin të njihen edhe më për së afërmi me dëshmitë dhe faktet për Krushën e vogël.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch