Home » Opinione » “Ujku don mjegull”, ose dy “ish”-at e komunës së Preshevës!

“Ujku don mjegull”, ose dy “ish”-at e komunës së Preshevës!

Shkruan: Nehat Hyseni

“Ujku don mjegull”!

Kështu thotë fjala e urtë popullore.

Por, vallë pse don ujku mjegull?

Këtë nuk na e thotë dot fjala e urtë popullore!

Mbase na len që vet ta gjejmë?

Mund të duket kjo punë e vështirë, madјe shpeshëherë edhe e pamundur.

Sikur puna e Shqiprim Arifit dhe Ragmi Mustafës, ose dy “ish-ave” të Preshevës.

Më sakt: dy ish-kryetarve të komunës së Preshevës.

“Ish”-i i parë, Ragmi Mustafa ishte 12 vjet, kurse “ish-i” i dytë, dmth Shqiprim Arifi, ishte gjithsej 9 muaj kryetar.

Saktësisht sa i duhet një foshnje të qëndroj në barkun e nënës, derisa të del në “selamet”.

Dhe nga 10 marsi 2017 është shkarkuar dhe është bërë “ish kryetar”.

Meritë e pamohueshme “ish”-it të dytë, dmth Shqiprim Arifit është se me PVD-në e Riza Halimit e rrëzoi nga karriga e kryetarit të komunës së Preshevës, Ragmi Mustafën, i cili e kishte pasë dhënë betimin solemnisht para miletit se do të qëndroj “edhe 400 vjet” në atë post!

Hata e madhe ndodhi në Preshevë në zgjedhjet lokale të 24 prillit 2016, që herifit ia prishën ëndrrën shekullore, ose më sakt: 400 vjeçare të qëndrimit në pushtet.

Shyqyr Zotit!

Sepse, e pati shtyrë në siklet shkencën e mjekësisë, madje të përmasa botërore e planetare!

Si me ia sigurua jetën edhe 4 shekuj, dmth aq kohë sa po e don populli i Preshevës Ragmi Mustafën dhe ia paska pasë premtuar votën atij për kryetar të komunës.

Haj medet!

Sa shumë premtime, dashuri e mbështetje e këtij mileti për Ragmiun!

Por, fatkeqësisht, jeta apo “ymri” na qenka i shkurtër!

Madje shumë më i shkurtër se dashuria e popullit të Preshevës për Ragmiun.

Mjerisht, nga mjekësia botërore apo planetare, edhe përkundrejt premtimeve të Ragmiut për t’i korruptuar me vaj, sheqer e me gjëra të tjera dhe para të majme, që ia kishin “siguruar” atij premtimin e votuesve të mandatit 400 vjeçar të qëndrimit në pushtet si kryetar i komunës së Preshevës.

Për fat të keq, shkenca e mjekësisë, edhepse e joshur me paret dhe ryshfetin e majëm, qenka treguar e paaftë dhe e pa zonja për një arritje të tillë joshëse.

Andaj, meqë shkenca dështoi për t’ia zgjatur jetën Ragmi Mustafës për 400 vjet, dmth konform votës së premtuar nga populli, atij nuk i kishte mbetur tjetër rrugë, pos t’i drejtohet Burdushit, apo iluzionistëve të tjerë për ta arritur këtë objektiv të “vockël” të tij.

Natyrisht, që të mos i shkoj huq dashuria e pafund popullore dhe premtimet e votuesve preshevarë për ta pasur ate kryetar.

Sido që të jet puna, dëmi do të ishte tepër i madh poqese nuk e shpikin ndonjë “hajmali” apo ndonjë mundësi tjetër për t’ia zgjatur jetën edhe për katër shekuj Ragmi Mustafës.

Për ta “shpëtuar” Preshevën!

Po, po, për popullin e Preshevës ai e ka hallin!

Se për veti nuk ka problem.

Sepse, ia ka siguruar jetën vetes dhe nipave e stërnipave edhe për një mijë vjet.

Me 12 vjet të qëndrimit në pushtet, e me “sakrificat” e tij për popullin e Preshevës.

Duke i ndihmuar vetes, si dhe kusherijve të tij pafundësisht të shumtë.

Por, sa duket, i mbetën planifikimet në gjysmë!

Për popullin, nuk i mbeti kohë.

Meqë 12 vjet ishte kohë e shkurtër për të menduar edhe për veti, për kusheri e “akraba”, edhe për komunën dhe për popullin e Preshevës.

S’ka faj herifi, nga me ia mbajtë më parë?

“Ma ngat gusha se fusha”, thotë fjala e urtë preshevare.

Por, poqese arrihet “objektivi” që t’i shtohet jeta atij edhe për 400 vjet, do ta shoh bota se kush është realisht Ragmi Mustafa!

Prandaj, i bëjë thirrje popullit të Preshevës që të lutet me çka ka.

Dikush me “hajmalia”, me “sehire” ose magji e me çka ka, t’i lutemi Zotit që t’ia shtoj “ymrin” më të dashurit të vet, së paku edhe 4 shekuj.

Për ta “shpëtuar” e “lulëzuar” Preshevën!

Deri atëherë, Ragmi Mustafa se bashku me “ish kryetarin”, apo shkurt: “ish”-in tjetër, kanë vendosur që në mbledhjet e Kuvendit të Komunës së Preshevës të hedhin “mjegull”.

Pra, nuk do ta kopjojnë Vetëvendosjen e Albin Kurtin  për të hedhur gaz lotësjellës e sprej verbues dhe marifetllëqe të tjera.

Por vetëm “mjegull”. Së paku deri sa të “shërohet” e ta marrë veten nga “nokauti” politik nga partia e tij.

Ose më saktë: nga disa “tradhëtarë” bashkëpartiak, që janë 2/3 e këshilltarëve komunalë.

Të cilët janë “tradhëtarë”!

Sepse, nuk e votuan Ragmi Mustafën për kryetar të PDSH-së!

Për “qëllime karrieriste”!

Prandaj, edhepse Ragmi Mustafa ka mbetur si pakicë prej 1/3 përball shumicës partiake dhe të këshilltarëve komunal prej 2/3, ose 3 këshilltarë përball 9 këshilltarëve që janë kundër Ragmiut.

Natyrisht se mandatet janë të PDSH-së dhe partia është pronë private e Ragmi Mustafës, i cili do të jetë edhe 400 vjet kryetar i PDSH-së.

Kaq i ka “premtuar” populli i Preshevës se do t’ia jep votën për kryetar të Komunës. Prandaj, logjikisht i bie se duhet të jetë edhe kryetar i PDSH-së. Kështu që këta këshilltarë duhet t’ia kthejnë “pronarit” mandatet. Sa më parë, aq më mirë!

Mbase, derisa të vendosin për ta bërë një veprim të tillë, duhet ta dëgjojnë atë për ta prishur koalicionin me PVD-në dhe “për të krijuar koalicion qeverisës me APN-në e Shqiprim Arifit, porositë në seancën e 24 majit të kuvendit komunal, porositë Ragmi Mustafa.

Derisa “ish”-i i parë, Ragmi Mustafa 12 vjet na shiti “patriotizëm” duke u përpjekur që t’i bashkohemi projektit politik të Daçiqit për “shkëmbim territoresh” dhe për ndarjen e Kosovës, si dhe dekoroi me Mirënjohje apo “Zahvalnicë Vuçiqin!

“Ish”-i i dytë, Shqipërim Arifi na e shpalli Referendumin si “gabim”, ndërsa i fajësoi shqiptarët për ngecje zhvillimore dhe lavdëroi Serbinë dhe Vuçiqin “për ndihmën” ndaj shqiptarve të Luginës së Preshevës!

Kështu që, realisht na doli se s’ka lidhje pse Shqiprimi ia “mori” postin e kryetarit Ragmiut, mbase për shkak të misionit të përmendur të Serbisë ndaj shqiptarve të Luginës së Preshevës.

Prandaj, nuk u ka mbetur tjetër dhe vlerësojnë se, me rëndësi është që të krijojnë “mjegull” në Kuvend, Ragmi Mustafa bashkë me “ish”-in tjetër, Shqiprim Arifin.

Sepse, këta “ujqë” të vjetër, në këtë mënyrë e bllokojnë punën e kuvendit, duke e marrë fjalën “deri në mëngjez” “ish”-i i parë, Ragmi Mustafa, të cilin akoma pa shkuar në vend, e zëvendëson “ish”-i i dytë në foltore, Shqiprim Arifi. Pafundësisht dhe në vazhdimësi e bllokojnë punën e Kuvendit Komunal të Preshevës.

Meqë, thonë se “ashtu e don puna”!

Sepse, “ujku don mjegull”!

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch