Home » Lajme, Opinione, Vendore » Ushtria e Kosovës shterron ëndrrat serbiane

Ushtria e Kosovës shterron ëndrrat serbiane

Nga Azgan Haklaj

E drejta e çdo populli për të patur ushtrinë e tij dhe për tu mbrojtur nga agresorët, është e drejtë hyjnore dhe e panegociueshme e çdo populli.  E kjo në rastin e Kosovës është dyfish legjitime dhe e domosdoshme për ti mbrojtur lirinë dhe popullin e saj.

Ky popull në shekuj është kërcenuar nga shfarosja, dëbimi nga trojet e veta amtare, kolonizimi e asimilimi i dhunshëm nga hordhitë e Azisë dhe falangat e pergjakshme serbo-sllave.

Sot është një moment historik për Kosovën e mbarë Kombin Shqiptar.
Ditëlindja e Ushtrisë së Kosovës, ushtrisë më të re në botë, e pagëzuar nga aleati ynë i madh Amerika, nga fuqitë europiane: Gjermania, Franca dhe Anglia, nga gjaku i bijëve të saj trima, të cilët si kalorësit e vjetër dardan, e ata të Gjergj Kastriotit u hodhën si shqiponjat në zjarrin e betejave për liri dhe e dhanë jetën për të.

Gjeneralët trima që i komanduan në shekuj djemtë trima të Kosovës, mbretërit dardan, Milloshi i Drenicës e Lekë Dukagjini, Sylejman Vokshi, Ali Ibra, Mic Sokoli, Sef Kosharja e deri tek UÇK-ja e lavdishme e emblemat e saj Jasharajt dhe Haradinajt, i ndanë fishekët e fundit në betejë me bashkëluftëtarët e tyre sipas kodit të lashtë të nderit të rrënjosur prej shekujsh në genin e luftëtarëve të lirisë.

Nga sot Kosova, Kombi ynë dhe Ballkani do të jenë më të lirë, sepse ekuilibri i forcës është i garantuar tashmë në gadishullin tonë, i cili jo për faj të shqiptarëve u ba shesh beteje, masakrash, jo vetëm në Mesjetë, por dhe në dy luftrat e fundit botërore dhe në vitet 90-të, pas Aktit të shpërbëries së Jugosllavisë Titiste. Mungesa e shtetit dhe e një ushtrie të armatisur e të stërvitur ka qënë thembra e Akilit për shqiptarët në epokën e nacionalizmit të egër ballkanas të shekujve 19-20.

Një popull i paarmatosur u vu prej 150 vjetësh në grykën e topave, mitralozave, bajonetave dhe tankeve.

Fqinjët tanë barbarë të armatosur deri në dhëmbë kanë vrarë e masakruar, shpërngulur me dhunë, burgosur e internuar gati gjysmën e popullsisë autoktone shqiptare të  Kosovës, Nishit, Sanxhakut, Shkupit, Manastirit, Kushumelisë, Çamërisë e Malit të Zi.

Në historinë e Europës nuk ka ndodhur kurrë që ndaj një populli të hartohen projekte shfarosëse, kolonalizuese e asimiluese, siç ishin “Megalidhea” greke dhe “Neçertania” serbe.

Shpërnguljet me dhunë e masive të shqiptarëve nga trojet e veta kanë filluar qysh në vitet 70-të të shekullit të 19-të duke kulmuar në dëbimet masive drejt Turqisë në marrëveshjen serbo-sllave-turke të vitit 1937. Shpërnguljet e Çamëve të vitit 1945 dhe Projekti Tito-Rankoviç 1952.

U desh një makineri kolosale lufte dhe plot 270.000 ushtarë serbë që Kosova e lirisë dhe kuvendeve të mëdha, Kosova e Kryengritjes së Përgjithshme për shpalljen e Pavarsisë të pushtohej nga barbarët sllavë në Luftën e Parë Ballkanike.

Sot Kosova ka Ushtrinë e saj.

Historia na ka mësuar se një popull që e ka bërë lirinë idealin më të lartë të ekzistencës së tij kur është i armatosur, është i pamposhtur në rrugën e tij historike e në vetë ardhmërinë e tij.

Askush tjetër përveç barbarëve, çetnikëve e falangave të përgjakshme të etura pěr gjak e zaptim territoresh të huaja nuk e ka frikë krijimin e Ushtrisë së Kosovës.

Shqiptarët kanë dhanë prova të qarta gjatë historisë tyre e madje edhe në kulmin e fuqisë së tyre ushtarake se nuk janë treguar agresorë ndaj fqinjëve të tyre. E kundërta ka ndodhur ndaj nesh.

Sot në trojet iliro-dardano-arbërore janë vendosur kryeqytetet e Maqedonisë e Malit të Zi. Kjo jo për faktin se shqiptarët nuk ishin trima e patriot, por për shkak të forcës së armëve, intrigave të Fuqive të Mëdha e barbarizmave të agresorëve gjakatarë.

Jepu armën në dorë shqiptarëve e nxirri në mejdan përballë bajlozëve të tokës dhe detit dhe bëhen të gjithë Gjergj Elez Alija.

Armatose një vajzë apo grua arbërore e ajo do të kujtojë në betejë Amazomat, Teutën Ilire, Mamica Kastriotin, Norën e Kelmendit e Shote Galicën.

E drejta zakonore shqiptare dhe kodi ynë i nderit e ndalon rreptësisht jo vetëm pushtimin e territoreve të huaja, por dhe vrasjen e burrave të paarmatosur, grave, femijëve e pleqëve.

Për ta mbrojtur lirinë e Atdheun nuk mjafton trimëria dhe dashuria për të, apo fakti se je më i madh, apo më i vogël në numër se agresori. Në rradhë të parë duhet të jesh i armatosur deri në dhëmbë dhe i gatshëm për të ndarë fatet e Atdheut tënd në fushën e mejdanit.

Shumë historianëve u duket sot absurde fakti që mongolët pushtuan Kinën, Aleksandri i Madh Europën, Persinë, Egjiptin, Indinë e Babiloninë me ushtrinë iliro- trake, aztekët e Hindusit përzunë pushkët e topat e pushtuesve spanjollë, Suedia e vogël mundi Rusinë.

Ka mbetur e skalitur në memorien historike qëndresa për mbrojtjen e Trojës, apo Kartagjenës, beteja e Spartanëve të Leonidhës përballë ushtrive të Kserksit, beteja me hordhitë turke në muret e Konstandinopojës që zgjati 53 ditë deri sa ra më 29 maj 1453. Aktet heroike të luftëtarëve të Konstadinopojës udhëhiqeshin nga ky flamur që kanë shqiptarët sot.

Sikur Gjergj Kastrioti (Skënderbeu) të zotëronte mjetet e Aleksandrit të Madh apo të Jul Qezarit do të debonte përgjithmonë Turqit nga Europa dhe do të ndryshonte krejt rrjedhën e historisë. Sot, bijtë e Gjergj Kastriotit e kanë ushtrinë e tyre dhe Atdheu i thërret nën armë.

Sot ëndrrat serbe janë shterruar përgjithmonë. Endrrat e Car Llazarit, Stefan Dushanit, të Çubriolloviçëve, Rankoviçit, Sheshelit e Aleksander Vuçiçit u shuan përgjithmonë.

Atyre që janë skeptikë për aftësitë luftarake e forcën ushtarake të Kosovës dua të ju kujtoj se shqiptarët e armatosur shndërrohen në gladiatorë në betejë dhe janë të pamposhtur. 600-700 kalorës të Maltës, në shekullin 16-të, e mbajtën fortesën e tyre për 13 muaj përballë 40.000 forcave turke dhe i detyruan të zmbrapseshin.
Në se agresorët e nesërm do të guxojnë ta provojnë forcën e Ushtrisë së Kosovës, fati i tyre nuk do të jetë më i mirë se ai i Koalicionit Egjiptiano-Arab i vitit 1967 kundër Izraelit.

Ushtria e Kosovës kërkon pregatitje të lartë, disiplinë e sakrifica të mëdha, por është mënyra e vetme për të mbrojtur kështjellen e pamposhtur. I madhi Xhorxh Ëashington kur luftonte kundër ushtrive separatiste të jugut në Amerikë ndërtoi në katër vjet një rrjet prej mijra kilometrash rrugësh e hekurudhash për zhvendosjen e shpejtë të ushtrisë e mjeteve të saj logjistike, i cili është faktor vendimtar për fitoren.

Së shpejti Ushtria e Kosovës do të ketë arsenalin e saj jo vetëm artilerinë e rëndë, por dhe tanke dhe autoblinda, helikopterë e avionë luftarakë.

Rruga e Kombit është arteria kryesore ku do të operojë Ushtria e Kosovës në rast nevoje.

Por kërkohen sigurisht dhe rrugë të reja strategjike e auro-portuale.

Shqipëria si shtet nuk guxon të shmanget nga detyrimet e saj. Qeveritë shqiptare të sotme e të nesërme duhet të venë në dispozicion të gjitha asetet kombëtare, ushtarake e bazat e veta logjistike për Ushtrinë e Kosovës , që të garantojë një mbrojtje të përbashkët dhe të pathyeshme, e cila do të legjimonte të drejtën historike hyjnore të shqiotarëve: “Një Komb, Një Ushtri”.

Kombi Shqiptar pas betejash të përgjakshme për Liri e Pavarësi është rreshtuar para botës në kahun e drejtë të historisë.

Ai është aleat i NATO-s, i SHBA-së dhe Europës Përendimore.

Është aty ku e ka vendin e rrenjët e veta historike e kulturore.

Aty ku e ka vendosor kryetrimi i historisë sonë: “Gjergj Kastrioti, Moisiu Ynë”.

Lavdi, bekim e të ardhme të ndritur Kosovës e Ushtrisë së saj, krijuar në Vitin Jubilar të Gjergj Kastriotit ( Skënderbeut).

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.