VENDIMET JURIDIKE “BERISHA” NUK DUHET TË PREKIN KËSISOJ “LËVIZJEN E LIRË” DHE TË PRODHOJNË KAQ SHUMË POLITIKË TË DITËS…!
Natyrisht, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë i ka në mbiemrin e vet misionet “për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, po, në këtë rast, dua të jem përtej çështjes juridike të ish Klubit “Partizani”e larg trajtimit të çdo akuze nga Prokuria e Gjykata ndaj cilitdo, gjithashtu duam të mbetemi larg politikës partiake të lidershipit Berisha, po nuk mund të rrijmë pa folë për masën juridike penale të “kufizimit të Lëvizjes” ndaj ish-Kryeministrit e ish-Presidentit, prof. dr. Sali Berisha.
E para, Sali Berisha është e mbetet lidershipi kryesor që iu siguroi Shqiptarëve Lëvizjen e Lirë Shengen, është një nga Shënjtëritë demokratike, politike, diplomatike, jetësore e morale të Shqiptarëve të Shqipërisë, sepse Lëvizja e Lirë ishte një ëmdërr e mbetur tek kloni i kufinit, tek doganat, tek aeroporti e portet shqiptare, kur për kalimin e kufinit shpalleshe “Armik, tradhtarë…”, dënoheshe me burgime të rënda apo edhe vriteshe në kufi edhe në vitin 1990 të rendit të Ri Botëror.
Sigurisht, duke e parë “Lëvizjen e Lirë” si një nga “Shenjtëritë” e Demokracisë Shqiptare, të Popullit Shqiptar, të lidhjes me Europën e Bashkuar, duhet thënë se Diplomacia e Politika, me patjetër edhe Prokuroria e Gjykata, duhet të jenë më të kujdesshëm, jo kaq ofensivë për të sulmuar e goditur ata që janë arkitekt realizues e simbol popullor të kësaj shjenjtërie të “Lëvizjes së Lirë” e të çdo shenjtërie tjetër shqiptare.
E dyta, një vendim i tillë për kufizim të “Lëvizjes së Lirë” të lidershipit Sali Berisha “prodhon” me tepëri Politikë të Ditës, politikë që nuk ishte dhe nuk është kaq e nevojshme; politikë që ka për ta përcjellë proçesin gjyqësor në të gjitha hapat e shkallët e tij.
E treta, ajo çka po thonë disa juristë, avokatë, politikanë, se kemi të bëjmë “me shkelje të Kushtetutës së Shqipërisë”, nëse provohet ligjërisht, gjyqësisht, parlamentarisht, atëhere duhet të themi se është shkelur një nga shenjtëritë shqiptare Kushtetuta e Shqipërisë, një apo ma shumë nene të saj.
Duhet thënë se Kushtetuta e Shqipëisë, siç e dijnë edhe bashkëkryetarët e ndonjë antarë i saj, qysh në hartim e miratim të saj, iu hoqën apo shtuan disa nene që duheshin për ta kufizuar ish Presidentin Sali Berisha në Politikën Shqiptare, në ecuri e karierë politike të tij.
Gjithashtu, kemi edhe një Kushtetutë të Shqipërisë, që pa miratimin e liderit të atëhershëmn të Opozitës Shqiptare, Sali Berishës, nuk mund të ishte në jetësim juridik praktik, etj.
Pra, një politikan, si dr. Sali Berisha, që kur u zgjodh President u betua me dorë mbi Kushtetutën Shqiptare, që “e miratoi” Kushtetutën Shqiptare kur ishte në Opozitë, që disa nene iu hoqën apo shtuan Kushtetutës për kufizimin politik të Berishës, atëherit është e tepërt deri në panevojshmëri shkelja e saj në rastin e deputetit Berisha duke ia kufizuar Lëvizjen e Lirë”, sepse tregon tendencëshmëri, tejkalime jurike, llucë politike etj.
E katërta: Politika Shqiptare ka të paktën një dekadë, kjo dekada e fundit, që ka hyrë në një tjetër epokë politike, në epokën me një emër tjetër, në “Epokën Rama”. Kjo po ndodh, duam apo nuk duam ne. Kjo po ndodh me vepra e veprimtari konkrete. Kjo po ndodh edhe me mbështetje diplomatike ndërkombëtare.
Realisht, sot, as nesër, nuk mund të mbijetojnë “Epoka Berisha” dhe është edhe përtej imagjinatës politike një rikthim tjetër, si ma herët, të vazhdimësisë së “Epokës Berisha”.
Historia Shqiptare dëshmon se asnjë nga lidershipët historikë shqiptarë në të gjitha kohërat, regjimet, shekujt, nuk kanë mundur të bashkëjetojnë në ecuri të përbashkët “Epokat”.
Lidershipi Edi Rama me Fatos Nanon dhe as Sali Berisha me Lulzim Bashën nuk mundën të bashkëjetonin as në një parti me krijue “Epoka Partiake”, aq ma tepër që Zogu të lejonte me Nolin… dhe Rama të lejojnë Berishën.
Jemi në përleshje të dy epokave, të asaj Berisha në kohën e Lëvizjes së Dhjetorit, asaj presidenciale e Kryeministrore, që po don të vazhdojnë edhe sot, dhe “Epoka Rama”, që po ndërtohet e lartësohet kryesisht në dekadën e fundit.
Po përleshen në fushëbetejë politike Elefantët e Politikës së sotme Shqiptare. Unë kam përjetuar në Parkun Kruger në Afrikën e Jugut ecjen e Elefantit vet i dyti elefant dhe ne tuj ndejt në fugon e ndjenim si pesha e tokës na tundtte sadopak. Po sikur elefantët të ndesheshin realisht, të na sulmonin me foçkat e tyre ne…Unë nuk dua të jem larg ringut ku ndeshen Elefantët e Politikës. Kush don le të shkojnë dhe ta provojnë… Unë, jo!
Unë nuk iu përkas atyre që të kem përfituar asnjë cent apo post, as nga Berisha e as nga Rama, dhe Politika tashti në moshën time të tretë shpesh herë më duket sikur vdekja që pret të shfaqet në horizontin individual jetësor timin. Edhe Drejtësia duhet të ketë kujdes! Edhe Diplomacia duhet të jetë Diplomaci!
Veçse, në përmbyllje, dua të them se Vendimi i Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, i para disa ditëve, “për kufizimin e lëvizjes” ndaj ish-Kryeministrit e ish-Presidentit, Sali Berisha, për gjithçka thashë në këto fjalë-trajtesa të shkruara shpejt e shpejt, duhej të ishte më i fundit vendim i saj dhe jo të vinte i pari në kryefjalë juridike, si A pa ZH-në e vet vendimit gjykator (!)
Ramiz LUSHAJ
Average Rating