Home » Lajme, Vendore » Veteranët përsërisin qëndrimin kundër Speciales, kanë lutje për ambasadorët në Kosovë

Veteranët përsërisin qëndrimin kundër Speciales, kanë lutje për ambasadorët në Kosovë

Organizata e veteranëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka lutur ambasadorët e shteteve mike të Kosovës që të mos bëjnë presion te deputetët e Kuvendit.

OVL e UÇK-së në një komunikatë ka përsëritur qëndrimin për shfuqizimin e Gjykatës Speciale “sepse konsiderojmë se kjo gjykatë është e njëanshme”.

“Përmes kësaj komunikate i bëjmë me dije opinionit publik se ne si veteranë të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk kemi qenë dhe as nuk jemi kundër drejtësisë dhe organeve të saj, por kemi qenë dhe jemi kundër padrejtësive që po na shkaktohen si popull viktimë e luftës së fundit në Kosovë, sepse siç e dini, ne kemi kërkuar dhe kërkojmë në vazhdimësi që të krijohet Gjykatë vendore, e cila do të merrej me gjykimin e të gjitha krimeve të shkaktuara gjatë luftës në Kosovë”, thuhet në letrën e OVL të UÇK-së, të publikuar nëpër media. “Sa i përket kësaj, i lusim Ambasadorët e shteteve mike të KUINT-it, që të mos bëjnë presion mbi deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, sepse ata janë sovrani i votës së popullit”.

Në fund të letrës, OVL e UÇK-së ka kërkuar nga Kryesia e Kuvendit dhe Kryetari i saj që të procedojnë iniciativën për shfuqizimin e Speciales, “si obligim kushtetues që e kanë”.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch