Vjosa Osmani kritikon BE-në për qëndrimet ndaj Kosovës: Po bëhet padrejtësi
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur zhgënjimin e saj me qëndrimin e disa shteteve anëtare të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, duke i quajtur masat ndëshkuese të bllokut si të “padrejta” dhe “joevropiane”.
Ajo i bëri këto deklarata në Bruksel, gjatë samitit BE-Ballkani Perëndimor, ku theksoi se politika e zgjerimit të BE-së po diskriminon Kosovën.
“Duket se ka tendenca nga disa shtete anëtare që Kosova të dënohet vazhdimisht,” tha Osmani, duke shtuar se ndëshkimet nuk reflektojnë vlerat evropiane.
“Çfarë është evropiane në ndëshkimin e 1.7 milionë qytetarëve të Kosovës, një vend që është ndër më pro-evropianët në botë?”
Osmani theksoi se Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE që në dhjetor 2022, por kërkesa e saj nuk është shqyrtuar ende.
“Aplikimi ynë është ende në sirtar. Kemi përmbushur të gjitha kushtet që BE-ja ka kërkuar, por nuk po shohim vullnet politik nga disa shtete anëtare për të na përkrahur,” deklaroi ajo.
Presidentja kritikoi faktin që Kosova mbetet vendi i vetëm në rajon pa statusin e kandidatit për anëtarësim, pavarësisht reformave të thella dhe harmonizimit të plotë të politikës së jashtme me BE-në. Ajo vuri në dukje se Kosova ka qenë e para në rajon që vendosi sanksione kundër Rusisë, ndërsa qytetarët e saj mbeten të ndëshkuar nga politika e BE-së.
“Procesi i zgjerimit duhet të bazohet në merita,” tha Osmani, duke uruar Shqipërinë dhe Malin e Zi për përparimin e tyre në rrugën evropiane. Megjithatë, ajo kritikoi qasjen e BE-së ndaj Serbisë, duke e quajtur një mesazh të gabuar për rajonin.
“Sa më shumë që një vend rreshtohet me Rusinë, Iranin dhe Kinën, aq më tepër përparon drejt BE-së. Ndërsa Kosova, që është 100% e harmonizuar me BE-në, nuk ka asnjë përparim. Ky nuk është një proces i bazuar në merita.”
Osmani përmendi gjithashtu sulmet e fundit ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës, për të cilat ajo akuzoi bandat serbe.
“Agresioni i vazhdueshëm i Serbisë ndaj Kosovës është kundër parimeve të së drejtës ndërkombëtare e kundër vlerave të fqinjësisë së mirë që janë vlera të BE-së. Muajin e kaluar patëm sulm ndaj infrastrukturës kritike në Kosovë nga bandat serbe, që kishin synim të linin 70 për qind të popullit të Kosovës pa ujë, energji dhe nxemje në dimër. Ngjason me sulmet ruse në Ukrainë në mes të dimrit. Derisa ndodh kjo, e Serbia s’ka marrë përgjegjësi për agresionet e vitit të ardhshëm në Kosovë, ajo po shpërblehet dhe po bën përparime të mëdha me hapjen e kapitujve të ri. Politika që është e bazuar në merita duhet të aplikohet për të gjithë rajonin”, tha ajo.
Duke folur për situatën rajonale, Osmani kritikoi Serbinë për rrezikimin e stabilitetit në Ballkan dhe Evropë.
“Serbia sulmon fqinjët e saj dhe vjen në Bruksel për të folur për integrimin evropian. Të ulesh në dy karrige nuk kontribuon për paqe dhe stabilitet,” përfundoi ajo.
Presidentja theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj rrugës evropiane dhe se ndëshkimet aktuale ndaj vendit janë të pajustifikueshme dhe në kundërshtim me vlerat e BE-së.
Average Rating