Xhelal Sveçla: S`jemi të interesuar për luftë por angazhohemi për luftim të krimit
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se Republika e Kosovës nuk ka qasje agresore e me aspirata pushtuese si Serbia. Ai ka thënë se Republika e Kosovës ka synim paqen e stabilitetin ndërsa Serbia e ka destabilizimin dhe luftën.
Në një shkrim në “Facebook” i pari i ministrisë së Punëve të Brendshme tha se deklarimet se Republika e Kosovës ka ngritur gjendje gatishmërie janë pjesë e propagandës së dyshes Serbi-Rusi.
“Është pikërisht Serbia e ndikuar nga Rusia ajo që ka ngritur gjendje gatishmërie ushtarake, po urdhëron ngritjen e barrikadave të reja, për të arsyetuar dhe mbrojtur grupet kriminale që terrorizojnë në veçanti qytetarët e etnisë serbe që jetojnë në Kosovë. Nuk jemi të interesuar për luftë por angazhohemi për luftim të krimit dhe terrorizmit brenda shtetit tonë. Kjo i pengon Serbisë sepse ndër vite ka mirëmbajtur në të gjitha format grupet kriminale në veri të vendit”, ka shkruar Sveçla.
Ai tutje ka thënë se institucionet e Kosovës duan që çështja e barrikadave të zgjidhet pa asnjë eskalim.
“Institucionet e Republikës së Kosovës janë në koordinim të ngushtë me partnerët ndërkombëtar që kjo çështje të zgjidhet pa asnjë eskalim të mundshëm. Ky fakt dukshëm po i pengon Serbisë e cila po angazhohet maksimalisht që barrikadat të prodhojnë qoftë edhe viktima në njerëz dhe kjo dëshmohet nga sulmet e njëpasnjëshme të armatosura ndaj zyrtarëve policor, pjesëtarëve të EULEX e së fundmi edhe ndaj KFOR-it. Me barrikadat si mjet, Serbia po lufton sovranitetin dhe integritetin territorial të shtetit fqinj, Kosovës, ndërkaq ne jemi të interesuar të luftojmë krimin dhe bandat kriminale, brenda shtetit tonë, të kujtdo qofshin ato”, ka shtuar Sveçla.
Ai po ashtu ka thënë se ‘kurdo që lufta kundër krimit po shpërfaq që ushtrimi legjitim i kompetencave në vendin tonë është në dobi të secilit qytetar pavarësisht etnisë, Serbia me në krye Vuçiçin, po tenton me çdo kusht të cenojë vlerat demokratike që shteti ynë ka promovuar dhe do të vazhdojë të mbrojë’.
“Andaj, ne nuk do të ndalemi drejt mbrojtjes së këtyre vlerave demokratike dhe të qenurit pranë të gjithë qytetarëve tanë pa dallim, pavarësisht tendencave kërcënuese”, ka përfunduar ministri Sveçla.
Average Rating