Shqiptarët përballë kulturës dhe politikës franceze

Read Time:18 Minute, 50 Second

Eshref Ymeri

Hulumtuesi i talentuar, autor i shumë veprave dhe studimeve analitike, të botuara në gjuhën shqipe dhe franceze, i shumë përkthimeve mjeshtërore, diplomati mjaft i suksesshëm prej nëntorit të vitit 1997 deri në qershor të vitit 2000, kur ka qenë Ambasador i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë, Përfaqësues i përhershëm i Shqipërisë pranë Këshillit të Europës, zotëria i nderuar Fotaq Andrea, tetëmbëdhjetë vjet më parë pati botuar veprën me titull “Pena të arta franceze për shqiptarët (1332-2007)”, e cila zë një vëllim prej 762 faqesh. Botuar në Tiranë. Grand Prind, 2007. Kjo është një vepër monumentale që pasuron kulturën tonë kombëtare me një informacion të jashtëzakonshëm nga thesaret e kulturës franceze, të përfaqësuar nga 140 personalitete të saj me emër të madh, të asaj kulture me autoritet të lartë në botë. Në faqet e kësaj vepre njihemi me dëshmitë e tyre faktike për shqiptarët, për kombin shqiptar, për personalitete të shquara të kombit shqiptar dhe të kulturës së tij materiale dhe shpirtërore.
Këtu po mjaftohemi me dy citime:
I pari, nga filologu dhe albanologu i shquar Lui Benloeu (Louis Benlæ (1818-1900), profesor i Universitetit të Dizhonit. Ja çfarë shkruan ai për gjuhën shqipe:
“Në fillim të punës sime mendoja të trajtoja thjesht një çështje gjuhësore dhe etnografike; dhe veç kur shoh se po prekja një çështje të gjallë, madje gjithë regëtimë, një çështje kombi. Dhe ç’komb! Më i vjetri i kontinentit tonë me atë të baskëve… Në një seri konferencash që u organizuan në fillim të verës së vitit 1878, munda t’i parashtroj këto konkluzione në Akademinë e Mbishkrimeve dhe të Letrave të Bukura. U përpoqa t’i mbështes e t’i shpjegoj me ndihmën e shqipes të disa emrave të përveçëm pellazgjikë (emra perëndish, vendesh, malesh etj.) dhe të disa dokeve të çuditshme të shqiptarëve…” (Citohet sipas: Fotaq Andrea. “Pena të arta franceze për shqiptarët”. Grand Prind. Tiranë 2007, f. 332, 333-334).
I dyti, nga shkrimtari Moris Dryon (Maurice Druon – 1918-2009), anëtar i Akademisë franceze prej vitit 1967 dhe Sekretar i saj në periudhën mes viteve 1985-1999. Përballë mashtruesve dhe mitologëve grekë, si edhe në kundërshtim me politikën armiqësore europiane ndaj etnisë shqiptare, ai shhkruan:
“Albanians belong to people older than its history, and the grandparents of Albanians took part in the war of Troy, led by Achilles (… on one side) and Hector (on the other)” – “Shqiptarët u përkasin popujve më të vjetër se vetë historia dhe gjyshërit e shqiptarëve merrnin pjesë në luftën e Trojës, të udhëhequr nga Akili (…në njërën anë) dhe Hektori (në anën tjetër)” (Citohet sipas: “What others say about the Albanians? Maurico Druon”. Facebook. 20 shtator 2016).
Ky personalitet i kulturës franceze i jep një leksion të mirë shpifografisë dhe mitologjisë greke për ata të ashtuquajturit grekë të lashtë.
Në respekt të thellë të veprës së Fotaq Andreas, një vepër kjo e nivelit akademik, të cilën ai ma pati dhuruar në vitin 2016, pata përgatitur Esenë me titull “Një zë intelektuali vjen nga Strasburgu”, të cilën e pata botuar në internet në shtator të atij viti. Kjo vepër duhej të kishte tërhequr vëmendjen e Akademisë së Shkencave dhe të ministrisë së kulturës dhe t’i shprehej autorit një mirënjohje e thellë për punën kolosale disavjeçare që ka përballuar për përkthimin e saj me një nivel të lartë shkencor dhe artistik.
Personalitetet e kulturës franceze kanë vlerësuar lart kombin shqiptar dhe figura të njohura të historisë sonë kombëtare. Por, fatkeqësisht, shteti ynë, me ndonjë përjashtim të rrallë të kohës së mbretërisë dhe të pasluftës, nuk është kujtuar kurrë t’u shprehë atyre mirënjohje publike dhe disa prej tyre t’i nderonte edhe me buste dhe shtatore nëpër sheshet e qyteteve tona. Institucioni i mirënjohjes është nderim ndaj vetvetes, i cili duhej shprehur jo vetëm ndaj personaliteteve të kulturës franceze, por edhe ndaj ayre të vendeve të tjera të Europës Perëndimore, të cilët nuk janë të paktë me veprat që kanë krijuar për vlerësimin e gjuhës shqipe dhe në nderim të kombit tonë.
Me këtë rast, e vlen të theksohet domosdo se përballë personaliteteve të kulturës franceze, që Fotaq Andrea ka renditur në veprën e vet, politika franceze nuk ka manifestuar të njëjtin respekt ndaj kombit shqiptar. Si shpjegohet një qëndrim i tillë?
Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, duhet bërë një shtegtim drejt historisë së kaluar. Dihet që kombi shqiptar ka pasur dhe vazhdon të ketë një kundërshtar tradicional në arenën ndërkombëtare, duke filluar që nga Kongresi i Berlinit të vitit 1878, kur ujqit europianë patën nisur copëtimin e trojeve tona etnike për interesat e shovinizmit serbogrekë. Ky kundërshtar ka qenë Rusia cariste, mëma gjenetike e shovinizmit serbomadh.
Gjatë diskutimeve që u zhvilluan në Kongresin e Berlinit, “përfaqësuesit e Gjermanisë, të Austro-Hungarisë, të Francës, të Britanisë së Madhe dhe të Italisë i rekomanduan Portës së Lartë dispozitat e projektit franko-austriak dhe, çka është më e rëndësishme, bënë të ditur se qeveritë e tyre nuk do të kishin asnjë kundërshtim në qoftë se Porta e Lartë do ta quante me vend që t’i bashkonte trevat shqiptare në një vilajet të vetëm” [Citohet sipas: Arben Puto. “Çështja shqiptare në aktet ndërkombëtare të periudhës së imperializmit”, Shtëpia Botuese “8 nëntori”, vëll. I (1867-1912). Tiranë, 1984, f. 34].
Sigurisht që bashkimi asokohe i trevave shqiptare në një vilajet të vetëm, krijonte kushte për shpalljen e autonomisë së tyre në kuadrin e Perandorisë Otomane. Por përfaqësuesi i Rusisë në Kongresin e Berlinit, agjenti diplomatik Vasil Hitrovo (1834-1903), interpretoi “qëndrimin e përgjithshëm të qeverisë së tij që ishte kundër çdolloj autonomie shqiptare” (po aty).
Qëndrimi antishqiptar i politikës franceze e ka burimin te dashuria franko-ruse, e cila shpërtheu rreth tridhjetë vjet pas fushatës së Napoleon Bonapartit (1769-1821) kundër Rusisë. Siç dihet, ky i fundit e nisi luftën kundër Rusisë pas një pabesie që Rusia kreu kundër tij.
Më 07 korrik të vitit 1807, Rusia dhe Franca patën nënshkruar një marrëveshje paqësore në qytetin rus Tilzit, e cila u quajt “Paqja e Tilzitit”. Marrëveshjen e patën nënshkruar Napoleon Bonaparti dhe cari Aleksandri I (1777-1825).
Objektivi kryesor i Paqes së Tilzitit ishte vendosja e një aleance mes Rusisë dhe Francës. Në bazë të marrëveshjes së arritur, Rusia angazhohej t’i bashkohej bllokadës kontinentale, drejtuar kundër Britanisë së Madhe, me qëllim minimin e tregtisë britanike.
Me sa dukej, Napoleon Bonaparti nuk e ka pasë njohur mirë natyrën mashtruese të Rusisë, për të cilën Bismarku (1815-1898) ka thënë:
“Çdo marrëveshje, e nënshkruar me Rusinë, nuk vlen më shumë se letra, në të cilën është shkruar”.
Analisti ushtarak britanik, akademiku Maikëll Klark (Michael Clarke – 1950), jep një fakt tejet demaskues për Rusinë. Në një dalje në faqen e internetit “Sky News” të datës 26 mars 2025, ai ka deklaruar:
“Rusia ka shkelur, së paku, 190 marrëveshje”.
Kjo është edhe arsyeja që ajo nuk mund të mos e shkelte edhe Paqen e Tilzitit, duke i kthyer krahët Bonapartit dhe duke vazhduar tregtinë me Britaninë e Madhe. I ndodhur para kësaj pabesie ruse, natën, duke u gdhirë 24 qershori i vitit 1812, Bonaparti, pasi e kishte vënë nën këmbë krejt Perëndimin europian, filloi sulmin kundër Rusisë. Ushtria ruse u tërhoq, duke braktisur Moskën, së cilës i vuri zjarrin para hyrjes atje të ushtrisë franceze më 14 shtator të atij viti. Ky ishte një poshtërim pubik që Rusia përjetoi para opinionit ndërkombëtar. Por Rusia nuk mund të mos e fitonte atë luftë kundër një agresioni të huaj. Sepse dihet që agresorët gjithmonë pësojnë disfatë. Aq më tepër që ajo ka pasur dhe ka gjithmonë “në krye” një “kryegjeneral”, një “kryestratreg” të veçantë, si dimri rus. Prandaj ushtria ruse vazhdoi tërheqjen edhe matanë Moskës dhe u hodh në mësymje vetëm më 18 tetor, kur dimri tashmë “ishte ulur këmbkryq”. Paskëtaj dihet se si do të përfundonte ushtria franceze, kur cari Aleksandri I, në krye të ushtrisë ruse, hipur majë kalit, më 31 mars 1814, hyri fitimtar në Paris. Edhe ky ishte një poshtërim publik që i bëhej Francës para opinionit ndëkombëtar. Poshtërimit të dyanshëm të të dy kryeqyteteve i pati ardhur fundi. Por, siç u theksua më lart, rreth më shumë se tridhjetë vjet më vonë, urrejtja e papërmbajtur e këtyre dy shteteve kundër njëri-tjetrit, erdhi e u ”shartua” me një dashuri të madhe për secilin. Kjo dashuri filloi gjatë sundimit të Nepoleonit III (1808-1873), kur Franca dhe Rusia filluan t’i forcojnë edhe më shumë marrëdhëniet diplomatike. Në vitet 1848-1852, pas Luftës së Krimesë së vitit 1856 dhe më vonë, marrëdhëniet e tyre u shtuan në një mënyrë të konsiderueshme, kur Napoleoni III qe bërë një lojtar i rëndësishëm në politikën ndërkombëtare të Rusisë. Perceptimi i atyre narrëdhënieve varionte në varësi të personalitetit të sundimtarëve, të tillë, si Nikollaj I (1796-1855) dhe Aleksandri II (1818-1881), çka pati ndikuar në ecurinë dhe forcimin e atyre marrëdhënieve. Dhe kjo i kishte disa arsye plotësisht objektive. Shekulli i artë i oborrtarisë ruse, që kishte nisur që nga qindvjeçari i tetëmbëdhjetë dhe që kishte vazhduar deri në fundin e luftërave napoleoniane, përputhej me epokën e lulëzimit të Francës, e cila qe bërë hegjemone në Europë, çka do të thotë, në mbarë botën. Përtej udhëheqjes politike vijon ajo ideologjike: rrobaqepëset elegante të Lionit – ligjvënëset e modës, Didroi (1713-1784) dhe Volteri (Voltaire – 1694 – 1778) -pushtuesit e mendjeve, kurse shkëlqimi i Versajës – të gjitha këto ishin një ideal i paarritshëm për monarkët e tjerë. S’është për t’u habitur që gjuha dhe kultura masive gale zinin po një vend të tillë në mbarë botën, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe anglishtja në ditët tona.
Kjo ishte arsyeja kryesore që oborrtaria ruse e përbuzte gjuhën ruse, se e kishte bërë si rregull, që, nëpër familjet e saj, fëmijëve t’u mësohej gjuha dhe kultura franceze. Për pasojë, në të gjitha mjediset e aristokracisë ruse flitej vetëm frëngjishtja, kurse rusishtja konsiderohej gjuhë katundarësh, gjuhë muzhikësh.
Në shek. XX, Rusia shoviniste ishte violina e parë në orkestrën e diplomacisë europiane për ricopëtimin e trojeve tona etnike në Konferencën e Londrës, përsëri për interesat e shovinizmit serbogrek. Dhe domosdo që politika franceze do të vazhdonte rreshtimin jo vetëm përkrah Rusisë, por edhe përkrah Serbisë, si pjellë e Rusisë, edhe përkrah Malit të Zi dhe Greqisë. Të njëjtin rreshtim vazhdoi politika franceze edhe në Traktatin e fshehtë të Londrës të vitit 1915, ku rolin vendimtar, si gjithmonë, e luajti Rusia për fshirjen përfundimtare të Shqipërisë nga harta e Europës. Traktatet e fshehta kriminale të Rusisë cariste i pati denoncuar Lenini në vitin 1918. Çuditërisht, disa komunistë, shqiptarë-rusomanë, mendojnë se Traktatin e fshehtë të Londrës kundër Shqipërisë “e denoncoi Lenini”. Lenini denoncoi të gjitha traktatet e fshehta të carizmit rus, midis të cilëve ishte edhe ai i Londrës. Pra, ai nuk zbuloi vetëm atë kundër vendit tonë se “e digjte malli” për shqiptarët.
Tani le të ndalemi në disa fakte konkrete lidhur me politikën antishqiptare franceze.
Së-pari, një personalitet politik francez, Paul d’Estournelles de Constant (1852-1924), senator, nobelist i paqes (1909), Sekretar i caktimit të kufijve mes Shqipërisë dhe Malit të Zi (1879-1880), ka pasë botuar librin m titull “Unë i kam shumë borxh Shqipërisë”. Libri është përkthyer dhe është botuar në gjuhën shqipe. E ka hedhur në qarkullim enti botues ”Klubi i Poezisë”. Tiranë, 2015.
Ja çfarë shkruan në atë libër ky përfaqësues i politikës franceze:
“… Unë i kam shumë borxh Shqipërisë; unë do t’ia paguaj këtë borxh të rinisë… Pata fatin e madh të emërohem, në pranverë të 1879, Sekretar i Komisionit të caktimit të kufijve të Shqipërisë dhe Malit të Zi… Ne po e sabotonim, po e qethnim territorin e Shqipërisë në dobi të Malit të Zi. Dhe Shqipëria ishte pa mbrojtje… Sepse Shqipëria nuk ekzistonte, dhe nuk duhej të ekzistonte për diplomacinë,.. Mali i Zi, ai, prek Adriatikun: i varfër, shumë i keq, por ai i paraprin ushtrisë së madhe. Ja përse emisarëve të tij shumë të vegjël u jepen gjithmonë pritje shumë të mëdha në Shën-Petërsburg, ku ata pranohen deri në familjen mbretërore… Ai kishte dyfishuar, trefishuar sipërfaqen e tij, kishte kaluar me një të rënë të lapsit nga 4.405 në 15.355 km² në dëm…të Shqipërisë…” (Citohet sipas: “Senatori dhe nobelisti francez: Ne e sabotuam dhe e copëtuam territorin e Shqipërisë në dobi të Malit të Zi”. Faqja e internetit “Koha”. 28 gusht 2018).
Pra, ky politikan francez, ky faqezi i kategorisë së parë, i cili pothuajse e katërfishoi sipërfaqen e Malit të Zi, tallej paturpësisht me shqiptarët, gjoja duke u penduar me ironi se “do t’ua kthente borxhin e rinisë!!!”. Sigurisht që do t’ua kthente.. më 36 gusht.
Vajmedet për ne shqiptarët! Po ne shqiptarët ku ishim kur “kurva e motit” Europë na poshtëronte në një mënyrë aq kriminale me këtë politikan francez, tamam si edhe ministri i jashtëm anglez Eduard Grei (Edward Grey – 1862-1933), i cili, kur Isa Boletini, në prani të Ismail Qemalit, i tha se fshatin tim, Boletinin, ia keni dhënë Serbisë, nxori hartën, e shpalosi mbi tryezë dhe e pyeti se ku ndodhej ai fshat. Kur Isa Boletin ia tregoi me gisht në hartë, Eduard Grei, me një ton tallës dhe plot cinizëm, ia ktheu: “E paske një çikë thellë, sikur ta kishe këtej poshtë nga Gjakova”.
Pse të mos tallej Eduard Grei me Isa Boletinin, përderisa ky, bashkë me Ismail Qemalin, kërkonin prej tij rikthimin e trojeve të grabitura nga ujqit euopianë. Dhe një grup polifonik lab i ka kushtuar këngë Ismail Qemalit kur i drejtohej Eduard Greit: “…Unë jam Ismail Qemali, / Kërkoj vatanet e mia…”, çka të kujton Abdul Frashërin, i cili, sipa këngës labe, i drejtohej Bismarkut: “… Ju lutem, shikon i mirë, ju, për Shqipëri, / Mos e bëni copa-copa sikur s’ka njeri”.
Këto dy figura të njohura të historisë sonë kombëtare, në vend që të lëshonin kushtrimin për ngritjen e popullit më këmbë, për të rrëmbyes armët dhe për të krijuar forcat e armatosura, patën marrë përsipër rolin e lypsarit politik për “mbrojtjen” e trojeve tona etnike nga të huajt. Vajmedet për ne shqiptarët!
Së dyti, Në mars të vitit 2015, mbarë opinioni publik shqiptar u njoh me një deklaratë skandaloze të një eurodeputeti, një shovinist francez ky në parlamentin europian, i quajtur Emerik Shoprad (Aymeric Chauprade – 1969). Ky tellall i shovinizmit rusoserbomadh, nga tribuna e parlamentit në fjalë, shprehu tërë urrejtjen e vet për Kosovën, të cilën e etiketoi si “çerdhe të krimit”, duke deklaruar se Parisi na paska bërë, demek, një “gabim historik” me njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Sipas këtij shovinisti të regjur me dashurinë përvëlimtare për Serbinë dhe me urrejtjen shembullore për Kosovën, “Kosova kurrë s’mund të hyjë në Bashkimin Europian”. Se Kosova, sipas këtij “injoranti me gramë të madhe”, jo vetëm që na qenkej “çerdhe e krimit”, por mbakej përgjegjësi edhe “për spastrimin etnik të serbëve dhe të popullatës tjetër joshqiptare” (Citohet sipas: “Europarlamentari francez: Kosova çerdhe e krimit, njohja e saj gabim historik”. Faqja e internetit “BalkanWeb”. 02 mars 2015).
Eurodeputeti shovinist francez Aymeric Chauprade, nga tribuna e parlamentit europian, sulmoi edhe NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për bombardimin e Sebisë në pranverën e vitit 1999. Me këtë deklaratë, ky eurodeputet shovinist francez, radhitej përkrah skifterëve ushtarakë francezë që i jepnin të dhëna paraprake Beogradit për bombardimet e NATO-s.
Së treti, lidhur me pilotët francezë, të përmendur më lart, për sqarime të hollësishme, iu lutëm veteranit të njohur ushtarak të forcave të armatosua (të dikurshme, sigurisht, se tani s’kemi më forca të armatosura pas demoshëmtisë dhjetoriste), kolonelit të nderuar Dilaver Goxhaj (me pseudonimin Shpëtim Golemi), i cili, sa filloi agresioni i Serbisë fashiste kundër Dardanisë, shkoi vullnetar për të luftuar kundër saj në radhët e Ushtrisë Çlirimtare. Meqenëse ishte kolonel dhe një specialist i shkëlqyer i artit ushtarak, atje u emërua Zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm. Në të njëjtën kohë, duke qenë edhe specialist i anglishtes, nga Shtabi i Përgjithshëm iu ngarkua edhe detyra e përkthyesit për komunikim me pilotët e NATO-s për koordinimin e operacioneve ushtarake të aviacionit me forcat tokësore të Ushtrisë Çlirimtare. E kisha këtë mundësi për t’iu drejtuar kolonel Dilaverit, meqenëse njihesha me të shumë vite më parë, kur pinim kafe në lokalin e gjeneralit Bujar Rama në Tiranën e Re.
Koloneli i nderuar me dërgoi me internet informacionin në vijim:
Laver goxhai Sep 2, 2025, 6:24 (1 day ago)
to me
I dashur Profesor,
…Në datën 23 mars 1999, ora 16.00, kur Përfaqësuesi i SHBA dhe i NATO-s, me qëndrim ne Kumanovë, mori Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së në telefon dhe na njoftoi se në orën 24.00, duke u gdhirë 24 marsi 1999, do të fillonin bombardimet, midis udhëzimeve të tjera, në fund na shtoi:
”Ne do t’ju njoftojmë 10 minuta para se të ngrihen avionët e çdo shteti të NATO-s (të cilët nuk ngriheshin  në të njëjtën kohë të dy shteteve njëherësh, por me radhë), dhe kur t’u themi sa radhën e ka aviacioni francez, mos na jepni të dhëna”.
Këtë ligjëratë mund ta botosh, duke përmendur mua.
Këto udhëzime m’u dhanë direkt mua, pasi unë u caktova prej atij momenti anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, që do të mbaja bashkëveprimin me aviacionin e NATO-s. Këto i kam shkruar në disa shkrime të mia, por m’u pastrua kompjuteri kur më arrestuan djalin në vitin 2001 dhe erdhi policia e ma mori kompjuterin. Nëse e keni ndjekur luftën  e NATO-s në Kosovë, Komanda e NATO-s e përzuri përfaqësuesin e ushtrisë franceze, që e kishim në atë Komandë, për arsye se ai ia raportonte Serbisë, se cilët do të ishin objektivat e aviacionit të NATO-s për çdo radhë fluturimi.
Respekte
Dilaveri
Së-katërti, më shumë së tetë vjet më parë, pata botuar në internet analizën me titull “Marine Le Pen ka ngecur në rrjetin e shpifografisë së Beogradit”. Në atë analizë pata bërë sqarimin në vijim:
“Kandidatja presidenciale, Marine Le Pen (1968), ka deklaruar se kur të bëhet presidente e Francës, do ta nisë anulimin e njohjes së Kosovës. Le Pen, kryetare e Frontit Demokratik, gjatë një interviste për gazetën serbe “Srpski Telegraf”, ka thënë se “Kosova është tokë e shenjtë serbe”, prandaj shteti i saj “do ta tërheqë njohjen e Kosovës”. Po ashtu, ajo tha se ndaj “serbëve është bërë padrejtësi e madhe në vitet ’90 dhe se Europa është e obliguar ta përmirësojë këtë padrejtësi”” (Citohet sipas: “Shokon Le Pen: Nëse e fitoj Francën, anuloj njohjen e Kosovës, tokë e shenjtë serbe”. Faqja e internetit “voal.ch”. 20 mars 2017).
Pra, një tjetër politikane me mjaft peshë në Francë, e cila ëndërron të bëhet presidente, shpall botërisht dashurinë e saj përvëlimtare për shovinizmin serbokriminal. Sipas saj, Kosova na qenka “tokë e shenjtë serbe”, pikërisht ashtu siç ka propaganduar dhe vazhdon të propagandojë ofiçina shpifografike serbe gjatë një periudhe mbinjëshekullore, në një bashkëpunim të ngushtë me rrjetin propagandistik të shovinizmit rusomadh. Pas vizitës “fluturake” në Moskë dhe takimit frymëzues me Putinin, Marine Le Pen me siguri që është bindur edhe shumë më tepër për anulimin e njohjes së Kosovës, nëse zgjidhet presidente. Pavarësisht nga deklarata e saj shoviniste në adresë jo vetëm të Kosovës, por edhe të mbarë kombit shqiptar, kësaj politikaneje të majmur me 9 milonë eurot e Putinit, i duhet kujtuar se Kosova ka qenë dhe vazhdon të jetë tokë e shenjtë shqiptare, ashtu siç janë të shenjta të gjitha trojet etnike shqiptare që shtrihen që nga Arta e Preveza dhe deri në Manastir, Shkup, Preshevë, Mitrovicë, Nish e Tivar.
Për dijeninë e politikanes Marine Le Pen, në Dardaninë ilire, e cila sot quhet Kosovë, politeizmi filloi t’ia lëshonte vendin me kohë krishterimit, i cili, që me Ediktin e Milanos të Perandorit Konstantin (272-337) në vitin 313, u shpall fe zyrtare, institucionale, shtetërore. Për më tepër, kisha katolike shqiptare në Dardani është përhapur që në shekullin e parë pas Krishtit, ndërkohë që sllavët patën zbritur në siujdhesën tonë në shek. VII.
Nga deklarata e politikanes Marine Le Pen, e cila shkel mbi gjakun e martirëve të lirisë së Kosovës, mohon gjenocidin mbinjëshekullor të bishave serbe kundër popullit shqiptar të Kosovës, njollos veprën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe epopenë e lavdishme të Aleancës së NATO-s për ndëshkimin e shovinizmit kriminal serb dhe fyen rëndë dinjitetin e 20 mijë grave dhe vajzave të përdhunuara egërsisht, mund të nxirret përfundimi se ajo ose ka formim të mangët intelektual, ose është vënë kokë e këmbë në shërbim të shovinizmit serb dhe rus. Se ndryshe si u dashka kuptuar mohimi që kjo politikane me paha të madhe i bën të vërtetës historike. Se ajo mund t’i adhurojë serborusët deri në “vetësakrifikim”, kjo është punë e saj, por kjo nuk do të thotë që ajo duhet të shkelë dhe të mohojë të vërtetën historike. Mirë do të ishte që politikania me peshë Marine Le Pen t’i kthehet dhe ta studiojë me seriozitet mendimin filozofik francez, në mënyrë që ta zgjerojë horizontin e vet kulturor. Le të lexojë se çfarë shkruan filozofi, bashkatdhetari i saj i shquar Dekart (René Descartes 1596-1650).
Kur cek problemin e së vërtetës, Dekarti thotë:
“Për të gjetur të vërtetën, gjithsekush duhet që, të paktën, një herë në jetën e tij, të çlirohet nga paragjykimet e grumbulluara me kohë dhe ta ndërtojë krejtësisht nga fillimi sistemin e bindjeve të veta”.
Prandaj, për ta njohur mirë historinë e Kosovës, politikanes Marine Le Pen i duhet të reformojë rrënjësisht sistemin e bindjeve të veta. Se, në të kundërt, shqiptarët kanë për t’i vënë nofkën “daulle e shpuar” e Bogradit dhe e Moskës.
Së-pesti, në një intervistë që gjenerali rus Leonid Ivashov (1943 ka pasë dhënë për një revistë ruse, atij i qe drejtuar pyetja në vijim:
Pyetje: Leonid Grigorjeviç, a është e vërtetë që njëfarë majori francez u ka pasë përcjellë serbëve të dhëna për bombardimet e NATO-s?
Përgjigje: Shefi i shtabit të përgjithshëm të forcave të armatosura të Francës, gjeneralarmatë Zhan-Pjer Kelsh (Jean-Pierre Kelche – 1942), me të cilin kam marrëdhënie shumë të mira, gjithashtu, nuk ka qenë përkrahës i bombardimeve të Jugosllavisë… Prandaj, në rastin e majorit francez, nuk ka asgjë për t’u habitur. Në këtë mes luajtën rol jo paratë. Ky ishte një gjest burrëror dhe human në shkallën më të lartë, sepse nuk kanë pasë ekzistuar kurrfarë arsyesh për bombardimin e Jugosllavisë (Citohet sipas: “Intervistë me gjeneralin Leonid Ivashov për revistën “Itogi”. Faqja e internetit “russmir.info”. 27 gusht 2010).
Ja, këto janë faktet tejet kokëforta, sipas të cilave qëndrimi antishqiptar i politikës franceze ka qenë në kontrast të plotë me qëndrimin e përfaqësuesve të shquar të kulturës franceze.
Kaliforni, 09 shtator 2025

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %

Average Rating

5 Star
0%
4 Star
0%
3 Star
0%
2 Star
0%
1 Star
0%

Leave a Reply

Previous post <strong>“Drenica” e KAPITËVE në Durrës, strehë dhe derë e hapur për luftetaret e UÇK-së</strong>
Next post Ka përfunduar raundi i ri i dialogut Kosovë-Serbi, pa ndonje rezultat